Kinemaja jugosllave, si ishin shqiptarët e 70-s!
Në kuadër të Festivalit të 57-të të Beogradit, në Muzeun e Kinotekës Jugosllave u mbajt projeksioni special i filmave studentorë të regjisorëve të kombësisë shqiptare, të cilët në vitet 70 u shkolluan në Akademinë për Film, Teatër, Radio dhe Televizion
Festivali i 57-të i Beogradit i filmit dokumentar dhe i metrazhit të shkurtër i kujton studentët shqiptarë të FAD përmes disa filmave të suksesshëm të tyre, të shfaqur në kohën studentore. Festivali nisi pak ditë më parë dhe filmat e shfaqur në festival ishin: Dum Sharaveli, Emin Halili, Pajtimi sipas tregimit Kikiriki të regjisorit Husein Bato Dukaj, Kur engjëjt marshojnë të Fetah Mehmetit, i cili për fat të keq nuk është në mesin tonë. Balushi apo Qeni i Sharrit i Artan Skënderit, Stafeta e rinisë apo Varrimi i Titos, Isa Qosja dhe Rasti i Bogulub Savkoviq fonditor i Selami Tarakut. Regjisorët: Emin Halili, Isa Qosja dhe Selami Taraku sot ligjërojnë në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Prishtinë, kurse Artan Skënderi ka shtëpinë e vet televizive në Tetovë. Husein Dukaj punon tashmë 25 vite në Televizionin e Malit të Zi.
Profesori nga FAD, Nikola Lorenci, erdhi më idenë që të realizohej një projekt i tillë, i cili u kishte dhënë ligjërata studentëve të shpërmendur. Ndërkaq, producentë të projektit janë Dragan Kovaqeviq dhe Aleksandër Ivanikov. Një prej filmave mbante titullin Shkolla e filmit dhe flet për gjashtë regjisorë. Për fat të keq, në projeksionin e filmave në Muzeun e Kinotekës nuk kanë mundur të marrin pjesë autorët nga Kosova dhe Maqedonia, për shkak të problemeve me dokumentet në kufirin me Serbinë. Në projeksion mori pjesë vetëm Dukaj, me të cilin u xhirua pjesa më e madhe e filmit mbi ditët e Beogradit dikur dhe mbi rikthimin pas më se 30 vitesh. Takimet me profesorët e dikurshëm, me producentët, me shefat e studiove, me punëtorët e FAD etj. kanë qenë interesante dhe miqësore, - shprehet Dukaj. Po cilët ishin gjashtë regjisorët studentë? Kanë qenë djem të vyer dhe të talentuar, ta gatshëm që për filmin dhe televizionin, për regjinë dhe krijimin e veprës artistike të hidhen në zjarr! Kjo u dëshmua edhe në atë kohë ku regjisori Isa Qosja merr çmimin në Oberhauzen për filmin dokumentar Kokan, Selami Taraku në Festivalin Jugosllav të Filmit Dokumentar dhe të Metrazhit të Shkurtër në Beograd merr çmimin më të lartë për filmin e shkurtër Rasti i Bogolub Savkoviq-fonditor, ndërsa Husein Dukaj me filmat Ahmeti dhe Pusi hynë në konkurrencën më të ngushtë për çmime.
Këta profesorë të tanishëm u shkolluan në Beograd dhe me sukses kishin përfunduar shkollimin. FAD, në përfundim të shkollimit, formoi pjesën më të rëndësishme të ekipit filmik apo televiziv - për punë praktike. Kësisoj edhe ndodhi: studentët menjëherë pasi u diplomuan, vazhduan më tutje, në TV Prishtinë, në Shkup, Tetovë dhe Podgoricë. Pas tyre mbeten filmat, ushtrimet e para, filmat e diplomës, shpërblimet dhe vitet e kaluara në studime në Beograd.
x