Neritan Liçaj, talenti i brezit të ri, frymëzuar nga tradita më e mirë e aktrimit
Është e vështirë ta gjesh larg dyerve të Teatrit Kombëtar. Një punë 15-vjeçare si aktor e ka bërë të jetë një dorë e kujdesshme dhe një shembull i mirë për brezat e rinj. Është një prej aktorëve më të talentuar të teatrit dhe kinemasë shqiptare gjatë këtyre 15 viteve, pasi ka një pafundësi veprash në galerinë e tij. Aktori Neritan Liçaj tashmë është bërë një prej emrave të suksesshëm, i cili, për atë që ka sjellë në skenën shqiptare ka marrë vlerësimin maksimal të publikut. Pasioni për teatrin e ka ngacmuar Neritanin që në vitet e para të rinisë së tij. Roli i tij i parë në skenën teatrore është me shfaqjen “Kryepolici”, një shfaqje që në atë kohë mori shumë vlerësime. Ndërsa e kujton atë kohë me emocion, aktori i njohur, Neritan Liçaj, është sot një nga aktorët më të preferuar për publikun shqiptar. Fillimet për të kanë qenë të mrekullueshme, pasi ka pasur fatin të punonte me artistë të merituar të kinemasë shqiptare. Jeta artistike e tij ndër vite ka qenë e mbushur plot me surpriza dhe momente të bukura që ai i kujton me shumë emocion. Vlerat e tij si aktor janë gjithmonë në rritje dhe asnjëherë nuk humbasin, pasi ka marrë një mbivlerësim të suksesshëm në skenën teatrore, por dhe në kinematografi. Ai ka një gamë të gjerë të roleve si në filma televizivë, ashtu dhe në teatër. Galeria e roleve të tij ka arritur në 40 personazhe për publikun. E ndërkohë familja për Neritanin është gjithçka. “Për mua familja është gjithçka, ajo qëndron mbi të gjitha dhe mbi jetën time. Kur them familjen nënkuptoj nënën, sepse babai më ka lënë, dhe ndiej mall të jashtëzakonshëm, më mungon shumë. Nëna, ime motër, ime shoqe, fëmijët e mi qëndrojnë mbi jetën time”, - u shpreh ai gjatë intervistës. Aktori Neritan Liçaj vetëm pak kohë më parë u ngjit në skenën teatrore në shfaqjen “Letra dashurie”, ku iu besua roli kryesor. Aktualisht ai tregon se nuk ka ndonjë projekt në duar, pret me shumë emocion që në muajt në vazhdim t’i shfaqet përsëri publikut.
Pse keni zgjedhur pikërisht aktrimin dhe jo ndonjë profesion tjetër?
Si të gjithë fëmijët, kam qenë i tërhequr nga artet, kam qenë i pasionuar pas teatrit dhe pas teatrit të kukullave, pse jo? Kisha një prirje dhe pasion për artin. Me pak fjalë, më pëlqente. Pasi mbarova shkollën e mesme, vendosa ta provoja meqë më pëlqente. Mendoja se mund të jepja diçka në këtë fushë. Konkurrova vitin e parë, por nuk fitova se nuk isha përgatitur aq sa duhej, por fitova vitin e dytë. Pra ishte dëshira për t’u marrë me aktrim dhe konkursin e fitova, gjë që më rezultoi për mirë. Pastaj, me shumë punë, me shumë investim, arrita të krijoj një figurë timen modeste artistike, e cila deri tani më ka sjellë fryte të mira, besoj. Por është e vërtetë që sa më shumë të merresh me aktrim, aq me tepër e dashuron profesionin e aktrimit, sepse është një profesion jashtëzakonisht i bukur, si të gjitha profesionet e bukura në botë.
Si kanë qenë fillimet për Neritan Liçajn?
Fillimet për mua ka qenë si për të gjithë ata që aderojnë të bëhen aktorë; në shkollë, me punët e shkollës, me provimet. Një nga pikat e mia më të forta është se mua më pëlqen puna, nuk përtoj të punoj dhe normalisht, kur punon shumë seriozisht dhe fort, puna fillon dhe jep frytet e veta. Që në shkollë filluan të kishin pëlqime për mua, të më pëlqenin si aktor, gjë që më vonë filluan të me jepeshin oferta e para, me role në Teatrin Kombëtar, me trupa private, me film etj. Dhe kështu fillova të krijoj dhe unë atë karrierën time modeste.
Kush ka qenë roli i parë, emocionet që ju ka falur ai rol?
