Meta: “Marrëveshja me kompaninë amerikane, përmbushje e detyrimit tonë për mbrojtjen e votave”
Kryetari i LSI-së priti dje në një takim një grup deputetësh holandezë, anëtarë të Parlamentit Europian, zotërinjtë Bastiaan Belder, Leen van der Waal, Dr. Wybren Yogsma dhe Gert Niwenhuis. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi zhvillimet më të fundit politike në vend, veçanërisht për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të qershorit dhe garantimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, si dhe për shqetësime të tjera që kanë të bëjnë me lirinë e medias dhe konsolidimin e demokracisë në vend. “Biseduam për rëndësinë që duhet t’i kushtojë Bashkimi Europian, dhe Parlamenti Europian, në mënyrë të veçantë, zgjedhjeve të 28 qershorit, në mënyrë që të garantohet integriteti dhe suksesi i këtyre zgjedhjeve”, - tha Meta pas takimit. I pyetur nga gazetarët, kreu i LSI-së konfirmoi arritjen e marrëveshjes me kompaninë amerikane “Greenberg”, e cila do të bashkëpunojë me LSI-në për hartimin e strategjive që do të paralizojnë dhe demaskojnë tentativat e manipulimit të zgjedhjeve. “Ne kemi mbyllur një marrëveshje mirëkuptimi me një nga kompanitë më të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila asiston dhe përkrah kandidatë progresistë, si në SHBA, por edhe Europë, e në vende të tjera. Me kompaninë kemi rënë dakord për të realizuar dhe një strategji tepër të gjerë përsa i takon mbrojtjes së votës nga manipulimi. Çdo gjë do të bëhet transparente për publikun në momentin e duhur, por mund t’ju them se u realizua ai premtim që ne kemi dhënë, se do të bëjmë çdo gjë për të ofruar garanci shtesë që procesi zgjedhor në Shqipëri të jetë i mbrojtur nga ato qëllime të këqija të dy partive, binjake përsa i takon konceptit tepër të ngushtë që kanë për zgjedhjet dhe për demokracinë. Pra, ky është një proces, i cili pa dyshim që do të na konfirmojë ne si një forcë politike, jo vetëm fituese, por edhe si një garantuese e një procesi zgjedhor, sepse nuk bëhet fjala për të ruajtur të paprekshme thjesht votat e LSI, por bëhet fjala për votat e të gjithë shqiptarëve”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
24 Janar 2009