E Hënë, 2 Nëntor 2026

Postat shqiptare, si dërgohen pakot ekspres

13/03/2005  Tarifat EMS

Zona 1 - 3000 – 13.500 lekë

Zona 2 - 3600 – 16.500 lekë

Zona 3 - 4200 – 20.250 lekë

Zona 4 - 6000 – 30.705 lekë

Zona 1 - mbi 20 kg, 9.800 lekë

Zona 2 - mbi 20 kg, 12.300 lekë

Zona 3 - mbi 20 kg, 22.400 lekë

Tarifat DHL

Zona 1 - 37–189 euro

Zona 2 - 39–195 euro

Zona 3 - 40–221 euro

Zona 4 - 44–231 euro

Zona 5 - 46–238 euro

Zona 6 - 50–256 euro

Koliposta

500 mijë pako në vit

Letrat në Evropë për tri ditë

EMS dhe "Koliposta", e vetmja mënyrë për të konkurruar privatët, janë çmimet e favorshme

Një e treta e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit, duke lënë në Shqipëri familjet, kontakti me të cilat nuk është vetëm nëpërmjet telefonit, por dhe pakove që shkojnë e vijnë çdo ditë. Deri para disa vjetësh, dhuratat, letrat, porositë e familjarëve i besoheshin Albpostës dhe shërbimeve të saj postare. "Koliposta" dhe EMS, shërbimi i shpejtë postar, vazhdojnë të qëndrojnë në linjë, edhe pse konkurrenca ka bërë që të humbasin disa pikë në treg. Por, tashmë mund të thuhet me siguri se me rreth 1 milion emigrantë në të gjitha anët e botës, postat e shpejta në Shqipëri e kanë punën e sigurtë. Mes tyre, shërbimi i shpejtë postar shqiptar që vazhdon të ketë 100 për 100 aksionet shtetërore, vazhdon të ketë një pozitë të favorshme falë dhe çmimeve pak më të ulëta se shoqëritë e tjera private. Në statusin e Postës Shqiptare, thuhet shprehimisht se detyrimet e saj ndaj klientit, janë të sigurojë në të gjithë territorin e vendit ofrimin e shërbimit bazë postar, konform orientimeve të Komunitetit Evropian, akteve të bashkimit postar të përbotshëm (UPU) Operatori publik postar, duke vlerësuar përmbushjen e detyrimeve të shërbimit universal, synon ofrimin e një game të shumëllojshme shërbimesh postare, financiare, që janë jashtë zonës së shërbimeve të rezervuara, duke konkurruar denjësisht në tregun postar dhe duke u kujdesur për ekuilibrin ekonomik dhe rentabilitetin e saj, me qëllim maksimizimin e vlerës së kompanisë. Pikërisht për këtë qëllim, brenda Postës Shqiptare është shërbimi i "Kolipostës" dhe ai i shpejtë postar EMS.

Posta Shqiptare ka trafikun më të lartë të shkëmbimeve me vendet ku emigrantët shqiptarë janë përqendruar më shumë. Posta Shqiptare ka pasur mundësi të bëjë dërgesat postare nga Shqipëria dhe për në Shqipëri nga e gjithë bota, që nga nënshkrimi i marrëveshjes së vitit 1922, kur është bërë edhe anëtare e Bashkimit Postar të Përbotshëm. Trafiku më i madh është me vendet ku ka përqendrim më të madh të emigrantëve shqiptarë. Në listën e shërbimeve të veta, EMS-ja ka dërgesat e thjeshta, ku futen zarfet, letrat rekomande, dërgimi i paketave dhe kolive deri në 20 kg. EMS-ja ka deklaruar se kryen shërbim të shpejtë postar me 130 vende të botës, duke premtuar se brenda Evropës zarfet mbërrijnë brenda tri ditëve. Gjatë vitit 2003, Posta Shqiptare ka nxjerrë jashtë Shqipërisë një dërgesë totale prej 86.927 kg dhe ka sjellë në Shqipëri një sasi totale dërgesash prej 245.249 kg.

"Koliposta", pakot e mëdha me çmime të ulëta

Postat e shpejta ngrenë supet kur bëhet fjalë për pako më të rënda se 20 kg. Pikërisht këtu hyn në lojë "Koliposta", që ka marrë përsipër të shkelë dërgesat e emigrantëve ose të dërgojë ato të shqiptarëve në 130 vende të botës. Duket se emigrantët pëlqejnë më shumë "Kolipostën", pasi tarifat për të dorëzuar pako të mëdha, që e kalojnë vlerën e 20 kg, për të cilat paguan “qimet e kokës" në postat e shpejta, te "Koliposta" janë shumë më të arsyeshme. Por dhe rreziqet janë brenda çmimit. Kështu nga të dhënat e 2003-shit, del se nga rreth 500 mijë pako që Posta e Shqipërisë ka qarkulluar, ka pasur rreth 67 raste të dhunuara. Sipas deklaratës doganore, "të gjitha paketat duhet të kenë vulën CN22, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të deklarohet malli dhe, nëse është konstatuar ndonjë vjedhje malli gjatë dërgesës së pakos, mund të kthehet në destinacionin fillestar, duke kërkuar rimbursimin e përfituesit. Ndërsa, kur pakoja vjen pa këtë lloj pulle, nuk është e sigurt që klientit t’i kthehet malli që i është adresuar, sepse dërguesi nuk ka deklaruar mallin përpara se ta postojë ose ka deklaruar një mall tjetër për tjetër”.

Çfarë nuk lejohet të postohet

• Ndalohen sendet për të cilat i është ndaluar importimi apo qarkullimi në vendin e destinacionit.

• Ndalohen monedhat, biletat e bankave, çeqet e udhëtimit, ar, sendet e çmuara.

• Ndalohen dërgimet e shërbimeve postare ose marrjen në dorëzim të atyre kolive që përmbajnë sende, të cilat nga natyra e tyre paraqesin rrezik lidhur me shëndetin e njerëzve, si lëndë narkotike, djegëse, radioaktive, plasëse, helmet etj., si edhe literaturat pornografike.

• Ndalohen kolitë, ku për natyrën e tyre përmbajnë lëndë që prishen shpejt dhe që nuk u rezistojnë kushteve të transportit.

• Ndalohet futja e shtypshkrimeve, e njoftimeve dhe dokumenteve që kanë karakter aktual dhe personal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›