Mediu padit Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, për shpërdorim detyre
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka depozituar një padi penale ndaj Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, pasi e akuzon atë për shpërdorim të detyrës. Avokatët e tij kanë vepruar në të njëjtën mënyrë edhe ndaj kreut të grupit hetimor të çështjes së Gërdecit, prokurorit Sokol Stojani, pasi sipas tyre, është synuar diskreditimi publik i ish-ministrit të Mbrojtjes, nëpërmjet ndryshimit të të dhënave të dosjes. Avokatët Ardian Visha dhe Petrit Serani, në një konferencë për shtyp, ku ishte i pranishëm edhe Mediu, deklaruan se numri një i Prokurorisë së Përgjithshme gjatë publikimit të dosjes hetimore rreth klientit të tyre, ka nxjerrë të dhëna sekrete, të cilat nuk duhet të ishin publikuar në asnjë mënyrë. Ndërkohë që padia ndaj kreut të grupit hetimor të Gërdecit do të hapet, pasi ky i fundit, gjatë një emisioni televiziv, ka drejtuar pyetje tendencioze ndaj Mediut dhe ka kryer veprime të paligjshme, të cilat janë të paprecedente. Për avokatët, Kryeprokurorja për të realizuar qëllimin e saj kriminal, diskreditimin publik të Mediut dhe për të krijuar një opinion të pavërtetë rreth tragjedisë së ndodhur në Gërdec, gjatë deklarimit të kërkesës për heqje të imunitetit ka publikuar në mënyrë të qëllimshme dhe të paligjshme përmbajtjen e akteve procedurale të dosjes hetimore përkatëse.
Ndërsa prokurori Stojani, sipas padisë së kryer, nëpërmjet ndërhyrjes me anë të të tretëve, në një emision mediatik publik, për më tepër kur “puna” e tij hetimore ka përfunduar dhe dosja ka kaluar në gjykatë, ka synuar diskreditimin publik të z. Mediu, për shkak të abuzimit keqdashës dhe jotransparent të të dhënave që ai disponon për shkak të funksionit të tij të deritanishëm. Avokatët Visha dhe Serani e kanë quajtur këtë veprim “jo vetëm të paligjshëm, por edhe të paprecedentë në historinë e prokurorisë shqiptare”.
Sipas avokatëve të ish-ministrit të Mbrojtjes, ai i paraqiti dje këto kallëzime penale dhe jo më përpara, për të shmangur çdo lloj dyshimi se ai po ushtronte presion mbi Prokurorinë e Përgjithshme. Hetimet në lidhje me çështjen për të cilën Mediu akuzohet kanë përfunduar dhe dosja përkatëse është dërguar në gjykatën kompetente dhe për më tepër, sikurse rezulton nga materialet e dosjes, nuk ka asnjë vendim të prokurorisë për të publikuar dhe për të zbuluar të dhëna dhe akte të hetimit. Për ish-ministrin e Mbrojtjes, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama dhe prokurori i çështjes së Gërdecit, me veprimet e tyre kanë vepruar në kundërshtim me ligjet. Nisur nga kjo, është bërë edhe kallëzimi penal, që kjo çështje të hetohet.
Deklarata e plotë e avokatëve të ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu
“Sot më datë 23 mars 2009, deputeti Fatmir Mediu ka paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kallëzimin për:
1) Shtetasen Ina Haxhi Rama, me detyrë Prokurore e Përgjithshme e Republikës, pasi ajo në datën 25 prill 2008 në cilësinë e Prokurores së Përgjithshme të Republikës, në bashkëpunim me grupin e prokurorëve që janë marrë me hetimin e çështjes penale numër 3 të vitit 2008, regjistruar në Prokurorinë e Përgjithshme, kanë kryer veprën penale të “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” parashikuar nga neni 295/a paragrafi i tretë i Kodit Penal dhe atë të shpërdorimit të detyrës. Për të realizuar qëllimin e saj kriminal, diskreditimin publik të z. Fatmir Mediu dhe për të krijuar një opinion të pavërtetë rreth tragjedisë së ndodhur në Gërdec, ajo, gjatë deklarimit të kërkesës për heqjen e imunitetit ka publikuar në mënyrë të qëllimshme dhe të paligjshme përmbajtjen e akteve procedurale të dosjes hetimore përkatëse. Kryerja e veprimit të mësipërm vjen në kundërshtim me nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenin 6, pika 2 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.
