E Shtunë, 31 Tetor 2026

“No smoking”, apel i ri i shëndetësisë

Autori i Lajmit: red.
Zbatimi i ligjit njëvjeçar "Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit", duket se nuk ka gjetur zbatimin e shumëpritur. Sipas rezultateve, ligji ka hasur pengesa si në bashkëpunimin me qytetarët ashtu dhe në bashkëpunim me organet e pushtetit qendror dhe atij vendor. Burime nga MSH-ja raportojnë se policia bashkiake dhe komunare gjatë 2007-ës nuk kanë respektuar detyrimet ligjore, në marrjen e masave parandaluese, më konkretisht në vendosjen e gjobave. Një vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë konstatojnë rënie të numrit të qytetarëve duhanpirës, rritjen e numrit të qytetarëve që vendosin të lënë duhanin, minimizimin e reklamave mediatike dhe televizive për produktet e duhanit, si dhe vendosjen në çdo ambient zyrtar, publik e privat të tabelave dhe njoftimeve antiduhan. Por në të njëjtën kohë, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në katërmujorin e parë të 2008-ës janë zhdoganuar 1.141 ton cigare duke shënuar kështu një rritje prej 258 tonë më shumë se sasia e zhdoganuar gjatë periudhës janar-prill 2007 (883 tonë), ose 29% më shumë. Sipas të dhënave të MSH-së, futja në fuqi e ligjit bëri të mundur heqjen e reklamave të duhanit, të cilat, sipas të dhënave nga MASH-ja, ndikojnë 14% në rritjen e numrit të duhanpirësve. Gjithashtu, me hyrjen në fuqi të këtij ligji u vendosën për herë të parë në çdo paketë sigla paralajmëruese në gjuhën shqipe, që zënë 50% të faqes kryesore dhe 50% të faqes së prapme, si dhe nisjen e një fushate sensibilizimi kombëtar në shkolla, vende publike, media, etj, kundër pirjes së duhanit. Sipas MSH-së, këto janë arritje për një vend me mungesë të plotë të traditës antiduhan dhe me probleme të mëdha të informalizmit në sektorët e tjerë shoqërorë. Pjesë e procesit ishte kryerja e trajnimeve për grupet rinore dhe specialistët e shëndetit, të cilët janë funksionalë, dhe tashmë, përmes linjës telefonike pa pagesë 0800 47 47, të vendosur pranë Institutit të Shëndetit Publik, do të jenë në dispozicion të mirinformimit të publikut. Por pavarësisht nga rezultatet e arritura, Ministria e Shëndetësisë është e ndërgjegjshme se zbatimi i plotë i ligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, kërkon kohë, vullnet dhe mbështetje të gjerë publike nga qytetarët dhe aktorët publikë.
Ky lajm është publikuar: 27/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›