Klasat me ajër të ndotur, një në tre fëmijë, alergjikë
Raport i Qendrës Rajonale të Mjedisit REC në Shqipëri
Mbipopullimi i klasave me nxënës, mungesa e ventilimit dhe shkollat me dy turne kanë rritur ndotjen e ajrit të brendshëm të klasave. Si pasojë e kësaj gjendjeje një në tre fëmijë janë alergjikë dhe te 60 për qind e tyre mbizotëron kolla dhe bronkiti. Rezultatet janë evidentuar nga monitorimi i fundit i 10 shkollave 9-vjeçare në tri qytete të vendit. Ramije Mehmeti, kimiste pranë Qendrës Rajonale të Mjedisit REC, shpjegon se ndër më problematiket në kryeqytet është shkolla nëntëvjeçare Sabaudin Gabrani, ku myku në mure kalon përmasat e një pëllëmbe dore. PM10 Monitorimi i parametrave të ajrit të brendshëm të klasave u shtri në 10 shkolla të tri qyteteve: Durrës, Shkodër dhe Tiranë. Përkatësisht, në Durrës shkollat Shaqe Mazreku, Marie Kaçulini, 14 Nëntori, Hasan Koçi; në Shkodër shkollat Ismail Qemali, Ndre Mjeda, Branko Kadia; ndërsa në Tiranë janë monitoruar shkollat Jeronim de Rada, Sabaudin Gabrani dhe 7 Marsi. Kimistja Ramije Mehmeti deklaron se pjesa më e madhe e institucioneve arsimore janë ndërtuar pranë rrugëve me trafik të lartë apo zonave industriale, duke i shtuar kësaj edhe faktin se me kalimin e orëve të mësimit, deklaron Mehmeti, nivelet e PM10-s brenda klasës janë tejet shqetësuese. Kjo ndodh në rastet kur oborri i shkollës i pashtruar në një kohë të thatë bëhet burim i mbartjes së pluhurave deri brenda. Specialistja vëren që niveli i PM10 mbetet i lartë, pasi fëmijët lëvizin në ambientin e klasës, për nevoja personale, ndërrojnë librat, ngrihen në tabelë për të zgjidhur detyra klase, bile në kohë me shi, në mungesë të palestrës, bëjnë edhe mësim kulture fizike në klasë. Në fund të orëve të mësimit krijohet një re pluhuri që me ventilim natyral thyhet me vështirësi. Mësuesit duhet ti mësojnë fëmijët si zëvendësohen një pjesë medikamentesh me substanca të thjeshta natyrale. Esencat vajore që janë nënprodukte të organizmave bimorë, p.sh., ajo e limonit e evaporuar në llamba aromatizuese është një vrasës mikrobesh i jashtëzakonshëm ku për 2-3 orë vret M.O patogjene të pneumonisë, 3-12 orë vret bakteret që shkaktojnë tonsilite, ndërsa për 15 minuta vret M.O patogjene të meningjitit epidemik. Kjo, sepse në ajrin e klasave dhe ambienteve të mbyllura të shtëpive për 1m3 ajër ka 20.000- në 5.000.000 mikroorganizma patogjene, - thotë Ramije Mehmeti, kimiste pranë Qendrës Rajonale të Mjedisit REC. Një tjetër element i vrenjtur në monitorimin e ajrit të brendshëm të shkollave 9-vjeçare është se në disa klasa ku dritaret kishin ngecur të mbyllura (të prishura) ose hapjet ishin të llogaritura vetëm në ndarjet e sipërme, gjë që e vështirësonte manovrimin e tyre. Problemet Rritja e nivelit të ndotjes së ajrit në këto ambiente sipas specialistes ka ardhur si shkak i numrit të madh të nxënësve për një klasë, mësimit me 2 turne (shfrytëzim i klasës 200%), mungesës së sistemit qendror të ngrohjes dhe ventilimit. Një tjetër problematikë e evidentuar është edhe rikonstruksionet jo të plota, ku pjesën më të madhe të shkollave kanë disa dekada që janë ndërtuar dhe si rikonstruksion ato vetëm sa janë lyer. Ndërkohë që edhe përdorimi i sobave me gaz dhe furnelave elektrike përbënë probleme për shëndetin. Për specialisten Mehmeti, ndër masat që duhet të merren për uljen e ndotjes, është ventilimi i klasave kujdesi me pastrimin me detergjentet.