Në Teatrin Kombëtar roli im i parë ishte një rol që unë nuk e finalizova dot. Isha student dhe ika në Itali për arsye emigracioni. Roli i parë i realizuar si profesionist në sallën e madhe të Teatrit pas këtij provimi ka qenë “Kryepolici”, me regji të Arben Kumbaros. Ka qenë një shfaqje që për kohën ka bërë jashtëzakonisht jehonë, sepse ishte një shfaqje vërtet shumë e mirë, e cila u prit mirë nga publiku shqiptar dhe jashtë Shqipërisë, në Francë. Ne atëherë sa kishim dalë nga bankat e shkollës dhe ajo ka qenë puna e parë me të cilën unë jam prezantuar si i diplomuar, domethënë si profesionist me diplomë. Më vonë kanë pasuar rolet njëri pas tjetrit, të cilët janë shumë.
Si e shikoni zhvillimin e kinemasë sot në Shqipëri?
Vitet e fundit sidomos, shoh që ka një seriozitet shumë më të madh edhe nga vetë shteti shqiptar, financuesi kryesor i kinemasë shqiptare, ka qenë gjithmonë shteti dhe ka ngritur shumë buxhet të konsiderueshëm për filmin, gjë që i ka dhënë një hov shumë të madh prodhimit dhe njëkohësisht dhe cilësisë në kinemanë shqiptare. Ka dhe një gjë shumë të rëndësishme që unë do të doja ta theksoja: kinemaja shqiptare ka një ligj të aplikueshëm, gjë që për teatrin nuk ndodh. Është një ligj, i cili nuk është i aplikueshëm, si të thuash me terma burokratikë apo kushtetutshmëror, Teatri Kombëtar ecën pa një ligj të zbatueshëm, këtë ligj nuk e ka. Financimi më i madh i shtetit për kinemanë dhe baza ligjore u krijon mundësinë krijuesve të kinemasë që të punojnë më mirë dhe, për pasojë, rezultatet duken. Ka filluar të ketë tre-katër premiera në vit, gjë që para dhjetë vjetësh nuk ka ndodhur, pasi mezi bëhej një film një herë në dy vjet. Domethënë i është kushtuar shumë rëndësi dhe është bërë shumë mirë, edhe pse mund të presim akoma më shumë financime nga shteti, sepse kinemaja është një botë e mrekullueshme dhe është një nga artet më të bukura që shqiptarët e pëlqejnë shumë. Kështu që ka bërë deri tani goxha shumë në këtë drejtim, por për kinemanë duhet të bëjë akoma më tepër.
Sa ka arritur gama e roleve tuaja në një karrierë 15-vjeçare?
Karrierën time artistike si aktor e kam vazhduar qëkur kam dalë nga bankat e shkollës, që bëhet një periudhë 15-vjeçare dhe gama e roleve të mia janë të shumta, gati 40 role. Të gjitha rolet për mua janë të pandara dhe më kanë lënë mbresa, por vlen të theksoj disa nga rolet më të fundit; Jongleri, me të cilin hapëm sezonin e teatror këtë vit te “Forca e Zakonit” me regjisorin austriak Chris Papke dhe dramaturgun Thomas Bernhard. Ai ishte një nga rolet e fundit, besoj një rol i arrirë për mendimin tim, duke marrë parasysh vlerësimet dhe kritikat. Po ashtu ka qenë dhe me Bartoli te “Martesa e Figaros” etj., ka plot role. Filmi i fundit që kam bërë me metrazh të gjatë ka qenë roli i Landit, te filmi “Sekretet” të Spartak Pecanit, ku Landi ishte një nga personazhet kryesorë, një rol që është vlerësuar si nga publiku, ashtu dhe nga profesionistët. Po të bëjmë një retrospektivë, kam një gamë të gjerë rolesh. Për të lënë mënjanë modestin për karrierën time modeste prej 15 vitesh nuk janë shumë janë goxha role, janë rreth 40. Por sigurisht janë role të dimensioneve të ndryshme, role kryesore, por dhe role të dyta, pasi çdo aktor ka role kryesore, ka dhe role të dyta.
Karriera juaj artistike ka lundruar në kohëra tranzicioni. Sipas jush, kur e shikon veten në majë një artist?
Asnjëherë kur bëhet fjalë për të arritur majat nuk mund të flitet me vite dhe me periudha. Është shumë kompleks arti i aktorit, ka të bëjë shumë përvoja dhe nuk rresht kurrë së mësuari. Pse? Sepse profesioni ynë ka një të bukur shumë të madhe, që është: çdo përballje, çdo premierë e madhe është një provim i ri, domethënë ti mund të kesh dy-tri role shumë të mira më përpara dhe me një rol mund të dështosh dhe çdo gjë në një farë mënyre fillon nga e para. Çdo rol që ti bën, në çdo shfaqje është një provim i ri, dhe kjo e bën që asnjëherë të mos reshtë fitimi i eksperiencës, ose pjekuria profesionale. Pra nuk ka të bëjë me moshën, por me punën konkrete, sa i pasionuar, sa i përkushtuar je dhe është shumë i rëndësishëm.
