E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinsella, Berishës: Brenda 5 viteve ju ndryshuat Shqipërinë



Qeveria shqiptare është e vendosur për të forcuar dhe për të çuar më tej marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kanadasë, në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Kryeministri Berisha priti dje kryetarin e Senatit të Kanadasë Noel Kinsella i cili u shpreh se është impresionuese ajo që ka arritur Shqipëria nën lidershipin e Kryeministrit Berisha vetëm brenda 5 viteve. “Kjo inkurajon së tepërmi zhvillimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat të cilat bazohen në themele të forta të miqësisë mes dy vendeve”, - tha ai. Z. Kinsella shprehu vlerësimet për pjesëmarrjen e forcave shqiptare në misionin në Afganistan, në kuadër të Kombeve të Bashkuara në Çad, si dhe në misionet e tjera paqeruajtëse dhe se ky bashkëpunim mes Kanadasë dhe Shqipërisë për çështjet e sigurisë do të jetë i vazhdueshëm. Kryeministri Berisha u shpreh se do të mirëpriste shumë një vizitë të Kryeministrit kanadez, Stephen Harper, në Shqipëri. Kryetari i Senatit Kanadez shprehu vlerësimin e tij për politikat ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do të mbështesë investimet e investitorëve kanadezë që ato të jenë një histori suksesi. Z. Berisha u shpreh se projekti i dytë madhor për shqiptarët është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe se qeveria shqiptare po punon për të implementuar të gjitha standardet dhe reformat në këtë drejtim. Z. Kinsella u shpreh se Kanadaja është e gatshme të ndihmojë në të gjithë ata sektorë që bëjnë pjesë në procesin e integrimit evropian. Kryeministri Berisha e njohu z. Kinsella me të gjitha përpjekjet e qeverisë shqiptare në zhvillimin e reformave të thella në fushën ekonomike, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare ka adoptuar politikën e “tolerancës 0”, gjë që ka bërë që Shqipëria të ketë një indeks të kriminalitetit më të ulët se mesatarja e vendeve të BE-së dhe se ka një rënie të dukshme në trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›