E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarjet serioze nga e vërteta historike e themelimit të PKSH

Nga Dr. Vasfi Baruti

Mbi librin “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe themelimi i Partisë Komuniste Shqiptare 1878 – 1941” të Prof. Dr. Kristo Frashëri

Do kalojnë 40 vjet nga dita e themelimit të PKSH që Enver Hoxha të shkruajë librin “Kur lindi Partia” dhe jo më të hedhë dritë për këtë ngjarje, por mbolli më shumë errësirë, veçse kur protagonistët e ngjarjes historike i kishte çuar atë botë. Do kalojnë 25 vjet të tjera që Akademia e Shkencave, me autor Prof. Kristo Frashëri, të shkruajë veprën e vëllimshme dhe të ndriçojë për herë të parë të majtën shqiptare që me socializmin romantik të Abdyl Frashërit e të tjerëve më pas, por themelimi i Partisë Komuniste Shqiptare, pjesa themelore e veprës, mbeti mbuluar me tjetër mister, me shkarje serioze nga e vërteta historike përkundër burimeve arkivore!

Data e themelimit: politizimi, përlavdërimi, e vërteta!

Prof. Frashëri ka bindje, se “Mbledhja Kushtetuese e themelimit të Partisë u mbajt në shtatë ditë, nga 8 deri 14 nëntor 1941” dhe kuptohet se burim të parë e të vetëm ka Historinë e PPSH (1968), për të cilin s’ka asnjë dyshim nga historianët tanë e të huaj. ǒshkruhet në burime të tjera të pacituara ndonjëherë, për të parë ku fle e vërteta.

Editoriali i Bashkimit, i 8 nëntorit 1946, në pesëvjetorin e themelimit të partisë për herë të parë jep kujtime të ditës së themelimit të partisë e s’vihet në dyshim se autori është Enver Hoxha: “Më 8 nëntor formohet Partia Komuniste Shqiptare...dhe u larguam duke çarë errësirën e natës”, që do të thotë se mbledhja themeluese filloi e mbaroi natën e “8” nëntorit. Në “Autobiografi e shkurtër e Enver Hoxhës” (1947) Enveri shkruan: “Më 8 Nëntor 1941...mblidhet në Tiranë Konferenca e I e grupeve komuniste...dhe u formua Partia Komuniste Shqiptare”, dhe mbledhjen e grupeve komuniste nuk e çon përtej 8 nëntorit. Historiani i njohur Ndreçi Plasari në librin “PKSH organizatore e fitoreve historike të popullit shqiptar në luftën Nacionalçlirimtare” (1964) vjen me përfundimin e saktë: “Mbledhja e parë e grupeve komuniste në Shqipëri për krijimin e partisë u hap më 4 nëntor 1941 në ilegalitet të thellë në Tiranë” dhe në fund të faqes bën shënim: “Deri tani dihet me saktësi vetëm dita e mbarimit të mbledhjes, natën e 8 nëntorit 1941. Dita e fillimit të saj akoma nuk është përcaktuar përfundimisht. Nga kujtimet e pjesëmarrësve [në mbledhje] dihet vetëm se ka zgjatur rreth 4-5 ditë.” Autori, nëndrejtor i Institutit të Studimeve ML, nuk mund të mos kishte në dorë burime të besueshme për datën 4 nëntor. Në Dokumente Kryesore të PKSH (1960) në parathënien e botimit të Rezolucionit të mbledhjes së grupeve për themelimin e partisë saktësohet: “Mbledhja e grupeve kryesore komuniste zgjati rreth pesë ditë, duke mbaruar në orët e vona të natës, më 8 nëntor 1941.” Panajot Plaku në libri “Dhuna kundër revolucionit në Shqipëri” (1965) shkruan: “Mbledhja e grupeve komuniste filloi më 4 nëntor 1941 dhe përfundoi natën vonë, më 8 nëntor.” Burimet e cituara nuk mund të mos jenë pika referuese për kohën e themelimit të partisë.

Përderisa në Historia e PPSH dhe botime të tjera më pas është shkruar, se që ditën e parë të mbledhjes së grupeve komuniste u vendos themelimi i partisë, atëherë pa pikë dyshimi 4 nëntori është data e themelimit të partisë. Në librin Kur lindi Partia Enveri shkruan, se dita e mbledhjes së grupeve komuniste për themelimin e partisë ishte vendosur 7 nëntori (Revolucioni i Tetorit) dhe që të mos bashkoheshin dy ngjarje të mëdha në një ishte marrë parasysh(?) mendimi i tij që mbledhja të “bëhej” më 8 nëntor dhe është kjo arsye që nga 4 nëntori mbledhja themeluese spostohet më 8 nëntor. Për të ardhur në përfundimet: dita e themelimit të Partisë Komuniste është 4 nëntori; “saktësimi” i 8 nëntorit bëhet për arsye politike; “zhvillimi” i punimeve të mbledhjes themeluese më 8-14 nëntor, për shtatë ditë-netë bëhet për t’i dhënë mbledhjes rëndësinë e “Mbledhjes Kushtetuese”, “Konferencë Kushtetuese” a “Kongres Partie”.

