Kishin përgatitur një vrasje, 3 në pranga
Shkak, konflikti mes motrës dhe vëllait për apartamentin. Arrestohet gruaja dhe 2 kunetërit
ELBASAN-Një konflikt për pak sa nuk ka përfunduar në një krim të rëndë mëngjesin e djeshëm në qytetin e Elbasanit. Burime nga policia bëjnë të ditur se janë arrestuar shtetasit Mirian Pali Dedja, 25-vjeç, i dënuar më parë për plagosje me armë zjarri, Ferdinant Pali Dedja, 30-vjeç, i dënuar më parë për plagosje me armë zjarri dhe Kimete Novaku, 29-vjeç, kunata e tyre. Arrestimi i tyre është bërë pasi kanë kundërshtuar policinë, e cila gjatë kontrollit i gjeti në makinën ku udhëtonin një pistoletë pa leje.
Mësohet se ata ishin nisur të vrisnin vëllanë e kunatës, Durim Novaku, pas një konflikti pronësie që kishin mes tyre. Gjithçka ka nisur për pronësinë e një apartamenti ku të dy pretendojnë të jenë pronarë. Një ditë më pare, vëllai i ka thyer xhamat e makinës së motrës. Kimete Novaku së bashku me kunetërit e saj, Mirian dhe Ferdinant Dedjasë bashku me një automjet tip Renault kanë dalë në qytet dhe janë ndalur nga një patrullë për kontroll fizik. Rreth orës 03.30 agjentët kanë tentuar të kryejnë detyrën, por janë përballur me kundërshtimin dhe forcën e tre shtetasve si dhe me ofendimet e tyre. Vetëm rreth orës 12.30 është vendosur arresti në flagrancë i tre shtetasve ndër të cilët edhe 29 vjeçarja Novaku. Gjatë kontrollit të mjetit Renault Megan me targë 97 24 B është bllokuar edhe një pistoletë TT e kalibrit 7.62 mm dhe 5 fishekë. Për këtë rast kanë nisur hetimet dhe arma e bllokuar është nisur për ekzaminim në laboratorin qendror të policisë shkencore. Paraprakisht nga policia deklarohet se në këtë operacion është parandaluar një vrasje.