E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri në panik nga helikopteri i “Klan”-it

Nga Tema

Antena brenda familjes

Flamuri ishte gdhirë dje në ditë të keqe. Duke ardhur për në sheshin “Skënderbej”, kishte parë një helikopter që tentonte të ulej në mes të sheshit “Skënderbej”. Njerëz të lebetitur vraponin nga të gjitha anët, pasi mendonin se rrezikonte të rrëzohej. Flamurin e ndali polici në semafor dhe nuk e lejonte t’i afrohej sheshit. Situata u bë shumë dramatike dhe Flamuri u nervozua.

- I kujt është ky helikopter, - i tha policit, - se s’po e marr vesh? “Xhoi Kopter” që ishte, nuk është më.

- Nuk e di, vallai, - tha polici, - por nga qeveria erdhi. Shëtiti nja dy herë mbi Kryeministri dhe u ul këtu.

- Bela e madhe, - tha Flamuri. - Sa herë shfaqen këta helikopterët në Shqipëri, fatkeqësi ndodh.

- S’kam ç’të them, - tha polici, - ja sa të ikë dhe të lejoj të kalosh.

Pas pesë minutash helikopteri iku dhe Flamuri mundi të afrohej te PD. Sa shkoi në zyrë, i nervozuar mori Bujar Nishanin.

- Dëgjo, - tha, - se ma ka nxirë jetën një helikopter që u ul në sheshin “Skënderbej”. Është dhe ditë tersi, se kemi buxhetin, po ky helikopteri më kujton piramidat.

- E di, e di, - tha Nishani. - Ja do pyes kush e ka.

- Nuk e di, po të kujtohet Alimuça, kur mori helikopter më ’97? Sa mori helikopter, ra VEFA dhe u bë lëmsh Shqipëria.

- Po, po, e mbaj mend, - tha Nishani.

- Po atë të “Top”-it, e mban mend? Sa desh të blinte helikopter, i ndodhi fatkeqësia.

- Po, po, më kujtohet, - i tha Nishani.

- Po Xhoanën e mban mend? Sa mori helikopterët dhe filloi të punonte, iku nga pushteti.

- Po, po, e mbaj mend, - tha Nishani.

- Po shiko kush e ka këtë dreq helikopteri, se më tha polici që kishte kaluar nga Kryeministria.

- Ja të pyes, - i tha Nishani.

Pas çerek ore Nishani i ktheu përgjigje.

- E paskan marrë këta të “Klan”-it, - tha. - Kanë bërë shëtitje në bulevard ta shikonte ai burri dhe tani e kanë çuar në aeroport.

- Mos, - tha Flamuri, - ikën dhe këta. E kam shenjë helikopterin unë. Sa herë merr dikush helikopter këtu, ndodh ndonjë hata. E hëngrën këta të “Klan”-it, po si të bëjmë që të mos jemi dhe ne në të njëjtin helikopter?

- Nuk e di, - tha Nishani, - se unë përgjigjem për tokën. Për ajrin përgjigjet Olldashi. Unë nuk kam punë me helikopterët.

- Nejse, unë po i them atij burrit njëherë ta paralajmëroj, - i tha Flamuri, - se ai i ka pas shumë inat helikopterët. Ata janë privatë, kanë punën e tyre, por kam frikë se ai Frangaj e parkon makinën çdo ditë dy orë para Kryeministrisë, që ta shikojnë ministrat që është te Berisha dhe dy orë para Bashkisë që ta shikojnë këta të KRT që është te Rama. Nëse e bën dhe këtë punë me helikopterin tani, do na bllokojë trafikun në Tiranë, se i bie të mos kalojë më njeri në bulevard.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›