Gratë e verbra krijojnë asamble kundër dhunës
Gratë e vajzat e verbra në Shqipëri ankohen se ndjehen të dhunuara psikologjikisht nga shoqëria shqiptare. Pamjet e dhunës fizike që u ushtruan ndaj dy grave të verbra gjatë protestës së tyre para kryeministrisë, janë ende të pashlyera nga kujtesa e opinionit shoqëror. Kryetari i shoqatës së personave të verbër, Sinan Tafaj thotë se ky nuk është rasti i vetëm. “Kemi një rast të evidentuar në Devoll të Korçës, me të cilin jemi në proces gjyqësor. Ka përfunduar shkalla e parë dhe tani e kemi apeluar vendimin në Gjykatën e Apelit. Ne mendojmë se çdo rast forme dhune ndaj individëve fyen shoqatën ndaj ne jemi në proces gjyqësor me personat e akuzuar për dhunë. Në lidhje me dhunën që u ushtrua më 21 maj të vitit të shkuar gjatë protestës sonë para kryeministrisë, ndonëse dy gratë e verbra falën dhunuesin, ne jemi në proces gjyqësor me të akuzuarin. Për tu mbrojtur nga dhuna e çdo forme, gratë e vajzat e verbra kanë krijuar për herë të parë asamblenë e tyre. Sipas Tafaj, asambleja do t’i mbrojë nga format e diskriminimit që nga gjetja e një vendi pune apo arsimimi e deri tek dhuna fizike që mund të pësojnë ato. “Do të kërkojmë me insistim punësim e arsimim si të gjithë, do të bashkëpunojmë me faktorin ndërkombëtar për të siguruar mbrojtjen e tyre, nuk do të ndalim luftën për mbrojtjen e të drejtave tona.
Në vendin tonë numërohen aktualisht 10.500 persona të verbër, ku 55 për qind e tyre janë femra.
Parandalimi i dhunës në familje, mungon infrastruktura
Ndërgjegjësimi kundër dhunës në familje ka shtuar rastet e denoncimit në disa rrethe, ku ky fenomen është më problematik. Në Lezhë apo Shkodër, denoncimet faktojnë edhe përmasat e kësaj plage sociale, të cilat në fakt janë më të mëdha sesa ato që raportohen zyrtarisht. Bëhet fjalë për kërkesë-padi që i dorëzohen policisë nga vetë të dhunuarit, që sipas të dhënave i përkasin moshave dhe profesioneve të ndryshme. Edmond Braho , shef i Sektorit të Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje "Nëse në 2008-ën kishim vetëm 7 raste të denoncuara, këtë numër e kemi plotësuar vetëm në muajin janar të këtij viti, shkaqet për këto sjellje janë kryesisht alkooli, xhelozia apo kushtet ekonomike." Shtimi i denoncimit të rasteve të dhunës ka nxjerrë në pah një tjetër problem, atë të mungesës së infrastrukturës për të parandaluar dhe trajtuar këtë fenomen. Sipas specialistëve, tepër i nevojshëm është edhe shtimi i qendrave sociale që merrem me rehabilitimin e personave të dhunuar, apo vetë autorëve të dhunës.
Minatorët rinisin nesër protestat në Tiranë
Shoqata e minatorëve paralajmëroi sot rifillimin e protestave për plotësimin e kërkesave të tyre mbi statusin e minatorit dhe kundër rritjes së çmimit të energjisë dhe të ujit. “Kërkojmë statusin e minatorit. Të anulohet rritja e çmimit të energjisë dhe e ujit”- ka deklaruar Fiqiri Xibri i cili ka konfirmuar se protestat do të nisin nesër në qendër të Tiranës. Sipas Xibrit protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
20 Shkurt 2010