E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tepelenë Pranga 21-vjeçarit, do vriste bashkëmoshatarin

TEPELENË- Uniformat blu të komisariatit të policisë së Tepelenës kanë bërë të mundur parandalimin e një vrasjeje të planifikuar dhe vendosjen në pranga të një të riu. Nga burime zyrtare të policisë mësohet se 21-vjeçari Ridjan Braja, lindur dhe banues në qytetin Memaliaj është ndaluar, ndërsa i është sekuestruar një pistoletë tip TT si dhe krehëri me 5 fishekë. Mbrëmjen e së premtes, specialistët e policisë kriminale të komisariatit të policisë Tepelenë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të 21-vjeçarit. "Specialistët e policisë kriminale kishin marrë informacione në rrugë operative se shtetasi Ridjan Braja mbante me vete një armë zjarripistoletë tip "TT" pa leje dhe ky shtetas ishte nisur për të vrarë shtetasin Ledion Selimi, 21-vjeç, lindur dhe banues në Memaliaj"- tha zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Falë informacioneve, u parandalua vrasja e planifikuar dhe u prangos autori bashkë me armën. Shkak i këtij veprimi të të arrestuarit ka qenë se dy ditë më parë, rreth orës 20.30, i dëmtuari Ledion Selimi në bashkëpunim me shtetasit Edmond Sinani dhe Adriatik Petani, me banim në Memaliaj, kanë dhunuar fizikisht për motive të dobëta vëllain dhe kushëririn e parë të autorit, përkatësisht shtetasit Erion Braja dhe Sokol Isaraj me banim në qytetin e Memaliajt. Tashmë i riu i arrestuar do të përballet me dy akuza, të "Armëmbajtje pa leje" dhe "Vrasje e mbetur në tentativë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›