Roma nuk ka presion, Milani kërkon fitoren
Roma përgatitet për ndeshjen e madhe kundër Milanit, por janë kuqezinjtë ata që duhet të ndihen nën presion. Kështu e mendon trajneri verdhekuq, Klaudio Ranieri. Kryeqytetasit renditen të tretët, me 7 pikë më pak se Interi kryesues dhe me 8 pikë avantazh nga ndjekësja më e afërt. Kjo është arsyeja, përse tekniku beson se Roma nuk ka asgjë për të humbur në sfidën e sotme. “Milani kishte deklaruar se kërkonin të fitonin kampionatin, se synojnë të jenë skuadra anti-Inter në Serinë A. Për të qenë të tillë, ata duhet të na mposhtin. Kjo mund t’u shërbejë si motivim, por në të njëjtën kohë mund të kthehet edhe në ngarkesë psikologjike për kundërshtarët tanë”, tha ai. Për këtë ndeshje, Roma ka rikuperuar dy elementë shumë të rëndësishëm, sulmuesin Luka Toni (në 100 për qind) dhe mesfushorin David Pizarro.
#