Si mbrohet nga shteti një monument korrupsioni
Dje në një nga sallat e Gjykatës të Faktit të rrethit gjyqësor të Tiranës, u zhvillua seanca e radhës për një padi penale që shteti ka ngritur ndaj një nëpunësi të tij. Akuzohet penalisht një ish-diplomat, aktualisht punonjës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, sepse gati një vit e gjysmë më parë goditi në detyrë dhe në zyrën e tij titullarin e përfaqësisë.
Ajo që mësuam nga seanca e djeshme të bën të ndjesh keqardhje për sistemin tonë të drejtësisë, por edhe për shtetin shqiptar.
Pa dashur të merrem me të akuzuarin apo me të dëmtuarin, sepse të vërtetën do ta nxjerrë drejtësia, si detyrë e saj, por vetë zhvillimi i këtij procesi të stërzgjatur të bën të dyshosh se drejtësia këtë radhë nuk ka ndërmend të japë drejtësi dhe shteti i ka nëpunësit e saj ca të nënës dhe ca të njerkës.
Dyshimin tim dëshiroj ta ndaj me të gjithë ju, që po lexoni këto radhë.
Procesi gjyqësor ka nisur më shumë se një vit më parë. U thirrën dëshmitarët e të dy palëve, u dëgjuan nga trupi gjykues, u morën parasysh të gjitha pretendimet e palëve dhe kur pritej të jepej vendimi, gjykatësi paraqet dorëheqjen. Sigurisht, në këto raste nuk jepen edhe shpjegime, por ajo që flitej dje në korridoret e gjykatës, dorëheqja e gjykatësit ishte pasojë e “mosdëshirës së tij për të dënuar fajtorin”. Justifikimi zyrtar ishte se e kërkoi pala e paditur. Praktikë e njohur e humbësve.
Dje rifilloi përsëri procesi me një gjykatës të ri, që kishte thirrur përsëri dëshmitarët. Takova një prej dëshmitarëve, kishte ardhur nga përfaqësia diplomatike jashtë shtetit dhe ishte i indinjuar. Dhe kishte të drejtë: Para gati një viti kishte ardhur i thirrur nga gjykata, me shpenzimet e tij, me qëllim që t’i shërbente së vërtetës. Këtë radhë, një fletëthirrje e marrë dy ditë më parë, datë 18.11, e njoftonte që të paraqitej në datën 20.11 për të njëjtën çështje që kishte deponuar një vit më parë.
Ishte me të vërtetë i indinjuar: “Kam deponuar një vit më parë dhe thashë të njëjtën gjë edhe sot. Gjykata i ka deponimet e mia dhe mund të më thërriste përsëri, nëse unë kisha elemente të reja në dëshminë time. Ajo që m’u bë e qartë është fakti që gjykata do ta nxjerrë të palarë fajtorin, por do të gjejë një arsye. Dhe arsyen, me sa kuptova, e kërkon te mosardhja e dëshmitarëve. Ky njeri është i rrezikshëm për shoqërinë dhe unë jam i vendosur të dëshmoj të vërtetën. Ky është një person i korruptuar dhe këtë helm ua shtie edhe të tjerëve. Dhe ia ka arritur deri tani. Edhe për faktin se si po e manipulon gjykatën, tregon sa i rrezikshëm është korrupsioni.”
Dhe ishte një arsye për t’u besuar, kur mësoje se i akuzuari, aktualisht punonjësi i MPJ, kishte pasur edhe një eksperiencë të mëparshme me organet e drejtësisë, ku kishte dalë “fitues”. Në detyrën e Konsullit në një përfaqësi diplomatike të shtetit shqiptar, ishte kapur në flagrancë, duke falsifikuar prokura për emigrantët shqiptarë dhe duke marrë “shpërblimin” e majmë. Pas kësaj, organe të specializuara të shtetit e kishin hetuar çështjen dhe kishte rezultuar që ai e bënte prej vitesh (ishte “i specializuar” të punonte vetëm në Greqi), këtë veprimtari korruptive. Emigrantët i kishin paguar rëndë falsifikimet e punonjësit të shtetit, duke e ditur se iu bënte dokumente të rregullta.
