Matura, Ministria e Arsimit nxjerr datat e zhvillimit të provimeve
Jonida Tashi
Ministria e Arsimit përcakton datat e zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore, për vitin 2010. Ditën e djeshme, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka firmosur udhëzimin “Për përfundimin e vitit shkollor 2009-2010 dhe
për zhvillimin e provimeve përfundimtare dhe provimeve të Maturës Shtetërore, në sistemin e arsimit parauniversitar”. Sipas këtij udhëzimi, viti shkollor për arsimin e mesëm do të përfundojë në datën 4 qershor 2010. Kurse për maturat dhe vitet e fundit të shkollave të mesme 4 dhe 5-vjeçare, viti shkollor do të mbyllet më 21 maj 2010. Datat dhe rregullat e provimeve të Maturës Shtetërore 2010, të vendosura nga Ministria e Arsimit, do të jenë të vlefshme edhe për maturantët e shkollave private. Sipas udhëzimit të ministrit Tafaj, në institucionet arsimore private, provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen në të njëjtat data dhe me të njëjtat teste, si dhe në institucionet ekuivalente publike.
Datat e provimeve
Edhe këtë vit, sesioni i parë i provimeve të Maturës Shtetërore do të hapet me lëndët Gjuhë shqipe dhe Letërsi, për të cilat, maturantët do të testohen më 1 qershor 2010. Pas dy javësh pushim, për t’u përgatitur për testimin në lëndën e Matematikës, maturantët do t’i nënshtrohen provimit të dytë me detyrim të Maturës. Sipas datës së vendosur nga kreu i Arsimit, provimi i Matematikës do të zhvillohet në datën 15 qershor. Pas këtij provimi, sërish maturantët do të kenë dy javë kohë në dispozicion, për t’u përgatitur për provimet me zgjedhje, të cilat do të mbahen në datën 30 qershor. Përveç katër provimeve të mësipërme, nxënësit e shkollave të mesme profesionale do t’i nënshtrohen testimi edhe në disa lëndë të veçanta, sipas profilit që ka secila prej tyre. Sipas udhëzimit të MASH-it, periudha e provimeve përfundimtare në shkollat profesionale 3-vjeçare dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare, do të jetë nga data 24–30 maj 2010. Ndërkaq, lëndët dhe datat për sesionin e parë të provimeve të Maturës Shtetërore, për disa kategori shkollash të mesme janë: në shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin: Gjuha dhe Letërsia greke 25 maj 2010; në seksionet dygjuhëshe (profili shoqëror dhe natyror): gjuhë e huaj 24 maj 2010; në shkollat e mesme artistike dhe sportive: Formimi teorik-praktik profesional 25 maj 2010; në shkollat e mesme teknike ekonomike dhe teknike- profesionale 5-vjeçare dhe 3+2– vjeçare: Formimi teorik-praktik profesional 25 maj 2010.
Sesioni i dytë
Maturantët që në sesionin e parë, nuk do të arrijnë t’i kalojnë me sukses provimet me detyrim të Maturës, mund t’i nënshtrohen sërish atyre në sesionin e dytë. Sipas udhëzimit të ministrit Tafaj, datat për sesionin e dytë të provimeve të Lirimit dhe të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore janë: Gjuhë shqipe dhe Letërsi 08 tetor 2010; Matematikë 15 tetor 2010. Nxënësit e klasave të katërta të gjimnazeve dhe të shkollave social-kulturore, të klasave të pesta të shkollave teknike, të klasave të treta të shkollave profesionale (me kohë të plotë) dhe të klasave të pesta të gjimnazeve me kohë të shkurtuar, që kanë mbetur në klasë në një apo dy lëndë, me përfundime (nota) vjetore jokaluese, kanë të drejtë t’i japin ato provime klase në muajin shtator 2010, sipas një grafiku të veçantë, të hartuar nga shkolla. Kur nxënësi vlerësohet kalues në provimet e klasës, ka të drejtë të pranohet në sesionin e dytë të Maturës Shtetërore të po atij viti shkollor.
Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës
Lëndët dhe datat e zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore në sesionin e parë janë:
Gjuhë shqipe dhe Letërsi 1 qershor 2010
Matematikë 15 qershor 2010
Provimet me zgjedhje (Z1 dhe Z2) 30 qershor 2010
Datat e zhvillimit të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e dytë janë:
Gjuhë shqipe dhe Letërsi 08 tetor 2010
Matematikë 15 tetor 2010
Datat e provimeve përfundimtare në shkollat profesionale 3-vjeçare dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare:
Në shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin:
Gjuha dhe Letërsia greke 25 maj 2010
Në seksionet dygjuhëshe (profili shoqëror dhe natyror):
Gjuhë e huaj 24 maj 2010
Në shkollat e mesme artistike dhe sportive:
Formimi teorik-praktik profesional 25 maj 2010
Në shkollat e mesme teknike ekonomike dhe teknike-profesionale 5-vjeçare dhe 3+2– vjeçare:
Formimi teorik-praktik profesional 25 maj 2010
Lëndët e provimeve me zgjedhje të Maturës
Fizikë
Kimi
Biologji
Histori
Gjeografi
Njohuri për shoqërinë
Njohuri për ekonominë, Filozofi
Gjuhë angleze
Gjuhë frënge
Gjuhë italiane
Gjuhë gjermane
Gjuhë spanjolle
Masat që duhet të merren nga institucionet përkatëse për mbarëvajtjen e provimeve
1. Viti mësimor 2009-2010, për vitin e fundit të shkollave të mesme 4-5-vjeçare duhet të mbyllet në datën 21 maj 2010 dhe të llogaritet me 32 javë mësimore.
2. Çdo drejtori arsimore dhe zyrë arsimore (DAR/ZA) duhet të dërgojë brenda datës 21 maj 2010 në AVA, emrat e nxënësve të klasifikuar mbetës në përfundim të vitit të fundit (të katërt ose të pestë), të shkollave të mesme, me qëllim që të hiqen nga lista e provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore.
3. Për provimet e Maturës Shtetërore duhet të veprohet sipas rregullores së Maturës Shtetërore, të miratuar me urdhrin e ministrit të Arsimit, datë 17.02.2010 “Për miratimin e rregullores së Maturës Shtetërore 2010”.
4. Të gjitha testet e provimeve me shkrim, për të dy sesionet, duhet të hartohen në AVA dhe të shpërndahen prej saj.
5. Në institucionet arsimore private, provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen në të njëjtat data dhe me të njëjtat teste, si dhe në institucionet ekuivalente publike.
6. Për shkollën e mesme pedagogjike për minoritetin grek, për provimin Gjuha dhe Letërsia greke duhet të përgatitet tezë e veçantë nga Drejtoria Arsimore Rajonale Gjirokastër.
7. Tërheqja e testeve të provimeve me shkrim të Maturës Shtetërore do të bëhet në bazë të rregullores së Maturës Shtetërore.
Konsultimet, urdhri i ministrit Tafaj, për organizimin e tyre në shkolla
Udhëzimi i ministrit të Arsimit, për përcaktimin e datave të zhvillimit të provimeve të Maturës është pasuar me urdhrin “Për organizimin e konsultimeve në shërbim të nxënësve maturantë”. Në këtë kontekst, kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj, urdhëron organizimin e konsultimeve në shërbim të nxënësve në arsimin parauniversitar, si më poshtë:
1. Drejtoria e shkollës afishon në këndin “Matura Shtetërore” grafikun e konsultimeve për secilën nga lëndët e provimeve te detyruara dhe lëndët e provimeve me zgjedhje së bashku me emrin e mësuesit që i zhvillon.
2. Lëndët e provimeve të detyruara zhvillohen në bazë klase, ndërsa lëndët me zgjedhje mbi bazën e grupit të formuar nga drejtoria e shkollës, duke marrë për bazë të dhënat e formularit A1.
3. Grafiku i konsultimeve ka vlerë deri në përfundimin e shkollës, pastaj ai zëvendësohet me grafikun e ri të konsultimeve të ditëve përpara provimeve.
4. Në grafikun e parë, përpara përfundimit të shkollës, me secilën klasë të zhvillohen dy orë konsultim në javë, një në Letërsi dhe një në Matematikë.
5. Në grafikun e dytë, përpara ditëve të provimit me secilën klasë ose grup për provimet me zgjedhje, të zhvillohen 5 orë konsultime në Letërsi, 8 orë konsultime në Matematikë dhe 8 orë konsultime në lëndët me zgjedhje.
6. Orët e konsultimeve të llogariten në ngarkesën vjetore të mësuesit.
7. Drejtoritë dhe zyrat arsimore të monitorojnë punën e drejtorive të shkollave, për zhvillimin e konsultimeve në shërbim të nxënësve maturantë.
26 Shkurt 2010