Kontrata e pazbatuar e kryeministrit me mediat
Në demokraci media jo më kot është quajtur pushtet i katërt. Është ajo që jo vetëm informon publikun për çka ndodh, por në shumë raste më mirë se çdo kontroll tjetër ekzekutiv bën dhe punën e monitoruesit. Gjëja e parë që i mësohet çdo studenti gazetarie në të gjitha katedrat e botës, është se duhet të jetë në opozitë me qeverinë. Si të shohë dhe kontrollojë se si ekzekutivi administron taksat, si janë investuar, sa janë shpërdoruar dhe sa janë miradministruar fondet publike. Është një mekanizëm jetik për një demokraci, është një pasqyrë ku çdo qeveri mund të shohë punën e saj.
Edhe kryeministri e pranoi dje si fakt se media është një ndër monitoruesit më të mirë të një demokracie, duke e ndërthurur këtë dhe me shoqërinë civile (megjithëse edhe kjo e fundit informacionet më të shumta sërish nga media i merr), kryeministri i konsideroi si hallka të rëndësishme në luftën që ai ka ndërmarrë kundër korrupsionit. Por me një ndryshim thelbësor, sepse, sipas kryeministrit, mediat janë të mira, por në këtë vend, me sa la të kuptohej, “s’ka media të mira”, sepse ato qenkan të ndërthurura me biznesin, dhe pronarët e tyre janë dhe botues, dhe drejtorë. Kjo thënie e ardhur nga goja e kryeministrit, lë një shije të hidhur te tërë ajo armatë njerëzish që punojnë në mediat shqiptare, nga gazetari më i thjeshtë që rri me orë të tëra për të pritur një zyrtar fodull për informacionin që i duhet, dhe deri të drejtuesit e saj. E nëse është e vërtetë, atëherë kryeministri duhet të na shpjegojë se i kujt është faji që media ka mbetur në këtë stad dhe nuk është bërë akoma më e pavarur siç e do dhe kryeministri. Nëse kjo që thotë kryeministri është e vërtetë, ai duhet dhe të shpjegojë se si e do median, dhe se çfarë quan ai media të pavarur. Median e tipit perëndimor..... pak vështirë të besohet, kur “New York Times” para pak muajsh konsiderohej letër higjienike. Atëherë, si është media e pavarur në konceptin qeveritar?
Që në Shqipëri ka dy standarde mediesh, kjo nuk do shumë mend për t’u kuptuar. Ka nga ato që e përkrahin me zjarr kryeministrin, por edhe në këtë rast botues dhe drejtorë janë vetë pronarët, siç janë dhe në mediat kritike ndaj tij. Tek e fundit, mediat ngrihen nga iniciativat private dhe jo me nisma qeverie. Që media, kur ka skandale, do shkruajë dhe do flasë, ky tashmë është një kapitull i mbyllur. Në Kongresin e PD të vitit 2005, kryeministri premtoi se do ngrinte Zyrën më të madhe të Shtypit për të verifikuar të gjitha shkrimet e medias, kur ato botojnë raste korrupsioni. Dhe në asnjë rast s’mund të thuash se gazetarët, qoftë reporterë apo redaktorë, nuk e kanë bërë punën e tyre. Ashtu siç shtypnin tastet për të hedhur në letër skandalet e opozitës që denonconte Berisha, lejet e ndërtimit të Edi Ramës, pastrimin e parave të Fatos Nanos, apo skandalet e mamuthëve të korrupsionit, në të njëjtën formë i shtypin dhe sot për të botuar korrupsionin në Albtelekom, në skandalin e Gërdecit, skandalet në arsim dhe shëndetësi, nepotizmin në administratë etj., etj. Janë të njëjtët emra, që deri dje opozita i konsideronte miq të saj, por, me të marrë pushtetin, i etiketoi me njëmijë epitete. Kryeministri nuk e ngriti kurrë zyrën e verifikimit të skandaleve, siç premtoi ta bënte Zyrën e Shtypit, arsyet i di ai vetë. Mediat në shumicë të tyre s’bënë gjë tjetër vetëm se u munduan të jenë opozitare, por dhe partnere në qeverisje, që me denoncimet e tyre t’i tregojnë drejtpërdrejt kryeministrit se ku është hallka e dobët e sistemit, me qëllim përmirësimin e punës së saj. Por mori vetëm kundërpërgjigje, që më së shumti ngjanin me fjalë kafeneje. Përpara marrjes në konsideratë të fakteve, u preferua më shumë justifikimi i zyrtarëve të korruptuar, thashethemnajat që përhapnin ata sesa vënia e tyre përpara ligjit. Ky është një dëm shumë herë më i madh që i vjen vendit sesa interesat që mund të ketë një botues gazete apo pronar televizioni në raport me qeverinë. Deklarata e djeshme e kryeministrit ishte një tjetër tentativë për të zhvlerësuar rolin e medias në shoqëri, praktikë kjo e cila ka filluar që në qeverisjen socialiste dhe po konsolidohet akoma më shumë dhe në këto tre vjet të qeverisjes së PD, dhe kjo është për të ardhur keq.