Nuk i kthen borxhin, e merr peng për 7 ditë
SARANDË – I kishte marr borxh 500 mijë lekë dhe nuk ia kishte kthyer, por Leonard Sasaj hakmerret duke e rrëmbyer dhe duke e torturuar 42-vjeçarin Bashkim Hajdaraj. Për shtatë ditë me radhë, Bashkim Hajdaraj është mbajtur peng nga 21-vjeçari Leonard Sasaj, në një banesë në periferi të qytetit të Sarandës. Lajmi konfirmohet nga Policia e qytetit bregdetar jugor, e cila ka zbardhur dhe arsyet e pengmarrjes. Nga hetimi doli se 42-vjeçari Bashkim Hajdaraj i ka marrë borxh Sasajt një shumë prej 500 mijë lekësh të vjetër. Me gjithë insistimin e Sasajt, Hajdaraj nuk ia ka kthyer borxhin. Kjo ka bërë që 21-vjeçari, lindur dhe banues në Sarandë, të marrë peng për shtatë ditë shtetasin Bashkim Hajdari me orgjinë nga Skrapari dhe me banim në qytetin e Sarandës. Kanë qenë familjarët e Bashkim Hajdarajt ata që kanë kërkuar ndihmën e policisë pas mungesë së gjatë të të afërmit të tyre. Kërkimi i policisë ka bërë të mundur dhe gjetjen e banesës në të cilën ndodhej prej shtatë ditësh 42-vjeçari Hajdaraj. Gjithashtu, policia bën të ditur se ka arrestuar Leonard Sasajn dhe ka dërguar materialet për ndjekje penale ndaj tij.
Bllokohen 200 kg Cannabis, në kërkim pronarët
SARANDË - Policia kufitare e Sarandës ka sekuestruar dje një sasi të konsiderueshme prej 200 kilogramë Cannabis e cila po trafikohej në Greqi. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se lënda narkotike është sekuestruar në fshatin Çiflik të Sarandës. Dhjetë thasë të mbushur me kanabis ishin lënë në afërsi të kufirit shqiptar-grek vetëm 1 kilometër larg. Mësohet se droga ishte paketuar në dhjetë thasë e pesë çanta me qëllim trafikimin e saj për në Greqi. Policia e ka zbuluar tentativën e trafikimit në kohën kur zotëruesit e drogës po tentonin kalimin e saj në kufi nga vija e gjelbër. Sapo kanë pikasur ndërhyrjen e policisë, trafikantët u larguan nga vendi i ngjarjes duke i shpëtuar arrestimit.
“Marlboro”, sekuestrohen 4 mijë paketa cigaresh
LIBRAZHD - 4 mijë paketa cigaresh të markës “Marlboro” janë sekuestruar dje në kuadrin e operacionit të koduar me emrin “Marlboro”, të dyshuara si mall kontrabandë. Lajmi konfirmohet nga Policia e Elbasanit, sipas së cilës, kjo sasi cigaresh është kapur në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, konkretisht në dalje të qytetit të Librazhdit. Më tej thuhet se këto paketa iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 27-vjeçarit Gledi Gabri, lindur dhe banues në Kapshticë të Korçës. Ai ishte duke i transportuar ato në automjetin e tij, tip “Benz”, me targa TR 0827 I, i cili kishte si destinacion tregun e Tiranës. Gjithashtu, pranë Policisë së Elbasanit janë shoqëruar edhe dy persona të tjerë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, por për arsye hetimi nuk bëhen të ditur momentalisht emrat e tyre. Në lidhje me këtë vepër penale, po punohet intensivisht për dokumentimin e plotë të saj, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.
Gjendet një kufomë në Gjanicë
FIER - Kufoma e një mashkulli është gjetur mbrëmjen e djeshme në lumin Gjanica në Fier, pranë vendit të quajtur Ura e Spitalit. Kufoma ende e paidentifikuar u gjend nga banorë të zonës, të cilët njoftuan më pas menjëherë policinë. Në xhepin e xhupit që mbante veshur policia gjeti një letër të shkruar nga i mbyturi, ku i kërkonte falje familjes për problemet që i kishte shkaktuar. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen por dyshohet se shkak mund të ketë qenë vetëmbytja.
20 Shkurt 2010