2) Shtetasin Sokol Stojani, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kryetar i grupit të hetimit të çështjes penale të lidhur me ngjarjen e Gërdecit, pasi ai në këtë cilësi, në emisionin “Opinion” të televizionit “Klan” të datës 19 mars 2009, i ka sugjeruar nëpërmjet dhjetëra mesazheve elektronike SMS panelit të gazetarëve pyetje për z. Fatmir Mediu, i ftuar në atë emision.
Prokurori Stojani, nëpërmjet ndërhyrjes me anë të të tretëve, në një emision mediatik publik, për më tepër kur “puna” e tij hetimore ka përfunduar dhe dosja ka kaluar në gjykatë, ka synuar diskreditimin publik të z. Mediu për shkak të abuzimit keqdashës dhe jotransparent të të dhënave që ai disponon, për shkak të funksionit të tij të deritanishëm. Veprimi i z. Stojani është jo vetëm i paligjshëm, por edhe i paprecedentë në historinë e prokurorisë shqiptare.
Për sa kohë teksti i përçuar përmban sugjerime për pyetje publike ndaj Fatmir Mediut, pa i hyrë subjektivisht fyerjeve të mundshme të përmbajtura në to, z. Mediu ka gjykuar që, nëpërmjet realizimit të veprimit të paligjshëm të mësipërm për të, në kushtet kur për një vit rresht Prokuroria refuzoi të realizojë pyetjen e tij institucionale, prokurori Sokol Stojani ka konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës.
Z. Mediu ka paraqitur sot (dje) këto kallëzime penale dhe jo më përpara, për të shmangur çdo lloj dyshimi se ai po ushtronte presion mbi Prokurorinë e Përgjithshme, pasi hetimet kanë përfunduar dhe dosja përkatëse është dërguar në gjykatën kompetente dhe për më tepër, sikurse rezulton nga materialet e dosjes, nuk ka asnjë vendim të prokurorisë për të publikuar dhe për të zbuluar të dhëna dhe akte të hetimit.
Në konferencën për shtyp ka qenë i pranishëm edhe vetë ish-ministri Mediu. Gjykata e Lartë pritet të marrë në shqyrtim kërkesë-padinë e Prokurorisë së Përgjithshme ndaj tij lidhur me tragjedinë e Gërdecit.
Tiranë, vetëvritet 84-vjeçari duke u hedhur nga kati i katërt i banesës
Një 84-vjeçar është vetëvrarë ditën e djeshme, duke u hedhur nga ballkoni. Ngjarja ndodhi afër një pallati që ndodhet pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta te “Rruga e Kavajës”. Sipas burimeve nga policia, viktima është Zef Nika, 84 vjeç, lindur në Pukë dhe me banim në Tiranë. Ai ishte duke ngrënë, ndërsa u hodh nga akti i katërt i banesës ku rrinte. Me gjithë ndihmën e dhënë ndaj tij, duke e çuar në spital, si pasojë e përplasjes së fortë, ai nuk ka mundur që të mbijetojë. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje. U morën në pyetje të gjithë familjarët dhe persona të tjerë, me qëllim lokalizimin e pistave të vdekjes së 84-vjeçarit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes. Nga deklarimet e bëra, viktima u hodh papritur, pa pasur asnjë konflikt.
Dëbora, bllokohen 80 makina e 12 autobusë
Reshjet e dëborës kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve në rrugët e vendit. Si pasojë e ngricave, lëvizja e mjeteve është shumë e vështirë. Në anën tjetër, raportohet se në Qafë-Mali janë 8 autobusë të tjerë dhe 80 makina e udhëtarë, që kanë mbetur peng i ngricave. Ndërkohë që moti është rregulluar në vend, duke bërë që të mos ketë më vështirësi në shumicën e territoreve.
Në Qafë-Shllak u bllokuan 4 autobusë me pasagjerë dhe disa automjete që rrinë në pritje. Sipas burimeve nga autoritetet vendore, mësohet se automjetet janë në pritje të fadromave që do të bëjnë “zhveshjen” e pjesës së ngricës, në mënyrë që të lehtësohet lëvizja. Megjithatë, në disa akse rrugore rekomandohet që të lëvizet me zinxhirë, për të shmangur ndonjë problem të mundshëm.