E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi vlerëson mbwshtetjen e Hungarisë

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, vlerëson ndihmën e spikatur shumëplanëshe që Hungaria u ka dhënë proceseve integruese euro-atlantike të Shqipërisë. Këto vlerësime të Kreut të Shtetit janë shprehur gjatë takimit që ai zhvilloi me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Hungarisë, Gjeneral Havril Andras, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë. Duke uruar për 160-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura të Hungarisë, Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona, si dhe theksoi se vizita të tilla i shërbejnë rritjes dhe intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale në nivelet më të larta. Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për ratifikimin nga ana e Hungarisë të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, për njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe për gatishmërinë e palës hungareze për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes së integrimit tonë të plotë në NATO. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Hungarisë, Gjenerali Havril Andras, vlerësoi përparimet e FA shqiptare për arritjen e objektivave integruese në strukturat euro-atlantike. Gjeneral Andras shprehu gatishmërinë e palës hungareze për të ofruar ndihmën e nevojshme me qëllim zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve tradicionale mes dy vendeve.
Ky lajm është publikuar: 27/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›