Mbledhja themeluese: “Konferencë Kushtetuese?!

Një përfundim i rëndësishëm i Profesorit: “Të gjitha bisedimet e përfaqësuesve të tri grupeve komuniste pjesëmarrëse dhe ndërhyrjet e dy emisarëve jugosllavë që aty morën pjesë, së bashku me vendimet e mbledhjes u regjistruan në trajtën e procesverbaleve të shkruara kryesisht nga dora e Qemal Stafës, mbushnin tri fletore rreth 100 faqe secila.”

“Në lidhje me fletoret e procesverbaleve të Mbledhjes Themeluese të Partisë Komuniste, në akt-padinë [fashiste] thuhet: Në banesën e Zef Ndojës u gjetën tri fletore “të shkruara me dorë, që përmbajnë procesverbalet e mbledhjeve që çuan në shkrirjen e grupeve të ndryshme në një parti të vetme komuniste.” Dhe “Në një vend tjetër të akt-padisë thuhet, se ato fletore duket janë shkruar me dorën e Qemal Stafës.” Me përfundimin kryesor se mbledhja themeluese vlerësohet punë serioze dhe e dokumentuar mirë.

Thërres për ndihmë të njëjtin burim arkivor (të kuesturës) që i referohet autori dhe ato tri fletore të kapura nga fashistët kanë tjetër përmbajtje nga sa jepet nga autori në vepër. Burimi arkivor: “Pako nr. 1. Përmban tri fletore, në pjesën më të madhe të shkruara me dorë nga i njohuri Qemal Stafa, vrarë në luftë më 5 maj, me procesverbale të seancave, në të cilat, në nëntor të vitit të kaluar, Komiteti Qendror i Partisë [komuniste] ka bërë një shqyrtim retrospektiv të lëvizjes komuniste në Shqipëri deri në kohën e sipërthënë.” Faksimile 1. Dhe s’duket asnjë shenjë me 100 faqe secila fletore dhe ato “rreth 4-5 ditë” me mbledhje pas 4 nëntorit, siç shkruan Ndreçi Plasari, apo shtatë ditë-netë mbledhje (8-14 nëntor), siç shkruan Prof. Frashëri dhe Historia e Partisë, janë diskutime për retrospektivën historike të lëvizjes komuniste para themelimit të partisë dhe aspak me diskutime e vendime të mbledhjes themeluese. Dhe kësisoj, ç`bëhen ato 50 faqe me histori për “çka” u diskutua e vendos më 8 deri 14 nëntor! I vetmi burim i mbetur arkivor e me besueshmëri të lartë është raporti interesant i Miladin Popoviçit në mbledhjen themeluese të partisë, por në vepër ai trajtohet fare pak dhe aspak për pjesë të qenësishme të tij, si organizimi i partisë etj., dhe në shtojcën e dokumenteve, në fund të veprës, raporti i Miladinit jepet gjysmak. Mjaft me vlerë është letra e Koço Tashkos që i dërgon Kominternit, por Prof. nuk i referohet asnjëherë dhe s’është as në shtojcën e dokumenteve në fund të veprës tij!

Miladin Popoviçi në letrën që i dërgon Koço Tashkos në vjeshtë 1942 (në përgjigje të kritikave e akuzave që Tashko i dërgoi Kominternit kundër Miladinit, po atë vjeshtë), i shkruan: “... unë s’të kam dhënë sigurinë se asht djegë dorëshkrimi i proces verbalit, se ajo çështje ka qënë në duert e K.Q. të përkohshëm. Në fakt, unë kam propozue me e djegë, ndërsa K.Q. i përkohshëm pat vendosë të ruhet (e sikur të ishte ruejtë, do të kishte patë një rëndësi e vlerë të madh.)” Faksimile 2. Miladini, edhe pse me gjuhën e Ezopit, e thotë hapur se procesverbali i themelimit të partisë është djegur dhe urdhërdhënësi është Miladini vetë. Dhe i jepet fund “sigurisë” së historianëve, se procesverbali i mbledhjes themeluese kapej nga fashistët dhe ruhet sot në arkivat e Romës!

