Vlorë, sot mitingu paqësor kundër Petroliferës
Policia jep lejen për mitingun madhështor të AMGj-së kundër veprave me bazë nafte në Vlorë
Parulla dhe makina me altoparlant që ftojnë qytetarët në miting. Aleanca: Duam Vlorën, duam jetën!
Vlorë-Miting madhështor, paqësor, por i vendosur kundër ngritjes së Petroliferës. Këtë premtojnë drejtuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, duke ftuar gjithë qytetarët në protestën e përgatitur. Sipas drejtuesit të AMGJ-së, Rezart Aliaj, policia ka dhënë leje për zhvillimin e mitingut, që synon të mbledhë mijëra vetë në orën 11.00, pranë kampit të punëtorëve në Vlorë. Marshim, që do të nisë këtu, për t'u spostuar drejt vendit ku po ngrohen veprat me bazë nafte.
Ftesa
Një ditë para mitingut Aliaj fton gjithë të interesuarit për mbrojtjen e Vlorës të mos qëndrojnë indiferentë, por me pjesëmarrjen e tyre të thonë fjalën vendimtare kundër ndotjes dhe rrënimit të qytetit bregdetar. "Ne i bëjmë thirrje qytetarëve të Vlorës, studentëve, të gjithë atyre që e duan Vlorën turistike, që të mblidhen ditën e diel (sot), në orën 11.00, pranë kampit të punëtorëve",- tha dje Aliaj gjatë një konferencë për shtyp. Sipas tij, pjesëmarrja është fjala 'JO' për veprat e vdekjes me bazë nafte. Ai ka shprehur bindjen se Vlora dhe qytetarët e saj, e jo vetëm e kanë treguar veten se dinë të mbrojnë jetën. "Qytetarët do të jenë me ne, për t'i thënë "jo" veprave të naftës, të cilat do të na vdesin ne, fëmijët tanë si dhe do të shkatërrojnë këtë qytet të bukur",- tha ai, duke iu drejtuar nënave, studentëve, politikanëve e pensionistëve, që të renditen në mbështetje të mitingut paqësor. "Jo" Petroliferës dhe pro referendumit do të jetë motoja e mitingut",-sqaron Aliaj, duke shtuar se çështja e Vlorës, është një çështje që del mbi individin. Për këtë, sipas tij, duhet treguar se partia më e madhe është Vlora dhe bindja më e madhe është ajo pro jetës.
Përgatitjet
Aleancistët janë të mirorganizuar për të bërë mitingun e së dielës (sotëm). Ai premtohet madhështor dhe me lejen e policisë së qarkut Vlorë. Gjithçka pas kërkesës që AMGj i ka bërë për një miting konform të gjitha rregullave dhe ligjeve shqiptare. Aleancistët në tërë Vlorën kanë shkruar shumë parulla ku spikasin ato për thirrjen për mitingun paqësor. Në gjithë qytetin lexon parulla të tilla: Rezistencë Referendum; Zgjohuni vlonjatë o Sot o Kurrë; Larg Petrolifiera nga Vlora etj. Këto sipas organizatorëve janë ftesa e parë për qytetarët. Krahas këtyre, gjatë gjithë ditës dje kanë dalë nëpër rrugë makina me altoparlante e foni, ku u bëjnë thirrje vlonjatëve që të mblidhen e të mbështesin AMGJ-në, për t'i thënë jo njëherë e mirë Petrolifierës në qytetin e Vlorës. "Në disa akse të qytetit, aleancistët në mbështetje të protestë-mitingut kanë vënë në dispozicion të qytetarëve rreth 8 autobusë për të bërë të mundur marrjen e qytetarëve dhe dërgimin drejt vendit ku do të bëhet mitingu paqësor",- sqarojnë burimet. Sipas tyre, aleancistët së bashku me popullin e Vlorës do të nisin protestën tek vendi i quajtur kampi i punëtorëve, për të marshuar më tej paqësisht drejt bazave ku po ndërtohen dy veprat me bazë nafte, ajo e Petroliferës si dhe tek vendi ku po ndërtohet TEC-i