E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëtim virtual në mrekullitë e panjohura shqiptare



Petrika GROSI
Vënia në rrjet e “Vendeve Adriatike” dhe udhëtimi on-line në mrekullitë e Adriatikut, të denja për të zgjuar interesin e formave të shumta të turizmit dhe qarqeve të ndryshme kulturore, që përfshijnë të dy brigjet e Adriatikut, është një nga qëllimet e krijimit të uebsajtit më të fundit që është marrë përsipër për t’u krijuar dhe mirëmbajtur si portal nga provinca e Ferrarës në Itali. Ideja konsiston në krijimin e një produkti multimedial të futur në faqen e internetit të provincës, me materialet e secilit partner. Në Ferrara do të organizohet gjithashtu një ekspozitë e vazhdueshme nëpërmjet restaurimit dhe përgatitjes së katër sallave enkas për këtë eveniment pranë Kështjellës Estense (Castello Estense), si dhe një qendër dokumentimi pranë Kështjellës së Mesolës (Castello della Mesola), për të gjitha vendet që lag Adriatiku që janë trashëgimi botërore e njerëzimit, të shpallura nga UNESCO. Projekti parashikon përhapjen e eksperiencave të restaurimit, rekuperimit, katalogizimit dhe të linjave orientuese për administrimin e vendeve, pranë të gjithë partnerëve, nëpërmjet organizimit të seminareve dhe uorkshopeve të studimit mbi restaurimin dhe teknikat e tij, mbi forma të reja të përshtatshme për administrimin e vendeve trashëgimi kulturore, mbi promovimin turistik. SUA (Siti Unesco dell’Adriatico) Vendet Unesco të Adriatikut është një portal, i cili, veç paraqitjes së nevojave të ndryshme, mundëson krijimin e rrugëve që vënë në dukje lidhjet historiko-artistike dhe karakteristikat e vendeve të ndryshme midis tyre dhe të qyteteve shqiptare të UNESCO-s, si Butrinti, Gjirokastra e Berati, duke sugjeruar udhëtime turistike të panjohura më parë, të cilat do të joshin edhe më shumë turistët.

Objektivi i programit INTERREG IIIA

Siç shpjegohet dhe në faqen përkatëse të internetit, objektivi i përgjithshëm i Programit të Iniciativës Komunitare INTERREG IIIA Transkufitar Adriatik, kohët e fundit i shndërruar në Programin e Ri të vendeve afër Adriatikut INTERREG/CARDS-PHARE, është promovimi i zhvillimit social-ekonomik dhe bashkëpunimi ndërmjet këtyre vendeve të zonës së Adriatikut. Veç një pjese të mirë të qyteteve italiane të pranuara në këtë zonë, njëherësh bën pjesë edhe territori i Vendeve Adriatike Lindore (PAO) ku mund të përmendim shtete si Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Unioni Serbi-Mali i Zi. Ky program mes të tjerash ka si rezultat të pritshëm edhe forcimin e bindjes së përkatësisë së një komuniteti të vetëm Adriatik, krijimi i të cilit është hapi përfundimtar i këtij programi. Veç kësaj, programi synon të realizojë një sistem standard të cilësisë së jetës që të jetë i njëjtë për popullatat e ndryshme dhe që të bëhet gjithnjë e më i pajtueshëm me standardet përkatëse komunitare.

Partnerët e programit

Partnerë nga Vendet RAI janë Komuna e Ferrarës, Muzeu i Qytetit të Artit, Komuna e Ravenës, ndërkohë që partnerë nga Vendet Adriatike Lindore janë Serbi-Mali i Zi (Serbia Unity Congress for Herritage Protection in Kotor and Cultural Herritage Republican State Organization of Montenegro in Cetinje), qyteti i Dubrovnikut (Kroaci), qyteti Parenzo, Ministria e Kulturës së Shqipërisë në Tiranë, Universiteti i Sarajevës, Komuna e Sarajevës. Ndërkaq, subjekte të tjera të përfshira në këtë projekt janë Kryesia e Katedrales së Ferrarës, provinca e Ravenës, Instituti për të Mirat Artistike, Kulturore e Natyrore të Rajonit Emilia-Romanja, Universiteti i Bolonjës, Ministria Italiane për të Mirat dhe Aktivitetet Kulturore dhe provinca e Rovigos.

Butrinti, Gjirokastra dhe Berati, online në shtatë gjuhë

Në portalin “sitiunescoadriatico.org”, veç vendeve të tjera, do të gjenden në shtatë gjuhë edhe të dhënat mbi Gjirokastrën, Butrintin dhe Beratin, qytete që bëjnë pjesë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Qendrat përkatëse shqiptare shpalosin kështu online, për miliona shikues në mbarë globin, vlerat, karakteristikat dhe kulturën e tyre. Projekti INTERREG III A, Itali-Shqipëri, ka si qëllim vlerësimin e trashëgimisë artistiko-kulturore-natyrore të vendeve të njohura nga UNESCO si trashëgimi e njerëzimit, të ndodhura në të dyja anët e Adriatikut, duke nxjerrë në pah karakteristikat e tyre të jashtëzakonshme.

12 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›