Për themelimin e partisë i referohem kujtimit të E. Hoxhës, i 8 nëntorit 1946: “Shoku [Miladini] që do të na flasij...Na shikoi njëherë në fytyrë, pastaj filloi të shpjegojë në hollësi gjendjen e vendit tonë... I mba mend mirë ato çaste. [Ai tha]... Sot tërë fuqit e rezistencës bashkohen dhe formojnë Partinë Komuniste Shqiptare. Ju jini anëtarë të kësaj partie. Çasti qe i prekshëm...U larguam duke çarë errësirën e natës. Gjatë rrugës flisja me vehte. Jam anëtar i Partisë Komuniste ...Jam anëtar i Partisë Komuniste.” Deklarimi i themelimit të partisë bëhet nga Miladini e jo nga Enveri, mbledhja e grupeve ishte një akt themelues dhe delegatët largoheshin në errësirën e po asaj nate dhe jo siç thuhet se mbledhja vazhdoi shtatë ditë pa ndërprerje. Në autobiografinë e tij, për themelimin e partisë Enveri shkruan vetëm kaq: “Më 8 Nëntor 1941, nën terrorin më të madh të armikut mblidhet në Tiranë Konferenca e Parë e grupeve. Enveri ishte delegat i grupit të Korçës. Në mes të shokëve të tjerë ndodheshin Qemal Stafa, Koçi Xoxe, Kristo Themelko, Tuk Jakova, Vasil Shanto etj. Pas diskutimesh për të sqaruar pikëpamjet e gabura, u formua Partia Komuniste Shqiptare dhe nga Mbledhja doli Komiteti Central Provizor i Partisë. Të gjithë grupet u shkrinë.”

Në kujtimet dhe autobiografinë e Enverit shihet se nuk ka asnjë shenjë ngarkese me diskutime e debate. Miladini në raportin në mbledhjen themeluese të partisë paralajmëron e kërcënon: “...D.m.th., duhet me i hjekë nga fjalori fjalët Koçollarë, Zefistë, Lulistë (këto fjalë janë të huaja për partinë e proletariatit.) Çdo shok, të cilit, në çdo rrethanë qoftë, i hyjnë në vesh të tilla shprehje dhe mbiemnime duhet të vejë në dijeni shokët në celulë ose në Komitet. Ata njerës që vazhdojnë me gërmue dhe me zhbirue, duhet të likujdohen dhe të përjashtohen pa mëshirë.” Miladini iu vinte kufirin te thana delegatëve që shikonin me sy të zinj Tashkon, Malën e Lulën për pikëpamjet antimarksiste të tyre, ku edhe priteshin diskutime e debate.

Fletë procesverbalesh false të “Mbledhjes Kushtetuese”!

Prof. Frashëri shkruan gjatë për “Dy fletë të procesverbaleve të humbura. Ato kanë arritur në ditët tona të përkthyera nëpërmjet një [proces]verbali të policisë fashiste. E dhamë pak a shumë të plotë këtë pjesë të procesverbalit të Mbledhjes Kushtetuese të zhvilluar më 8 nëntor 1941.” Siç shihet në faksimile, procesverbali mbahet direkt me makinë shkrimi (!) dhe fillon me dy rreshtat: “Stralcio del quaderno nr. 1, contenente e verbali delle sedute del Comitato Centrale del Partito Comunista.” [“Shkëputje (marrë) e fletores nr.1 e përmbajtjes së procesverbalit të mbledhjes së Komitetit Qendror të Partisë Komuniste.”] Faksimile 3. Pse pikërisht në italisht? Siç shihet, janë heq hequr dhe tri paralele: midis të parës e të dytës lexohet: “Filluem më 8 Nanduer 1941. Proces verbale. Punëtorë 8, Intelektualë 7.”, dhe midis paraleles dytë e të tretë: Shpuza. Nga ta dinte procesverbalmbajtësi se janë 8 punëtorë dhe 7 intelektualë, kur E. Hoxha në kujtimet e cituara më parë shkruan, se “ne nuk njihnim njëri- tjetrin” dhe nga e mësoi ai se diskutantët do të flisnin edhe për [Selim] Shpuzën (ish-anëtar i G. Korçës që më pas kooptohet në udhëheqjen e Grupit të Zjarrit), kur diskutimet nuk kishin filluar? Jepen shkurt diskutimet që fillojnë me Tuk [Jakova] e përfundojnë me Xoxe e s’mund të gjykohet, nëse janë ose jo të vërteta. Procesverbali në fund mban vulën e Kuesturës, kur vulosja e dokumenteve të kapura nuk ishte praktikë pune e kuesturës!

