E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinematë e braktisura të Tiranës



Asnjë film i shfaqur prej më shumë se 20 vitesh, asnjë investim dhe asnjë njeri nuk është ulur në karrige, si në kohërat e dikurshme në kinematë e ndërtuara gjatë monizmit. Kjo është vetëm një kornizë e jashtme e këtyre ndërtesave kulturore, sepse brenda tyre gjendja është edhe më shumë e mjerueshme, çdo gjë pothuajse është shkatërruar. E tillë është gjendja e kinema “Agimit” tek pallatet “Agimi” në kryeqytet, e cila qëndron e heshtur dhe e zhytur në pluhur e plehra, me suvanë e rënë përtokë, mes ajrit mbytës dhe lagështirës. “Muret janë shkatërruar nga të gjitha anët, nuk ka as pastruese dhe asnjë punonjës tjetër që ta mirëmbajë, kinemaja rri gjatë gjithë kohës mbyllur”, – thotë Agimi, përgjegjësi i kinemasë. Herë pas here aty kanë shkuar dhe “vizitorë” si politikanët që kanë zhvilluar ndonjë mbledhje, por edhe Ansambli Kombëtar Folklorik që ka zhvilluar provat përgatitore. “Ansambli i Këngëve dhe Valleve ka bërë disa ditë prova te kinema “Agimi” dhe nga të dyja anët e mureve ishin të shpërndara plehrat”, – thotë Agimi. Nga ana tjetër, edhe banorët, të pyetur nga ‘standard’ kanë shprehur keqardhje dhe zhgënjim për gjendjen në të cilën gjendet sot kinemaja. “Kinema “Agimi” është simbol i lagjes sonë dhe kam nostalgji për kohën dhe filmat që kam shikuar aty, më vjen shumë keq që e kanë lënë në këtë gjendje”, - tregon Arturi, banor i lagjes. Gjithashtu, ai ka shtuar: “Kanë ardhur emigrantë nga Amerika dhe kanë pyetur a është rregulluar kinemaja, për të parë ndonjë film”. Përveç mureve të prishura, jashtë funksionit ka dalë edhe projektori i filmave, i cili është prodhim kinez. Të njëjtin fat dhe gjendje e ka pllakosur edhe kinema “Partizanin” në Laprakë, e cila nga dita në ditë po shkatërrohet më shumë. Edhe këtu muret janë të shkatërruara dhe të rëna përtokë dhe prej shumë vitesh nuk vihet dorë për ta rregulluar apo mirëmbajtur. E vetmja që nuk ka dalë nga gjendja e degradimit është kinema “Dajti” në rrugën “Myslym Shyri”, në të cilën ka tetë muaj që ka mbaruar riparimi nga Bashkia e Tiranës. Burime nga bashkia kanë bërë të ditur se kinema “Dajti” do të kthehet në një qendër komunitare, e cila do të jetë ne shërbim të shoqërisë për nevoja të ndryshme. Në plan-projektin që ka hartuar bashkia, kjo godinë parashikohet të jetë shumëfunksionale, çka do t’i kthejë kinemasë gjallërimin e humbur. Aty është përcaktuar të ndërtohet një sallë kinemaje, biblioteka, e cila do të jetë në shërbim të të gjithë banorëve të zonës, por edhe qytetarëve të tjerë, një sallë për ekspozimin e punimeve si piktura apo skulptura. Kjo sallë do t’u japë mundësi edhe personave që nuk kanë mundësi t’i ekspozojnë punimet e tyre diku tjetër. Gjithashtu, do të ndërtohet edhe një sallë e lëvizshme, çka do të thotë që mund të zmadhohet apo zvogëlohet edhe kjo në varësi të aktivitetit, por që kryesisht do të shërbejë si vend për vallëzim. Ndërsa sipas burimeve nga bashkia, për kinematë e tjera, përkatësisht “Agimi”, “Partizani” ka disa projekte dhe propozime. “Këto dy kinema është parashikuar që të fillojnë rikonstruksionin vitin tjetër dhe që do të kryejnë dy funksione, si kinema dhe bibliotekë”, - kanë thënë burime nga Bashkia e Tiranës. Për momentin, në kinema “Agimi” dhe “Partizani” nuk është duke u kryer asnjë punim dhe nuk ka asgjë konkrete se cili do të jetë fati i këtyre qendrave kulturore, që për vite me radhë u kanë ofruar qytetarëve të Tiranës shfaqje dhe filma. “Shkoja pothuajse çdo ditë te kinema “Agimi” për të parë filma dhe më vjen shumë keq që nuk ka asnjë investim për ta rregulluar”, - thotë një banore e kësaj zone. Ato pak kinema që kanë mundur t’i shpëtojnë prishjes, të cilat janë ndërtuar gjatë viteve të diktaturës, po shkojnë drejt shkatërrimit prej mungesës së mirëmbajtjes apo investimit. Disa prej tyre, siç është kinema “17 Nëntori”, janë kthyer në pallate shumëkatëshe apo edhe janë zhdukur fare, duke zhdukur në këtë mënyrë vlerat kulturore, pavarësisht kohës që janë krijuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›