Si e shikon veten Neritan Liçaj mes teatrit dhe filmit?
Mes teatrit dhe filmit? Që të dyja janë zhanre shumë të bukura. Sigurisht, secila ka specifikën e vet, kanë teknikë të ndryshme. Është ndryshe të interpretosh në teatër, ndryshe në film. E keqja më e madhe është se në qoftë se ne kemi një bazë të fortë të shkollës teatrale për aktor, për filmin ne nuk e kemi këtë dhe ne nuk kemi një shkollë ashtu siç e ka bota shkollën e filmit. Dhe gjithçka në një farë mënyre e mësojmë pak partizançe, në punë e sipër në film. Dhe këtu kanë të bëjnë shumë mundësitë që të jepen dhe përvoja e kolegëve me të cilët të bie të punosh. Në një farë mënyre, shkolla teatrale të jep bazën, por shkolla filmike ka një lloj specifike interpretimi në film, ka një lloj specifike ndryshe, të cilën e mëson gradualisht gjatë punës duke xhiruar.
Çfarë i duhet filmit shqiptar sot?
Filmit shqiptar i duhen akoma më tepër investime, e theksoj dhe njëherë, ka pasur goxha ngritje në investime, por duhet të ketë akoma më tepër. Kjo është baza kryesore sepse filmi, në një lloj mënyre, është shumë i varur nga baza financiare. Filmi është një gjë që nuk prodhohet kollaj pa lekë. Duhet të kesh financime që të bësh një prodhim cilësor. Ana financiare ndikon shumë në cilësinë e filmit. Sigurisht, ne kemi një shkollë shumë të mirë regjisure filmi, kemi regjisorë, të cilët kanë bërë filma vërtet dinjitozë, të cilët janë përfaqësuar me dinjitet dhe kanë marrë dhe çmime në festivalet dinjitoze të filmit. Mendoj se është një udhërrëfyes i mirë për t’u krijuar një mundësi të mirë dhe regjisorëve të rinj. Në këto pikëpamje, për mendimin tim, duhet këmbëngulur më tepër në mënyrë që të vazhdohet akoma më tej ashtu siç regjisorët e mëdhenj të Kinostudios si Anagnosti e shumë të tjerë ua lanë stafetën me sukses regjisorëve të rinj si Xhuvani, Besnik Bisha, Koçi etj., dhe këta duhet të mendojnë jo për të lënë stafetën sepse kanë akoma shumë energji për të prodhuar, por për të ndihmuar një brez të ri që mund të marrë shembull nga ata.
Përveç pasionit të aktrimit, kush janë pasionet e tjera të Neritan Liçajt?
Në përgjithësi artet më pëlqejnë; më pëlqen opera, më pëlqen shumë muzika klasike dhe sigurisht muzika moderne. Më pëlqen shumë arti figurativ, sepse shkollën e mesme e kam mbaruar për skulpturë dhe e kam një lloj pasioni të fshehur dhe të vjetër. Më pëlqen shumë letërsia, por kam pasion edhe sportin. Kam shumë pasione, gjërat e bukura mua më pëlqejnë.
Kush janë momentet e mërzitjes për ju dhe me kë i kaloni?
Në përgjithësi unë jam tip optimist, e marr me shumë sportivitet jetën, fenomenet e saj, po sigurisht në jetën tonë kemi edhe zhgënjime edhe mërzitje, stres. Mënyra më e mirë për t’i kaluar këto momentet të vogla është me familjen dhe me miqtë e afërt. Unë jam tip që iu përkushtohem shumë familjes dhe miqve.
Çfarë është për ju familja?
Për mua familja është gjithçka, ajo qëndron mbi të gjitha dhe mbi jetën time. Kur them familje nënkuptoj nënën, sepse babi më ka lënë dhe ndiej mall të jashtëzakonshëm, më mungon shumë. Nëna, ime motër, ime shoqe, fëmijët e mi qëndrojnë mbi jetën time.
Kush është periudha më e bukur gjatë karrierës tuaj si aktor?
