E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klandestinët dentarë zaptojnë tregun shqiptar

Autori i Lajmit: red.
Kontrollet kanë konstatuar se një numër i konsiderueshëm subjektesh dentare të huaja punojnë në vendin tonë pa pasur licencë për aktivitetin e tyre. Lajmi konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë. “Te ne është një numër i madh laborantësh të huaj që vijnë për të punuar në Shqipëri dhe nuk janë të pajisur me dokumentacionin përkatës", - konfirmoi specialistja e Shëndetit Dentar në Ministrinë e Shëndetësisë, Çiljeta Pasholli. Më tej ajo theksoi se për këto subjekte do të merren masa drastike deri në mbylljen e aktivitetit të tyre. Sipas Pashollit, nuk do të lejohet më ushtrimi i këtij profesioni në mënyrë klandestine. Aktualisht inspektorati po bën verifikimin e të gjithë subjekteve dhe do të marrë masa te ashpra, nëse nuk plotësojnë kriteret e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe ato që parashikohen në rregulloren e shëndetit oral. Sipas të dhënave nga MSH-ja, penalizimet e para ndaj subjekteve të tilla janë kryer në qytetin e Burrelit dhe të Tiranës, por problematik për shërbimin dentar konsiderohet edhe qyteti i Lezhës. Në kuadër të të gjitha reformave që po ndërmerren në sistemin shëndetësor, një projektligj i ri për shërbimin stomatologjik u diskutua të hënën në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, i cili do t i shërbejë mirorganizimit të këtij shërbimi në sektorin publik. Sektori i Shërbimit Dentar ka vendosur që të ushtrohen kontrolle intensive. Sipas Pashollit, në vendin tonë ka vetëm 36 subjekte të huaja të licencuara. Ajo tha se Ministria e Shëndetësisë po përgatit një hartë në rang vendi për evidentimin e të gjithë subjekteve që i takojnë sektorit stomatologjik. Deri më tani në Shqipëri ushtrojnë aktivitet mbi 725 klinika dentare private, 410 prej të cilave gjenden në Tiranë.
Ky lajm është publikuar: 27/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›