Kisha që nuk paguan tatime

Kisha ortodokse greke posedon më shumë toka se çdokush tjetër, përveç shtetit, ka të punësuar me mijëra njerëz, ka aksione në bankën më të madhe kombëtare, por aktivistët theksojnë se tatimet që paguan kisha janë qesharake.
Kisha në vazhdimësi ka mohuar akuzat është një prej institucioneve, që i shmanget më së shumti pagimit të tatimeve në Greqi dhe thekson se në këto kohë të vështira, ajo po luan një rol të rëndësishëm social, ekonomik dhe shpirtëror.
Në vitin e tretë të recesionit, i cili ka munduar 11 milionë banorët e Greqisë, kisha ka ofruar ngushëllim, por aktivistët theksojnë se tani ka ardhur koha që ajo të hap valixhet, për të nxjerrë vendin nga kriza.
Kisha ortodokse greke për një kohë të gjatë ka gëzuar një status të privilegjuar, kur bëhet fjalë për pagimin e tatimeve, në vendin ku është përgjegjëse për religjionin e vetëm zyrtar, me një kritik i cili i ka cilësuar financat komplekse të kishës si të turbullta.
Por kriza e borxhit, e cila ka tronditur shtetin grek, si pasojë e së cilës me mijëra njerëz kanë mbetur pa punë dhe e cila ka rezultuar me një zvogëlim të madh të pagave, pensioneve dhe përfitimeve, ka ngritur pyetje të reja për pozitën tatimore të kishës.
Më shumë se 100 mijë njerëz janë regjistruar në faqen greke në Facebook, “Tatime për kishën” dhe 29 mijë të tjerë kanë nënshkruar peticionin në internet, në të cilin nga shteti kërkohet që të korrë pasuritë e mëdha të kishës, për të reduktuar deficitin shkatërrimtar në buxhetin e Greqisë.
“Kisha duhet të paguaj barrën e saj të tatimeve”, thotë ish-ministri i Financave, Yannos Papantoniou. "Është totalisht e paarsyeshme që kisha në këtë situatë të kontribuojë kaq pak”, shtoi ai.
Kisha me hidhërim mohon akuzat, se nuk është duke paguar në mënurë korrekte pjesën që i takon. “Kjo është gënjeshtër. Ne paguajmë më shumë tatime për tokë, se sa bizneset e thjeshta dhe paguajmë 20 për qind nga të ardhurat e qirasë në emër të tatimit”, thotë Ati Timotheus, zëdhënës i kishës greke.
Përkundër kërkesave gjithnjë e më të shumta për transparencë më të madhe, qeveria socialiste e kryeministrit George Papandreu nuk ka guxim të përballet me kishën e fuqishme, pranoi një këshilltar i kryeministrit, i cili deshi të mbetet anonim.
Financat, tokat dhe pronat tjera të kishës i ngjasojnë një labirinti, në të cilin është vështirë të depërtosh, theksojnë analistët. Pagesat që i bën kisha në emër të tatimeve nuk bëhen publike, ndërsa Ati Timotheus thotë se kishat janë përgjegjëse për tatimet e tyre.
Këshilli i shenjtë ka paguar 1.3 milionë euro në emër të tatimeve vitin e kaluar, thotë Ati Timotheo, duke shtuar:”Ne kemi mundur ta sfidojmë këtë në Gjykatën Evropiane, por nuk e kemi bërë, ngase dëshirojmë të ndihmojmë shtetin dhe atdheun tonë”.
Ka mjaft dëshmi për pronat e kishës, e cila ka në pronë të saj, për shembull, 1.5 për qind të aksioneve të bankës më të madhe greke, Bankës Kombëtare të Greqisë.
Duke pasur parasysh këtë pasuri, aktivistët kërkojnë që kisha të paguaj më tepër.
Shteti aktualisht paguan pagat e 9 mijë priftërinjve, përfshirë këtu edhe rreth 100 mitropolitë, të cilët drejtojnë kishën, e gjithashtu edhe pensionet e klerikëve të pensionuar.
Kjo i kushton qeses shtetërore nga 268 milionë euro në vit, theksojnë aktivistët në Facebook.
Ati Timotheos thotë se shteti duhet ta bëjë këtë, pasi që kisha ka dorëzuar 96 për qind të pronave që ka poseduar, pas pavarësimit të Greqisë nga Perandoria Osmane, në vitin 1821.
Për shekuj para fillimit të pushtimit turk, perandorët bizantin i dhanë një pjesë të madhë të tokave “njerëzve të Zotit”.
Në epokën osmane, shumë familja greke ja besuan pronën e tyre kishës për ta ruajtur, për t’iu shmangur shfrytëzimit të tyre nga ana e turqve. Jo gjithmonë kjo tokë i është kthyer pronarëve.
Qeveria tani po përballet me trysni të mëdha nga FMN-ja dhe BE-ja për të shitur pasuritë publike, përfshirë këtu edhe patundshmëritë.
Një pjesë e problemit është se askush nuk e di se sa prona ka kisha. Struktura e decentralizuar e kishës nënkupton se ajo nuk e di se çka posedon.
“Kisha greke nuk paguan pothuajse asgjë në tatime shtetit grek për pronat e përgjithshme që kontrollon”, deklaroi një ekspert, i cili deshi të mbetet anonim.
Nga fshati më i vogël në veri të Greqisë, ku bujqit i paguajnë qira kishës, e deri te lagjet e Athinës, ku kisha posedon disa prona në lagjen e milionerëve, Vouliagmeni, pasuria e saj në toka është e jashtëzakonshme.
Kisha tani po lobon te autoritetet që t’i lejohet që të zhvillojë Vouliagmenin, lagje kjo e cila gjendet afër një pylli të mbrojtur.
Kisha ndoshta nuk është më shtylla e shtetit grek, siç ka qenë para një shekulli, por ajo ende ushtron ndikim.
I pyetur se pse nuk ka vepruar, për të detyruar kishën që të paguaj më shumë, gjatë kohës sa ishte ministër i Financave, Papantoniou theksoi se socialistët u rrahën keq, kur kisha e luftoi qeverinë në lidhje me kartelat kombëtare të identitetit dhe se nuk kishin më guxim për të hyrë në një betejë tjetër.
Kisha ka theksuar se po luan rolin e saj në krizën aktuale, duke shtuar ndihmat për grekët, të cilët po përballen me vështirësi.
Ati Timotheos kundërshtoi sugjerimet, se kisha duhet të ofrojë një kontribut edhe më të madh.
“Njerëzit i besojnë kishës më shumë se çdokujt tjetër në vend. Sa herë që kanë problem, ata nuk trokasin në dyert e kryeministrit apo të ministrave. Këto dyer janë të mbyllura. Dyert tona janë të hapura”, nënvizoi ai”. (Reuters)