Fluks mjetesh në Kakavijë, radha 1.5 km
Situata e rënduar gjatë mesditës zgjati mbi 2 orë. Dalin 4500 udhëtarë dhe 1300 mjete
Emigrantët presin mes të ftohtit dhe reshjeve: Historia përsëritet njësoj, jemi të zhgënjyer
KAKAVIJË- Situatë e rënduar dhe radhë e gjatë në Stacionin e Policisë Kufitare të Kakavijës. Megjithëse si nga pala greke, ashtu edhe ajo shqiptare është punuar me një numër të madh sportelesh, prania fillimisht e një numri mjaft të madh autobusësh ka bërë që të shtohen automjetet në pritje për t'u larguar drejt Greqisë, të cilat pas mesditës e deri rreth orës 15.30, kanë arritur një gjatësi prej 1.5 kilometrash. Temperaturat mjaft të ulëta, të shoqëruar nga reshje dhe mjegull e dendur kanë ndikuar më tepër në rëndimin e situatës.
Situata
Informacionet e marra në këtë pikë kalimi kufitar tregojnë se problemet janë krijuar gjatë orëve të mesditës dhe pikërisht në kohën kur u është dhënë përparësi kalimit në territorin grek, autobusëve të pasagjerëve, duke lënë disi mënjanë automjetet e vogla. Qysh prej orës 08.00 e deri në mesditë, janë përpunuar kryesisht autobusë, numri i të cilëve ka qenë i konsiderueshëm, gjithsej 44, ndërsa ora 13.00 (me orën e shtetit grek) shënon edhe orarin e ndërrimit të turneve. Të gjitha këto shkaqe kanë bërë që radhët të krijohen të gjata dhe emigrantët të ishin në pritje për më shumë se dy orë. Gjendja ka qenë e njëjtë për më shumë se dy orë me radhë, megjithëse nga pala shqiptare është punuar me ritme të shpejta. Elton Papa, komandanti i Stacionit të Policisë Kufitare të Kakavijës ka theksuar se situata e krijuar ditën e djeshme konsiderohet normale, kur lëvizjet janë të mëdha. Në një prononcim për "Shekulli" Papa është shprehur se "aktualisht pala shqiptare është duke punuar me 8 sportele në dalje, ndërsa nga pala greke është duke u punuar me 7 sportele, të cilat janë të mjaftueshme. Në rast se do të ketë nevojë, kemi në dispozicion edhe pesë sportele të tjera. Vetëm gjatë 14 orëve të fundit nëpërmjet Kakavijës janë larguar drejt shtetit grek rreth 4500 emigrantë dhe 1300 automjete, çka tregon se fluksi i lëvizjeve është i madh". Megjithatë pas orës 15.00 situata ka ndryshuar, e njëjta gjendje pritet edhe përgjatë ditës së sotme (e diel).
Emigrantët
Shumica e emigrantëve që kanë nxituar drejt shtetit grek për t'iu kthyer punës e shkollës kanë qenë të detyruar të presin. Por pritja në tokën shqiptare, e pasuar edhe nga ajo në territorin grek deri në vulosjen e të gjithë dokumenteve, ka bërë që emigrantët shqiptarë që kthehen në Greqi pas festave të fundvitit të ndihen të lodhur, të mërzitur e të zhgënjyer. Ndërkaq, nuk kanë qenë të pakta edhe ankesat në lidhje me ecurinë e punës në të dy kahet e kufirit, si në atë grek, ashtu dhe në atë shqiptar. "Kemi tri orë që presim këtu me fëmijë në makinë. Ftohtë bën, ushqime nuk kemi me vete, këtu tualete nuk ka",- është shprehur Alfredi nga Berati. Ndërkohë, një tjetër emigrant nga Kukësi ankohet se pos rrugës së gjatë që nga qyteti i lindjes, i duhet të presë pafund edhe në doganë. "Po presim tash dy orë, po ka pasur edhe raste më të mira e më të këqija. Po nuk është problemi se po presim vetëm këtu, kemi udhëtuar qysh nga Kukësi e jemi duke shkuar në Athinë. Nuk themi gjë, se nuk na pyet kush",- thotë ai. "Malli për t'u kthyer në vendlindje është shumë i madh, por duhet të vuajmë gjithmonë sa herë vijmë për festa në Shqipëri",- thotë Donika nga Vlora.
Gjithsesi sipas autoriteteve të pikës së Kakavijës, momenti i hyrjes në Greqi është mjaft i komplikuar dhe procedurat të zgjatura, pasi kemi të bëjmë me hyrje në një vend të Bashkimit Europian. Përgjatë këtyre ditëve të para, kanë lënë Shqipërinë nëpërmjet Kakavijës rreth 30 mijë emigrantë.
Ndihma mjekësore
Qysh prej datës 10 dhjetor të vitit të kaluar, në Kakavijë vazhdon të qëndrojë e instaluar për 24 orë me radhë një autoambulancë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit rajonal 'Omer Nishani', të cilët janë në dispozicion të emigrantëve deri në përfundimin e afatit zyrtar për lëvizjen e lirë të emigrantëve, që është data 31 janar.Por, deri tani problemet shëndetësore të vërejtura kanë qenë të vogla.