E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS kërkon zhbllokimin e hetimeve

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste ka kërkuar edhe dje në Kuvend zhbllokimin e hetimeve për tragjedinë e Gërdecit. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, pohoi se ka kaluar një muaj që nga koha që Prokuroria ka depozituar kërkesën për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut lidhur me tragjedinë e Gërdecit. “Ne kemi mirëkuptuar dhe respektuar arsyet njerëzore që e shtynë për 10 ditë punën e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, por ka ditë që Mediu është kthyer dhe Kuvendi nuk ka asnjë informacion çfarë po ndodh dhe pse nuk po mblidhet këshilli. Ne jemi të shqetësuar, pasi janë një sërë çëshjesh që lidhen me Gërdecin, mënyra e trajtimit të të cilave tenton të lërë në heshtje deri në harresë tragjedinë”, - tha Leskaj. Numri një i deputetëve socialistë sqaroi se kjo vonesë po ndodh me shqyrtimin e kërkesës për imunitetin, me nismën e depozituar nga grupi parlamentar i PS-së, me procedurë të përshpjetuar për kompensimin e të dëmtuarve të Gërdecit që në fakt nuk po bëhet as me procedurë normale dhe, natyrisht, me mosardhjen e Kryeministrit në raport dhe me mënyrën sesi po anashkalohet kjo ngjarje. “Ju duhet të informoni Kuvendin kur do të kemi raportin e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për këtë çështje”, - theksoi Leskaj. Të njëjtën kërkesë ka bërë paraditen e djeshme edhe nënkryetari i deputetëve socialistë, Erion Braçe. Madje, ai ka ashpërsuar tonet duke pohuar se kryeministri Sali Berisha ka bllokuar hetimet. “Sot jemi një muaj më pas dhe qëllimisht nën interesin e drejtpërdrejtë, presionin po të tillë të Sali Berishës në Kuvend, nuk është kryer asnjë veprim procedural, ndërkohë që është bërë çdo veprim burokratik për të penguar drejtësinë të ndëshkojë ligjërisht. Pasoja e këtij veprimi të qëllimtë nuk është thjesht stopimi i hetimeve, por mbi të gjitha, e shprehur në faktin tejet provues: për vjedhje skrapi janë arrestuar deri tani 20 vetë, kurse për vrasjen e 26 personave e plagosjen e 26 vetave e 330 të tjerëve, janë arrestuar vetëm 3 vetë”, - theksoi ai. Socialistët kritikojnë edhe kryeparlamentaren Topalli, duke e akuzuar se po ndjek linjën e Qeverisë për fshehjen e krimit shtetëror duke mos kaluar nismën ligjore për kompensimin financiar.

Ky lajm është publikuar: 27/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›