E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: “Ndryshimet që duhet të bëhen për ‘Mbrojtjen e konsumatorit’



Avokati i Popullit sugjeron disa rekomandime për t’u përfshirë në paketën ligjore për Mbrojtjen e Konsumatorit. Sipas tij, duhet të rritet ndërgjegjësimi i qytetarëve si konsumatorë për të drejtat e tyre, nëpërmjet aktivitetit të OJF-ve që veprojnë në këtë fushë. Për Dobjanin shqetësues është fakti i kaosit aktual dhe mospërputhja e kompetencave ligjore që ekziston ndërmjet organeve të pushtetit qendror dhe organeve të pushtetit vendor. Një legjislacion që nuk do të sillte mbivendosje kompetencash do të ishte zgjidhja ideale për të. Në rekomandimin që tashmë ka mbërritur në instancat e duhura thuhet se është e nevojshme të krijohen mekanizma kontrolli edhe për cilësinë e shërbimeve që merr konsumatori që nga arsimi parashkollor deri tek ai parauniversitar. “Është i domosdoshëm riorganizimi dhe ristrukturimi i tregut në Shqipëri. Përmirësimi i infrastrukturës së tregjeve, është një nga kërkesat që garantojnë cilësinë e shërbimit ndaj konsumatorit”, - thuhet në rekomandimin e Dobjanit.

Çonin klandestinë në Greqi për 1 mijë euro, ndalohen trafikantët

Gjirokastër – Disa persona, që synonin të mbërrinin si emigrantë të paligjshëm në Greqi, në pamundësi për të siguruar viza, janë kapur duke kaluar në vendin fqinj përmes një trafikanti, i cili ka rënë dje në prangat e policisë. Burime policore thanë për gazetën se dje në mëngjes Specialistëve të Seksionit të Luftës kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër bënë ndalimi i 34-vjeçarit Engjëll Xhoxhaj, lindur dhe banues në Kuçovë. I arrestuari rezulton i dënuar më parë, në vitin 2006, me 6 muaj burg, për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Mësohet se 34-vjeçari ishte i shpallur në kërkim nga policia e Gjirokastrës pasi në vitin 2007, ka ndihmuar për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme për në shtetin grek, 10 shtetas nga rrethe të ndryshme të vendin kundrejt pagesës 1000 euro për person. Për këtë ngjarje, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, më datën 28.01.2009, ka nxjerrë Urdhrin nr. 24, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, e cila e ka dënuar 34-vjeçarin me 18 muaj e 15 ditë burg, për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”. Kapja e të kërkuarit u bë nga ana e agjentëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Gjirokastër në bashkëpunim me forcat e Policisë së Komisariatit të Kuçovës.

Kërcënohet me vdekje për 5500 euro borxh të pakthyera

Korçë – Një person, i cili kishte marrë borxh 5500 euro dhe nuk i kishte shlyer ende, është kërcënuar me vdekje nga huadhënësit. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, kur 39-vjeçari Maksi Dhamaj dhe Erjon Dhëmbi, 24 vjeç, që të dy lindur e banues në Selenicë të Vlorës, kanë hyrë në konflikt me qytetarin nga Korça, Andrea Çollaku. Pasi e kanë marrë borxhliun në automjetin me targa VL 6291 C, Dhamaj dhe Dhëmbi e kanë kërcënuar atë duke i bërë të qartë se ai duhet të kthente menjëherë shumën prej 5500 eurosh, që i ka marrë hua një të afërmit të dy autorëve. Policia tha dje zyrtarisht se për këtë ngjarje janë kryer veprimet procedurale për veprën penale të “kanosjes e kryer në bashkëpunim”, ndërsa konfirmoi se dy të dyshuarit do të ndiqen në gjendje të lirë.

Kryente marrëdhënie me klientë në hotel, arrestohet prostituta 32-vjeçare

Tiranë - Kapet në flagrancë një 32-vjeçare duke ushtruar prostitucion. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë për gazetën “Albania” se nga seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme, përgjatë mesditës së djeshme është bërë arrestimin në flagrancë i R. Sh., 32 vjeç, lindur në Durrës dhe banuese në Tiranë. Arrestimi i saj u krye pasi është kapur në flagrancë, duke kryer marrëdhënie seksuale me shtetasin Xh. G., kundrejt shumës 1000 lekë tek hotel “Tirona”, në rrugën “Selaudin Zorba”. Policia e kryeqytetit tha se dosja me materialet hetimore i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “ushtrimit të prostitucionit”.

Nxënësit e dy shkollave përleshen me shkopinj bejsbolli

Fier - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së mërkurës në një nga shkollat e qytetit, ku grupe të organizuara të rinjsh janë ndeshur për të treguar forcën. Çudia ka qenë se kjo ndeshje ishte planifikuar prej dy grupeve një javë më parë dhe ndeshja e zhvilluar ka qenë vetëm raundi i parë pasi një tjetër raund do të ishte disa ditë më vonë. Ka qenë ndërhyrja e policisë ajo që ka lënë në mes planin agresiv të të rinjve, e cila ka shoqëruar madje 5 të rinj në Komisariatin e Fierit. Lajmi konfirmohet dhe nga burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë Fier kur thonë se pesë fëmijët janë shoqëruar për në polici ku janë marrë në pyetje. Në polici janë thirrur edhe prindërit e tyre e më pas ata janë lënë të lirë duke u qortuar rëndë prej policisë dhe në rast përsëritjeje, ndaj tyre do të merren masa të tjera. Gjithçka ka nisur një javë më parë ku një grup djemsh nga shkolla 9-vjeçare “Mark Dashi” kishin planifikuar një ndeshje trup më trup me një grup tjetër të rinj nga shkolla 9-vjeçare “Andon Xoxa”. Këto dy grupe kishin në përbërje rreth 30 të rinj nga klasat e 8 dhe 9 e këtyre dy shkollave.

12 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›