“Basha t’iu kushtojë vëmendje interesave të shqiptarëve sa ç’po i kushton prokurorisë”
Shqipëria nuk ka ende asnjë qëndrim në lidhje me planin prej gjashtë pikash që i është propozuar Kosovës dhe që rrezikon ndarjen e saj, por dhe më shumë se kaq. Ministri i Jashtëm shqiptar ende nuk ka asnjë qëndrim zyrtar, ndërsa është detyruar të flasë kundër këtij plani, vetëm pse kjo i është kërkuar nga një media.
Në lidhje me heshtjen e Tiranës ka reaguar dhe Lëvizja G99, ndërkohë që një ditë më parë kishin reaguar dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Shqipëri.
“Jemi këtu për të dënuar indiferencën dhe heshtjen e papranueshme të shtetit shqiptar dhe sidomos diplomacisë shqiptare, e cila nuk është treguar aspak aktive, në kontrast të plotë me politikën e jashtme të shtetit serb, në mbrojtje të bashkëkombësve të saj. Ministri ynë i jashtëm, zoti Lulëzim Basha, ka mbetur indiferent ndaj kësaj çështjeje. Kjo nuk është hera e parë. Është një indiferencë njësoj si në rastin kur Ministria e Jashtme nuk ka reaguar ndaj rrahjes së shqiptarëve në komisariatet e policisë greke dhe segregimit të fëmijëve shqiptarë në shkollat italiane. Ne i bëjmë thirrje ministrit Basha të tregohet më aktiv, si dhe t’i kushtojë të paktën po aq vëmendje interesave të shqiptarëve kudo që janë, çështjes kombëtare dhe Kosovës sa ç’po i kushton prokurorisë”, - tha dje drejtuesi i G99, Erion Veliaj.