E Diel, 1 Nëntor 2026

Masat; Policia Rrugore bllokon 80 makina, drejtuesit nuk paguajnë gjobat



Policia Rrugore ka bllokuar 80 automjete dhe ka pezulluar për mosshlyerje të detyrimeve 510 leje qarkullimi. Kontrolle dhe masa ndëshkuese janë ndërmarrë ndaj atyre drejtuesve, të cilët nuk kanë shlyer detyrimet që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative. Sipas burimeve zyrtare, drejtuesve të automjeteve, pas shlyerjes së detyrimeve, u janë dhënë automjetet (64 automjete) ndërsa 16 automjete aktualisht ndodhet të bllokuara në Komisariatin e Policisë Rrugore deri në shlyerjen e detyrimeve të tyre.

Ndërkohë që shërbimet e Policisë së Tiranës do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë dhe përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Policia Rrugore njofton se prezenca e saj në rrugë do të rritet, ndërkohë që do të ketë kontrolle të shuma të ushtruara, që do të vazhdojnë në vijimësi, për zbatimin e detyrave që lidhen me Programin e Punës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit “Për rritjen e sigurisë rrugore për vitin 2009”, si dhe Programin e Punës të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, me objekt forcimin e masave ndaj kundërvajtësve me synim uljen e ngjarjeve aksidentale dhe pasojave të tyre. Kështu, vetëm ditën e mërkurë në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e policisë janë vendosur 1.801 masa administrative me vlerë 1.967.250 lekë, ndërkohë që janë pezulluar 6 leje drejtimi. Gjithashtu, shërbimet e Policisë së Tiranës ftojnë të gjithë drejtuesit e automjeteve, në ndërgjegjësimin e tyre për të zbatuar me përpikmëri normat dhe rregullat e Kodit Rrugor.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›