E Diel, 1 Nëntor 2026

Polo GTI, Volkswagen shfaq automjetin modern në Gjenevë



Është pritur me padurim dhe tashmë po bëhet realitet. Bëhet fjalë për automjetin e mrekullueshëm “Polo GTI” të gjigandit të automjeteve “Volkswagen”. Bëhet fjalë për gjeneratën e fundit të Polos, të cilën do të kemi mundësi ta shohim të bërë realitet. Polo GTI do të ketë premierën e vet zyrtare në panairin e automjeteve në Gjenevë në fillim të muajit mars. Ashtu sikurse edhe modeli i tij i ngjashëm nga Seat, Polo GTI do të ketë motor 1.4 litërsh TSI me 180 kuaj fuqi dhe 250 Nm, i çiftëzuar me marshin automatik me lidhje të dyfishtë dhe tërheqje në boshtin e përparmë. Polo me peshë prej 1.184 kilogramë arrin shpejtësinë prej 100 kilometra në orë për 6.9 sekonda, arrin shpejtësinë maksimale prej 228 km/h, e sipas të dhënave të VW-së, ai shpenzon mesatarisht gjashtë litra karburant në njëqind kilometra të kombinuara. Për transmetim të sigurt të fuqisë përkujdeset versioni elektronik i diferencialit të Volkswagenit me rrëshkitje të përcaktuar XDS. Fillimi i prodhimit të këtij versioni të Polos pritet të bëhet me mbylljen e panairit të Gjenevës.

Virusi “Kneber botnet”
Infekton 75.000 kompjutera
Një lloj i ri i virusit ka infektuar mbi 75.000 kompjutera në mbi 2.500 kompani në mbarë botën, e në mesin e tyre dhe kompjuterët e përdoruesve të faqeve për shoqërim online, ka raportuar kompania “NetWittnes”. Virusi i njohur si “Kneber botet” mbledh informacionet e përdoruesve, të cilat përdoren për qasje në sisteme financiare, faqet për shoqërim online dhe e-mail e ato i dërgon prapa tek hakerët. “Botnet” në fakt është ushtri e kompjuterave të infektuar të cilën hakeri e kontrollon me anë të një kompjuteri qendror. Kompania e sigurisë “NetWittnes” ka njoftuar se virusi është regjistruar në muajin janar gjatë një kontrolli rutinor të softuerit.Në hulumtimin e mëtutjeshëm të cilin e ka kryer kompania “Herndon” është zbuluar se janë rrezikuar shumë sisteme biznesi dhe qeveritare, si dhe të dhënat personale të cilat përdoren për tu kyçur në llogari bankare, si dhe në Yahoo, Hotmail e Facebook.

20 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›