“Reformat” në mjekësi e kanë kthyer qeverinë në zhvatëse të pacientit
Askush nuk mund ta mohojë dot më se anija e shëndetësisë shqiptare ka cekur fundin, dhe duhet bërë diçka patjetër që të dalë në det të hapur. Diskutimi rreth reformës në shëndetësi, i cili ka nisur prej disa muajsh, ngjan më shumë një përpjekje për alibi në fund të mandatit sesa një brerje ndërgjegjeje për gjërat që s’shkojnë mirë. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e popullatës ndaj problemit të lidhur me shëndetin, e cila është një kartë, me të cilën fiton ose humb zgjedhjet edhe në vende më të qytetëruara e me shkallë më të lartë ndërgjegjësimi se ky yni për rëndësinë e votës së tyre, sigurisht kjo kartë nuk është hedhur pa një qëllim të caktuar.
Them është një lojë e stisur dhe jo një motivim i vërtetë për reformë për disa arsye:
Së pari, asnjë qeveri nuk i nis reformat e vështira si kjo e shëndetësisë në fund të mandatit të saj qeverisës, sepse, edhe sikur ta ketë me gjithë mend kësaj here, nuk ka në dispozicion kohën e duhur për ta implementuar, pasi rezultatet duken pas disa vitesh dhe jo për disa muaj.
Së dyti, ato hapa që po trumbetohen si reformë e si arritje, vetëm reformë nuk janë. Kam dëgjuar t’i referohen shembullit të spitalit të Durrësit si model, por në të vërtetë ai është një model se si nuk duhet reforma, se po u bë si në spitalin e Durrësit, s’kemi bërë gjë, siç nuk kemi bërë asgjë sistematikisht 10 vjetët e fundit.
Spitali i Durrësit është një projekt pilot i bërë 7-8 vjet më parë. Më thoni, a mund të quhet pilot 8 vjet një projekt?
Pas një apo dy vjetësh asgjë s’mund të quhet pilot, po ka një emër tjetër, sukses apo dështim, dhe këtë më duket se kanë frikë ta pranojnë autoritetet përgjegjëse.
Cila është reforma në spitalin e Durrësit, veçse ndryshim i xhepit nga merren paratë, pra, ato pará që merreshin dikur nga Ministria e Shëndetësisë, tani merren nga ISKSH.
Më tej gjithçka vazhdon si në gjithë spitalet e tjera të vendit, rrumpallë as falas, as me pagesë, ku marrin të njëjtin shërbim si ata që paguajnë sigurime, dhe ata që kurrë s’kanë paguar të tilla, ku mjekët marrin të njëjtën rrogë, paçka se në fund të vitit njëri ka bërë 200 operacione dhe tjetri vetëm 12 të tilla, se nuk varet direkt nga Ministria e Shëndetësisë, por nga një bord që detyrimisht e udhëheq zv/ministri i Shëndetësisë e plot absurditete nga ato, me të cilat është mbushur sistemi ynë shëndetësor.
Pra, në thelb kemi të njëjtën formë të prodhimit të shërbimit, veçse më të lustruar, në vend të Ali Hoxhës kemi Hoxhë Aliun.
Së treti, lufta ndaj korrupsionit që gjoja ka nisur në spitale, është një farsë e turpshme. Korrupsioni nuk luftohet dot duke iu vendosur prangat demonstrativisht 2-3 mjekëve, qofshin këta edhe nga ata që e kanë bërë baltë fare.
ǒkemi arritur pas arrestimeve veç sofistikimit të marrjes së bakshishit?
Gjendja është bërë edhe më e turpshme, se tani duhet ta ndjekësh mjekun për t’i dhënë paratë, të kërkosh forma dhe metoda të reja për ta marrë me mend se sa do doktori, sepse nuk guxon të ta thotë më njeri, të përpiqesh t’i fitosh besimin, se nuk je i pajisur me përgjues e të tjera marrëzira që më tepër ua nxijnë jetën hallexhinjve se sa u vijnë në ndihmë.
