E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klanet në PD, shkarkimi i Biberajt, maja e ajsbergut



Kërkesa për shkarkimin e Biberajt, vetëm 6 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, tregon qartë për një luftë klanesh dhe një konflikt brenda partisë më të madhe në pushtet. Deputeti i Tropojës, Aleksandër Biberaj, njihet si një figurë potenciale në PD, kur herë-herë nuk ka hezituar të ngrejë zërin e tij kundër qëndrimeve të ndryshme të Partisë Demokratike dhe për çështje të rëndësishme. E thënë ndryshe, ai nuk është një figurë gri dhe ka vite kontributesh në parti. Por koha ka treguar se të tilla figura nuk e kanë të gjatë në këtë parti. Gjatë periudhës së zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit, Biberaj u identifikua si anëtar i të ashtuquajturit grupim mbështetës të ish-nënkryetarit Bamir Topi. Ekzistenca e klaneve në Partinë Demokratike tashmë është një fakt. Shpeshherë, Presidenti Topi është sulmuar nga kryetarja e Kuvendit në bashkëpunim me kryeministrin Berisha, duke krijuar një situatë të ftohtë marrëdhëniesh thjesht institucionale, thua se s’kanë qenë kurrë anëtarë të së njëjtës partie. Duket se tashmë në prag të zgjedhjeve, një klan po lan haqet me klanin tjetër brenda partisë dhe kërkesa për shkarkimin e Biberajt nga posti i zëvendëspresidentit të Asamblesë së KE-së është një nga të shumtat që pritet të vijnë në ditët në vazhdim. Këtë luftë e vërteton dhe propozimi që ka bërë Topalli për këtë post, pikërisht emrin e Ilir Rusmalit, i cili njihet prej kohësh si krahu i saj i djathtë por që ka dhe mbështetjen e kryeministrit Berisha. Arsyeja e dhënë nga Topalli janë shkeljet financiare të bëra nga Biberaj me udhëtime të paautorizuara nga Kuvendi drejt Brukselit. Nëse do të ishte i vërtetë ky arsyetim, kryetarja e Kuvendit mund ta kishte bërë prej kohësh një kërkesë për shkarkimin e tij dhe nuk kishte pse priste gati 4 vjet. Ndërsa burimet bëjnë të ditur se arsyeja e vërtetë është se Topalli po hakmerret ndaj Biberajt për shkak se nuk ka mbrojtur aq sa duhet në KE ligjin për hapjen e dosjeve. Ndërkohë, ishte vetë PD-ja që ia hoqi nga duart Biberajt të drejtën për të mbrojtur këtë ligj në skenën e politikës shqiptare, duke ia dhënë këtë të drejtë ish-minisrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, një tjetër njëriu të besuar. Ajo që vihet re është dhe fakti se asnjë nga deputetët mbështetës të Presidentit Topi nuk ka poste as në qeveri, as në Kuvend dhe as në parti, me përjashtim të ministrit të Mbrojtjes, Oketa. Por të paktën kjo politikë e ndjekur edhe nga Berisha është bërë më me kujdes, ndërsa vendimi më i fundit i Topallit është surprizë. Duket qartë se Topalli sapo ka bërë lajmërimin e parë që fushata e spastrimit sapo ka filluar në PD.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›