Profesioni ynë prandaj është shumë i bukur, sepse nuk resht kurrë së pasuri surpriza, surpriza dhe kënaqësi. Ka aq shumë momente që më kanë lënë mbresa! Të gjitha janë faza jashtëzakonisht të bukura dhe mbresëlënëse, por fillimi i karrierës është shumë i bukur. Ti je akoma shumë i ri dhe kur je i ri entuziazmin e ke më me tepri sesa kur kalon njëfarë moshe që entuziazmi të ulet. Ai është momenti më i bukur, fillimi i karrierës, por përsëri këto emocione nuk reshtin, vazhdojnë dhe pasqyrohen me vazhdimin e karrierës. Sa më tepër punë që bën, aq më tepër fillon e piqesh profesionalisht edhe si njeri, aq më tepër kur ke një galeri personazhesh dhe këto kthehen në një galeri aq të madhe sa ti nuk di kë të zgjedhësh.
Po periudha më e vështirë?
Puna ka vështirësi pa fund, por vështirësi shumë të mëdha nuk kam pasur. Sepse gjatë gjithë kohës kam pasur punë, kam pasur oferta. Më kanë kërkuar regjisorë të cilëve u jam mirënjohës sepse ata kanë ndikuar shumë në rritjen time profesionale. Dhe unë vërtet gjej rastin t’i falënderoj sepse më kanë dhënë shumë dhe më kanë besuar shumë. Në radhë të parë më kanë dhënë okazion që unë të punoj dhe të tregoj vlerat e mia, por brenda kësaj ata më kanë dhënë dhe nga shkolla e tyre, eksperienca e tyre. Jo vetëm regjisorët, por edhe kolegët e mi të mrekullueshëm, të cilët janë shumë dhe nuk po i përmend, për të cilët ruaj një respekt dhe dashuri të jashtëzakonshme.
Ka ndonjë peng brenda teje për artin skenik?
Ka role që të pëlqejnë shumë, por jo gjithmonë varet nga ti. Mund të kesh peng për të bërë një rol të caktuar që për shumë arsye nuk e realizon dot, dhe role të tilla ka çdo aktor, në çdo cep të botës.
Cilat janë emocionet e filmit dhe të teatrit, pasi ka një ndryshim shumë të madh mes tyre?
Emocioni i teatrit është shumë i bukur, pasi është i prekshëm dhe konkret. Spektatorin e ke aty në sallë, është si koncerti live, sepse muzika live të emocionon më shumë sesa kur e dëgjon në CD. Duartrokitja e spektatorit në fund të shfaqjes është gjëja që të emocionon më shumë dhe filmi ka këto emocione, por nuk i ka të drejtpërdrejta, janë të mëvonshme. Filmi ka një emocion tjetër, të bën më publik, është më i shikueshëm në kinema e televizione, duke lënë atë emocion që të përshkon dhe në rrugë.
Çfarë mund të na thoni për premierën e fundit “Letra dashurie”?
Është një dramaturgji jashtëzakonisht e veçantë. Nuk është dramaturgjia në mënyrën klasike ashtu siç jemi mësuar ne. Ka disa personazhe dhe ata zhvillojnë një dialog, një dialog të mirëfilltë. Këtu i gjithë dialogu dhe historia e shfaqjes zhvillohet nëpërmjet letrave të dashurisë që i ka shkruar një çift të dashuruarish përjetësisht me njëri-tjetrin, që nga mosha dymbëdhjetë vjeç deri në ditët e fundit të jetës së tyre. Gjithë ky dialog përqendrohet te letrat që i kanë shkruar njëri-tjetrit. Kjo gjetje dramaturgjie është shumë e veçantë.
Kush janë projektet që do të sjellin në skenën teatrore Neritan Liçajn gjatë 2010-s?
Tani për tani po vazhdojmë të japim shfaqje me të cilën hapëm sezonin. Është shfaqja “Forca e zakonit” dhe më vonë me një shfaqje të bërë tashmë, që është “Martesa e Figoros”, me një regjisor francez, që e kemi vënë në skenë para tre vitesh. Do të shkojmë të japim shfaqje dhe në Francë, duke bërë një turne. Kjo do të jetë një sfidë shumë e madhe për ne, të përballemi me publikun francez sepse publiku francez është një publik që e adhuron shumë teatrin. Projekte konkrete për teatrin akoma nuk kam. Pritet në muajt në vazhdim, pasi m’u bë një ofertë nga regjisori Xhelili, i cili tashmë ka nisur punën me “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor”, por unë kisha filluar provat me “Letra dashurie” dhe nuk mund t’i lija në mes, kështu që nuk e pranova.
Cili është mesazhi për studentët që duan të bëhen aktorë të vërtetë?
Studentët që aderojnë të bëhen artistë të rinj, pa diskutim, s’e vë në dyshim që përveç pasonit të madh, unë si Neritan do t’u këshilloja sa më shumë punë, shumë përkushtim, shumë dedikim. Pasi në fund të fundit talenti zhvillohet me punë, me kalimin e kohës dhe ecën përpara ai që investon për talentin.
20 Shkurt 2010