Kryearkivisti i Arkivit të Partisë, për këto dy fletë “procesverbali” i raporton eprorëve: “...Kopjet e riprodhuara në shqip e italisht me vulën e Kuesturës fashiste të Tiranës, të datave 8 e 12 nëntor 1941, kuptohet se janë riprodhuar e përkthyer në italisht e shqip nga vetë origjinali (shqip) që u zu në bazën e Zef Ndojës në Tiranë. Origjinalet mungojnë. Vlash Çepeliku 8 maj 1969.” [AQSH] Përfundimi është i qartë, se ato dy fletë procesverbale nuk janë origjinale e ku i dihet, kur e nga cili/a dorë bëhej mistifikimi, veçse s’vihet në dyshim, se është selia qendrore e partisë. Një gjë dihet mirë: ato dy fletë “procesverbale” janë sajuar për t’i patur si argument se “Mbledhja Kushtetuese” ka filluar më 8 nëntor e vazhdonte deri më 12 nëntor, si duket harrojnë të sajojnë një fletë procesverbal për 14 nëntorin, dita e mbarimit të mbledhjes themeluese! Profesori ngatërrohet keq, kur mbështetet në dy procesverbale false e me merak i trajton si origjinale për argumentin, se “Mbledhja Kushtetuese” vazhdoi 8-14 nëntor e mbi këtë bazë “rindërtohen” diskutime e debate, detyra e vendime të “mbledhjes kushtetuese” që të gjitha historira me burime asfare të sigurta!

PKSH, e themeluar nga shqiptarët apo dy komunistët jugosllavë?

Një debat i vjetër. Në Konferencën e parë të Vendit (mars ’43) komunistët shqiptarë falënderonin dy komunistët jugosllavë (Miladin-Mugosha) për ndihmën shumë të madhe në themelimin e partisë, sa njiheshin themelues të saj. I pari Mehmet Shehu shpalli (1949) se Enver Hoxha ishte themeluesi i Partisë, pas tij çuçuritjet vesh më vesh të protagonistëve të ngjarjes se themelues nuk ishte Enveri, bombën e plasi Tuk Jakova (1952), i cili doli hapur se Partinë e themeloi jo Enveri, por Miladin Popoviçi, i cili meritonte nderimin e vërtetë në muzeun e luftës. Mjaftoi kaq për likuidimin e tij politik (1955). Në Titistët e Kur Lindi Partia, Enveri mbron tezën se Partinë Komuniste e themeluan komunistët shqiptarë dhe dy komunistët jugosllavë nuk kishin asnjë rol në themelimin e partisë. Ndërsa Prof. Frashëri në veprën e tij del me një tezë të re: Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha nuk ishin përfaqësues të PKJ në themelimin e partisë (Enveri i njihte të tillë), por përfaqësues të paanshëm të deleguar të Kominternit në mbledhjen e grupeve për formimin e PKSH dhe mbron fort tezën, se partinë e formuan komunistët shqiptarë dhe në këtë pikë bëhet njësh me E. Hoxhën.

Pika më e “fortë” e Prof. Frashërit, se Miladini ishte i dërguari i Kominternit: “Miladini mbajti referatin në mbledhjen e themelimit të partisë...Referati është tepër interesant, për faktin se ai, Miladin Popoviçi, ka respektuar misionin, me të cilin ishte ngarkuar për të folur dhe për të vepruar si përfaqësuesi i Kominternit dhe jo i Partisë Komuniste Jugosllave. Që nga fillimi e deri në fund të referatit, ai flet vetëm për mësimet e marksizëm-leninizmit, rreth rolit të Partisë Komuniste dhe të parimeve të saj organizative. Në këtë referat emrin e PKJ natyrisht ai nuk e ka zënë asnjëherë në gojë.” Sa e vërtetë është se Miladini në raport nuk e ka zënë asnjëherë në gojë emrin e PKJ dhe se është përfaqësues i kësaj partie, po kaq e vërtetë është edhe fakti, se Miladini në raport nuk e ka zënë asnjëherë në gojë se është përfaqësues i Kominternit dhe i dërguari i tij në mbledhjen themeluese dhe dy të vërtetat s’mund të ndahen, ndaj dhe nuk qëndron argumenti i profesorit.

* Ribotim i materialit të publikuar në TemA në korrik të vitit 2007

(Vijon në numrin e ardhshëm)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›