Nga ana e shtetit shqiptar ishte bërë një denoncim në prokurorinë e Tiranës. Edhe në këtë rast procesi ishte stërzgjatur dhe i kapuri në flagrancë u mbrojt fort edhe nga drejtues të MPJ që më pas u “shpërblyen” me poste të larta diplomatike. Çështja u mbyll për “mungesë provash” (për kapjen në flagrancë ka sanksione të veçanta), por çudia ishte se i akuzuari që rezultoi i pafajshëm, nuk hapi një proces, të paktën për cenimin e dinjitetit moral. Në qoftë se akuzat e punonjësit të shtetit ishin të padrejta, apo ata që e kishin kapur në flagrancë, po punonjës të shtetit, si mund të vazhdojnë ende t’i shërbejnë shtetit?
Siç dëgjuam dje, titullari i përfaqësisë nuk e pranoi atë që e kishte quajtur dhe dokumentuar si falsifikator për pesë muaj që të punonte në përfaqësi, megjithëse MPJ e informuar për veprimin korruptiv të punonjësit të saj nuk urdhëronte ndërprerjen e marrëdhënieve financiare të një punonjësi që nuk ishte në detyrë. Thuhet se ishte në mbrojtje të Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ. Pas pesë muajsh, pasi kishte marrë “pafajësinë” nga prokuroria e Tiranës, hyn në zyrën e titullarit dhe e godet. Pas kësaj urdhërohet të vijë me punë në Tiranë, në zyrën konsullore të MPJ, ku vazhdon të jetë edhe sot.
Për mua si qytetar i thjeshtë është qesharake së pari ajo që bën gjykata. Dorëheqja e gjykatësit nuk do të thotë se ai ishte i paaftë dhe nuk e kishte zhvilluar drejt procesin. Dorëheqja mund të jetë edhe kërkesë e palës së akuzuar. Por fillimi i çështjes nga e para, duke mos marrë parasysh çka është bërë, të lë të mendosh që ka pasur parregullsi në procesin e deritanishëm. Pra, gjykatësi i ri nuk e quan të rregullt atë që ka bërë kolegu i tij paraardhës. Në qoftë se është kërkuar nga i pandehuri, e drejtë e tij, dhe ai ka të drejtë të paraqesë argumente shtesë, pse duhet të fillojë pyetja e dëshmitarëve nga fillimi? Sepse dëshmitarët nuk janë në Tiranë apo në Shqipëri, por mijëra kilometra larg dhe kuptohet që me thirrjet e paraqitjes brenda dy ditësh gjykatësi i dytë kërkon ta mbyllë çështjen, ashtu siç e mbylli edhe prokuroria gati dy vjet më parë, por këtë radhë për mosparaqitje të dëshmitarëve.
Në MPJ të Shqipërisë ka pasur raste të kapjes në flagrancë të punonjësve të korruptuar dhe me të drejtë ata janë larguar menjëherë nga puna. Pastaj drejtësia ka bërë punën e saj. Ka pasur raste të denoncimeve në prokurori dhe punonjësi është pezulluar nga puna. Madje nuk është kthyer në detyrë, edhe kur hetimi është mbyllur për mungesë provash dhe i akuzuari ka dalë i pafajshëm. Ky rast, për të cilin po shkruaj, është precedent i veprimit të gjykatës dhe shtetit me klientelizëm. “Monumenti i korrupsionit”, i mbrojtur nga prokuroria disa muaj më parë dhe nga shteti në vazhdimësi, do të vërë në provë edhe gjykatën. Rifillimi dje i procesit nga e para dhe mosparaqitja për pamundësi e të gjithë dëshmitarëve të akuzës, është hapi i parë drejt “pafajësisë”. Sepse, në rast të kundërt, do të ishte humbje e madhe për MPJ, që nuk do e kishte më në gjirin e saj.