Operacioni në katër shtete prangos 51 trafikantët, 37 janë shqiptarë
Thimi Samarxhiu
ITALI – 51 të arrestuar, 1.3 tonë marijuanë dhe 10 kg heroinë është rezultati i operacionit “Sunrise”, i shtrirë në katër shtete: Shqipëri, Itali, Greqi dhe Belgjikë. Ky është bilanci i aksionit antitrafik më të madh që ekspertët shqiptarë kanë marrë pjesë në goditjen e rrjeteve ndërkombëtare të trafiqeve të lëndëve narkotike. Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 05:00 të mëngjesit, ka nisur operacioni paralelisht në të katra vendet, ku janë vënë në pranga 51 persona, midis tyre 11 shtetas italianë, 3 grekë dhe 37 shqiptarë. Vetëm pak orë pas publikimit të lajmit dhe daljes së kryeprokurores Ina Rama në konferencë për shtyp me drejtuesit e Policisë së Leçes, Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë bëri të ditur se në territorin e Shqipërisë janë ndaluar 5 persona si pjesëtarë të kësaj organizate kriminale, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim. Konkretisht, të arrestuarit janë: Maringlen Hallka, Fatbardh Kapllanaj (të dy gjenden në qeli të dënuar për të njëjtën vepër penale nga Drejtësia shqiptare), Pilo Zanaj, Daniel Likaj dhe Artur Demaj.
Operacioni
Rëndësia e operacionit është treguar nga prezenca në Itali e vetë prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, së bashku me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtorin e Hetimeve, Agron Kuliqi, gjatë konferencës për shtyp pas përfundimit të operacionit të koduar “Sunrise” (lindja e diellit). Në orën 05:00 të mëngjesit të djeshëm, në të katra shtetet ka nisur paralelisht operacionin për arrestimin e pjesëtarëve të kësaj organizate. Sipas të dhënave të Policisë italiane mësohet se të gjithë këta shtetas bëjnë pjesë në një organizatë mafioze të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe intensiteti më i madh i tyre ka qenë rreth viteve 2005–2007. Droga shkonte drejt Italisë me gomone në një periudhe kur në vend ishte vendosur moratoriumi i skafeve. Italianët e kanë zhvilluar operacionin e tyre kryesisht në Leçe, pasi droga shkarkohej pikërisht në brigjet detare të këtij rajoni dhe më pas shpërndahej në pjesën tjetër të Italisë dhe në Belgjikë.
Hetimet
Ka qenë një kërkesë e Prokurorisë së Leçes, më datë 19.11.2009, ajo që ka vënë në lëvizje Drejtësinë shqiptare për të hetuar lidhur me pjesëtarët e kësaj organizate, të cilët dyshohen se për 5 vite kanë trafikuar më shumë se 1.5 tonë marijuanë nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Mediat italiane bëjnë të ditur se gjatë ekzekutimit të fletë-arresteve kanë sekuestruar 1.3 tonë marijuanë dhe 10 kilogramë heroinë, të cilat dyshohen se kishin ardhur nga Shqipëria dhe kishin mbetur “stok” në Leçe.
Nga burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda mësohet se pjesa më e madhe e të arrestuarve ditën e djeshme kanë lidhje me një operacion të zhvilluar në vitin 2007 në Shqipëri, të koduar me emrin “Vjosa”, ku u vunë në pranga 13 persona, mes tyre dhe Hallka dhe Kapllanaj dhe u bë sekuestrimi i 15 kg e 324 gramë heroinë dhe i 561 kg e 635 gramë marijuanë. E gjithë kjo sasi droge është bllokuar në tentativë për të kaluar drejt shtetit italian nëpërmjet gomoneve, të cilat gjithashtu janë bllokuar gjatë këtyre operacioneve. Ndërsa pala italiane bën të ditur se hetimi për këtë grup ka nisur në mars të 2005-s. Pikërisht në vitin 2005, në Punta Palascia në Otranto janë bllokuar 274 kilogramë marijuanë dhe vetëm disa muaj më pas, në gusht të po atij viti, bllokohen dhe 167 kilogramë të tjerë. Trafiku vazhdon ende të lulëzojë dhe në qershor të 2006-s zbulohen 351 kilogramë marijuanë. Por vetëm 3 muaj më pas, më 12 shtator 2006, Policia italiane arrin të sekuestrojë dhe 275 kilogramë marijuanë. Një muaj më pas bllokohen dhe 217 kilogramë. Por nuk mbaron me kaq, pasi po atë muaj në Rexhio Kalabria sekuestrohen 4.5 kilogramë heroinë dhe 5 kilogramë të tjerë në Bari.
20 Shkurt 2010