E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushëriri qëllon dy vëllezër, një i vdekur

Altin Topi qëllon mbi kushërinjtë e tij me automatik. Vdes Lavdosh Senka 28-vjeç, plagoset Fariu, 26-vjeç
Sherri për konkurrencën në punën me traktor. Arrestohet autori. Senka: Na prishi traktorin
BERAT-Sherri mes kushërinjve për shkak të konkurrencës ka përfunduar me armë, duke shkaktuar një të vdekur e një të plagosur. Sipas policisë së Beratit, Altin Topi, 23-vjeç ka vrarë me automatik Lavdosh Senkon, 28-vjeç, i cili mbeti i vdekur në vend dhe plagosi rëndë vëllanë e viktimës, Fari Senkon, 26-vjeç. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes në një lokal në fshatin Lybeshë, të komunës Vërtop të Beratit. "Autori, 23-vjeçari, Altin Topi, u arrestua 7 orë pas krimit të kryer, i fshehur në një shpellë",- thanë burimet zyrtare të policisë. Shkak, sipas burimeve familjare është bërë konkurrenca për punën me traktor në fshat, ku kushërinjtë ishin të vetmit që punonin tokat e fshatarëve kundrejt pagesës. Mësohet se autori, një ditë para ngjarjes kishte mbushur serbatorin e traktorit të vëllezërve me zhavorr dhe e kishte dëmtuar, duke i prerë tubin e frenave. Vëllezërit e thërritën të sqaroheshin, por takimi përfundoi me armë dhe viktima.
Ngjarja
Dy vëllezërit dhe kushëriri i tyre, 23-vjeçar kishin shkuar në lokalin e fshatit për t'u sqaruar për problemin që kishin pasur. Sipas dëshmive të të pranishmëve në ngjarje, kushërinjtë qëndruan duke pirë kafe dhe raki për më shumë se tri orë në lokal. "Vëllezërit Senka e kishin kuptuar problemin me traktorin dhe për këtë fajësuan kushëririn e tyre dhe e thirrën për sqarim",- kanë thënë dëshmitarët për policinë, duke treguar se vëllezërit bënin me faj kushëririn, pasi ai kishte deklaruar nëpër fshat se do t'i konkurronte me çdo kusht ata. Fillimisht ai nuk ka pranuar fajësinë, por është rebeluar kur ata kanë kërcënuar me denoncim në polici. Sherri nisi me fjalë, pastaj me përleshje dhe me ndërhyrjen e klientëve të tjerë në lokal gjithçka u duk sikur u qetësua. Duke dalë nga lokali, 100 m më tej, vëllezërit janë përballur me breshërinë e automatikut. Mbi më të madhin, 28-vjeçarin, ra një plumb në aortën kryesore, duke e çarë atë dhe për pasojë duke i shkaktuar vdekjen gjatë transportit për në spital. Ndërsa vëllai tjetër mbeti i plagosur në shpatullën e majtë dhe në afërsi të qafës, por jashtë rrezikut për jetën. Autori, pasi ka parë përtokë kushërinjtë është larguar me vrap, duke përfituar nga errësira.
Spitali
Sipas burimeve zyrtare nga reparti i urgjencës, viktimat janë sjellë rreth orës 23.30 të së premtes, njëri prej të cilëve, i vdekur. Fariu i është nënshtruar operacionit dhe pas disa orësh ka dalë nga rreziku për jetën. Mjeku ligjor Fatos Sinani, pasi i ka bërë autopsinë viktimës, ka lejuar familjarët që ta marrin nga morgu. Sipas tij, vdekja e 28-vjeçarit, baba i një fëmije, ka ardhur nga një plumb, që ka hyrë në anën e majtë dhe pasi ka përshkuar të dyja brinjët e viktimës ka dalë në anën e djathtë, duke i copëtuar mushkëritë. "Vdekja e menjëhershme viktimës i ka ardhur nga hemorragjia e katër plagëve të shkaktuara nga i njëjti plumb",- thotë ai.
Policia
Policia është njoftuar nga një telefonatë anonime për ngjarjen dhe është vënë në kërkim të autorit. Postblloqe të shumta janë ngritur nëpër rrugët kryesore dhe ato rurale. Pas orë kërkimesh autori është vënë në pranga, pa bërë rezistencë para policisë. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm ai u kap në një shpellë dhe pas pyetjeve të para ka pranuar autorësinë e krimit, duke dorëzuar edhe armën me të cilën kishte bërë vrasjen. Paraditen e djeshme u bë gati edhe dosja në ngarkim të tij me akuzën e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje.
 
Intervista
Fari Senka, i shtruar në repartin e kirurgjisë në Berat rrëfen ngjarjen
"Na vrau djali i hallës"
Si ndodhi ngjarja?
Nuk mbaj mend mirë se çfarë ka ndodhur. Jam përmendur vetëm pak më parë dhe nuk ndihem mirë.
E di kush të ka plagosur ?
Po, e di djali i hallës sime. Kam 10 ditë që kam ardhur nga Greqia, pasi atje punoj. Altini kishte muaj që grindej me vëllanë tim për punën e traktorëve dhe se dy apo tre ditë më parë ai i kishte prerë tubin e frenave dhe i kishte hedhur zhavorr e rërë në serbatorin e naftës me qellim që t'i digjte motorin dhe pastaj të punonte vetëm ai. Përse u grindët?
Ne shkuam për të pirë një kafe me shokët, pasi unë kisha kohë që nuk kisha ardhur në fshat dhe atje gjetëm edhe Altinin dhe i kërkuam atij që të sqaroheshim bashkë. Kur erdhi Altini ne u ndamë nga shokët dhe u ulëm në një tavolinë më vetë dhe filluam të bisedonim.
Po më pas?
Kështu vazhduam deri në momentin që i bëmë prezent Altinit ankesat tona dhe i bëmë thirrje që ai të mos kryente më të njëjtat veprime, pasi ne jemi kushërinj dhe ishim bërë gazi botës në fshat. Vëllai im, i foli më ashpër dhe këtu nisi grindja dhe më pas filluan të qëlloheshin me njëri-tjetrin. Ndërhymë ne për t'i ndarë dhe u larguam.
Ku shkuat?
Ne u nisëm drejt shtëpisë, por Altini iku me vrap dhe u kthye me armë. Kurrë nuk e prisnin e as e mendonim, pasi jemi kushërinj, por ndodhi kjo që ndodhi. Nuk mundëm të bënim asgjë për t'u mbrojtur dhe ramë përtokë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›