E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vonojnë maturantët që studiojnë jashtë

Autori i Lajmit: Red.

MASH, formulari A2, plotësimi nis gjatë muajit maj
Plotësimi i formularit A2, ku maturantët do të listojnë sipas një rendi të caktuar dhjetë preferencat për studimet e larta, do të mund të nisë vetëm gjatë muajit maj. Ndërkohë që specialistët që merren me Maturën Shtetërore si dhe Ministria e Arsimit ende nuk kanë shpallur afatet e plotësimit të këtij formulari. Kjo, pasi nuk janë mbyllur procedurat e ekuivalentimit të notave dhe dorëzimit të dokumentacioneve nga maturantët që kanë mbaruar në shtetet e huaja. Kështu, bazuar në rregulloren e Maturës për këtë vit, pohohet se afati i plotësimit të këtij formulari nuk mund të fillojë para datës 20 prill 2008, që është edhe afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve të kandidatëve që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit. Vetëm më pas pritet që të shpërndahet formulari A2 në shkollat përkatëse, ku maturantët do të kenë në dispozicion rreth një muaj kohë që të bëjnë dhe përzgjedhjen e degëve sipas preferencave. “Pas kësaj date MASH-i do të njoftojë të gjithë maturantët për afatet e plotësimit të formularit A2, që përmban të gjitha degët e universiteteve publike, nga të cilat maturanti, sipas sistemit Meritë-Preferencë (MP), duhet të zgjedhë 10 degë të universiteteve ku ai preferon të kryejë studimet e larta”, citohet nga burimet zyrtare të ministrisë. Çka do të thotë se formulari A2 është menduar të plotësohet në muajin maj, pasi maturantët njihen me të gjithë të dhënat e maturës, programet orientuese, koeficientët, testet-model, apo marrin pjesë në seminare të organizuara për Këshillimin e Karrierës", që të bëjnë dhe përzgjedhjet e duhura ku do të kenë më shumë probabilitet për t u shpallur fitues. Ashtu si dhe gjatë vitit të shkuar, edhe për provimet e Maturës 2008, në ndihmë të maturantëve për plotësimin e duhur të formularit do të vihen mësues specialistë, të cilët do të udhëzojnë nxënësit për të shmangur bërjen e gabimeve gjatë plotësimit të formularit. Gjithashtu është menduar që të ketë disa thjeshtime procedurash dhe pritet që këto të fundit të jenë në favor të maturantëve për të eliminuar problemet e shfaqura gjatë maturës së shkuar, ku për shkak të plotësimit të formularit gabim maturantët skualifikoheshin nga e drejta për t u shpallur fitues në një degë të caktuar. Ajo çfarë duhet të kenë kujdes maturantët për plotësimin e formularit është përzgjedhja e degëve në bazë të koeficientëve të ofruar nga fakultetet, në mënyrë të tillë që të kenë më shumë probabilitet për të fituar. Në ndryshim nga matura e vitit të shkuar, është përcaktuar që gjatë këtij viti tezat e provimeve për lëndët me zgjedhje do të përmbajnë pyetje të kombinuara ndërmjet alternativave dhe atyre me zhvillim. Kjo, në mënyrë të tillë që të shmanget dhe mundësia e kopjimit nga ana e nxënësve që ndodhen në të njëjtin ambient. Ndërsa teza e provimit do të përmbajë rreth 20 pyetje, këto të ndara në mënyrë të barabartë si për pyetjet alternative, ashtu dhe për pyetjet me zhvillim. E re gjatë këtij viti do të jetë dhe procedura e korrigjimit. Është menduar që gjatë këtij viti vlerësimi i testeve të lokalizohet dhe në tri qendra të tjera në rrethe. Çka do të thotë se nuk do të ketë vetëm një qendër korrigjimi në kryeqytet, por ato do të shpërndahen dhe në tri rrethe të tjera të vendit. Sipas specialistëve të MASH-it, marrja e këtyre masave bëhet me qëllim që të përfundojë brenda një kohe sa më të shkurtër procesi i vlerësimit të testeve, në mënyrë të tillë që dhe procedurat e përllogaritjeve të të gjithë komponentëve të maturës të mbyllen më shpejt. Provimet e maturës do të zgjasin rreth 2 orë e gjysmë për çdo lëndë.

Ky lajm është publikuar: 27/03/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›