Po t’i mbledhësh të gjitha bakshishet që marrin mjekët në një spital, zor se bëhen aq sa vjedh ndonjë zyrtare e shpëlarë me dhallë e që fati i pamerituar e ka degdisur në majë të piramidës së shëndetësisë.
Por, le të bëjmë një llogari më të thjeshtë, le të marrim një çift mjekësh burrë e grua, me dy fëmijë, që kanë vendosur të besojnë propagandën bajate e të vendosin të mos pranojnë bakshishe. Të dy së bashku marrin si pagë mujore nga 30 000 lekë që së bashku bëjnë 60 000 lekë. E ndarë për frymë iu bie 15 000 lekë për person, çka nuk mjaftojnë as për t’u ushqyer. Por, po t’i zbresim kësaj shume edhe 10000 lekë korrent dhe 5000 lekë telefon fiks, sikur të mos përdorin celular fare, ndonëse ua do puna, bilanci bëhet katastrofik.
Atëherë, ky çift intelektualësh të nderuar që kanë vendosur të jenë të ndershëm është para alternativës ose të besojë kryeministrin dhe të shohë fëmijët e tij të vdesin urie, ose të dalë të çalltisë ku të mundet, pasi të qenit të ndershëm për të mbetet perpetum mobile.
Përse duhet të punojë më shumë e me më përkushtim ky çift mjekësh, kur në fund të muajit do të inkasojë të njëjtat të ardhura si me shumë punë, si me pak, duke iu nënshtruar një barazitizmi që po e vret shëndetësinë?
Së katërti, meqë jemi në fazën e shqyrtimit të projektbuxhetit dhe kemi para syve shifrat,
për shëndetësinë është planifikuar një shumë sa 3,4 e prodhimit të brendshëm bruto të vendit. E meqë parlamentarët tanë e kanë nisur llogaritjen me PBB, është mirë që dhe krahasimet t’i bëjmë me PBB.
Sipas studimit të Bankës Botërore, Shqipëria harxhon në një vit për shëndetësinë 6,4 % të PBB, ku 40% të kësaj shume e jep shteti, ndërsa 60% del nga xhepat e popullatës.
(Pará nga xhepi nuk janë ato që jepen bakshishe, por ato që i sëmuri shpenzon për të blerë ilaçin që s’e ka spitali, për të bërë ekzaminimin te privati, për një aparaturë që s’e ka spitali apo që s’funksionon etj., si këto).
A ka njeri që të më thotë se ku do gjenden 50% të fondeve që mungojnë, sepse qeveria jep vetëm 3,4%, pra, gjysmën e asaj që nevojitet për një vit për shërbim bazë veçse nga xhepat e pacientëve sërish. Në këtë kontekst del se hajduti më i madh që zhvat pacientët është qeveria vetë, para çdo mjeku sado i korruptuar qoftë ky i fundit. Fondi i vënë në dispozicion e parathotë se ç’do të jetë mjekësia shqiptare edhe vitin e ardhshëm, pra, që edhe po të mirëmenaxhohet për gjysmën e pacientëve sërish nuk do të ketë barna, gjysmë e pacientëve sërish mund të vdesin, me bekimin e qeverisë, natyrisht.
Së pesti, të paktën na bëni një nder të fundit, ndërroni fytyrat e atyre që dalin nëpër TV e bëjnë be e rrufe se vetëm ata e dinë si bëhet reforma. Përjetësisht të njëjtat fytyra të pështira, të majmura me lekë ilaçesh që asnjëherë s’na thanë pse s’e kanë bërë deri më sot, por paskan pritur kaq gjatë, megjithëse idetë i kanë pasur. E vetmja pritje që ia ka vlejtur për ata, është që t’u realizohet ëndrra e marrjes së gjithë buxhetit dhe tenderave të mjekësisë në një dorë, në një bankë, në një familje. Kjo është realizuar tashmë dhe do të fillojë të vihet në jetë me buxhetin e ri në vitin 2009, por kjo nuk ka të bëjë me reformën, por platformën e plaçkitjes së buxhetit të shtetit për mjekësinë.
*Mjek