Sheshi "Skënderbej", beteja e radhës mes qeverisë dhe bashkisë
Gjatë mbledhjes së qeverisë kryeministri urdhëroi asfaltimin e sheshit "Skënderbej" në qendër të Tiranës
Bashkia: Qeveria të shpronësojë segmentin në "Unazën e Vogël", në mënyrë që të nisin punimet
Përplasja e re mes Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë e ka emrin sheshi "Skënderbej". Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar asfaltimin e sheshi "Skëndërbej" në qendër të Kryeqytetit.
Duke pasur parasysh gjendjen jo të mirë në të cilën ndodhet sheshi, Berisha ka urdhëruar Ministrin e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, që në bashkëpunim me autoritet vendore të Tiranës, të marrin masa të menjëhershme për rikonstruksionin e sheshit "Skënderbej".
Fillimisht duke bërë një planin për asfaltimin e sheshit. "Sheshi qendror i shqiptarëve, sheshi i heroit të tyre është në një gjendje katastrofale. Nuk ka kryeqytet në botë, me një shesh si ky i yni.
Kërkojmë me urgjencë planin e asfaltimit të sheshit. Nuk munden që lobe të caktuara, interesa hotelesh të bllokojnë sheshin e qytetit. Qeveria do të marrë të gjitha përgjegjësitë", u shpreh kryeministri. Berisha tha se megjithëse fondet për rindërtimin e sheshit, plotë 10 milionë lekë, i ka akorduar para dy vitesh qeveria e Kuvajtit, gjendja e tij aktuale është e turpshme për Tiranën.
Duke kërkuar asfaltimin e sheshit, ai siguroi se qeveria nuk do të ndërhyjë në kompetencat e qeverisë vendore, por disa rregullime janë nevojë emergjente deri në përzgjedhjen e planit përfundimtar, i cili do ta shndërrojë tërësisht sheshin "Skënderbej".
"Që sot do të vendosësh kontakte me qeverinë vendore të Tiranës dhe do të merret vendimi për të shndërruar sheshin, pastaj le të bëjnë përzgjedhjen ata", ka urdhëruar ai ministrin e Punëve Publike, Sokol Olldashi.
Menjëherë pas deklaratës së kryeministrit, për asfaltimin e sheshit "Skënderbej" ka reaguar Bashkia e Tiranës. Zëdhënësja e Bashkisë, Joana Bushi, deklaroi në një konferencë për shtyp se është faji i Berishës që në sheshin "Skënderbej" nuk kanë nisur ende punimet për projektin e parashikuar.
"Qeveria të bëjë shpronësimet, në një segment në këtë shesh, që ka 2 vjet që nuk po shpronësohet. Nëse Kryeministri do të kontribuojë për Tiranën, le të zbatojë ligjin që e detyron qeverinë të bëjë shpronësimet dhe le të çlirojë fondin e premtuar prej tij para dy vitesh, për të hapur segmentin rrugor në verilindje të sheshit", tha Bushi.
Sipas zëdhënëses, Bashkia e Tiranës nuk ka nevojë për asfaltin qeveritar në sheshin "Skënderbej", për të thelluar gropën e autonomisë vendore e për të krijuar një ngjarje "alla Zog i Zi", po për një qeveri që sillet me kryeqytetin konform ligjeve të vendit e në respekt të detyrimeve të veta kundrejt qytetarëve.
Fillimi i punimeve në sheshin "Skënderbej" është çështje ditësh. Pas përfundimit të punimeve në rrugën "Abdi Toptani" pritet që të përfundojnë rikonstruktimet edhe në rrugët "Urani Pano", "Bardhok Biba", si dhe në rrugën pas Pallatit të Kulturës.
Këto segmente do të jenë një katalizator i trafikut të makinave, ndërkohë që në sheshin "Skendërbej" do të kryhen punime. "Mundësia për qarkullimin e makinave, pasi të fillojnë punimet, është sfida, për të cilën qeveria është e mirëpritur të kontribuojë me fondin e nevojshëm, për hapjen e aksit të mbetur të "Unazës së Vogël", ku gjendet sot godina e "Insigut", përfundoi Bushi.
Berisha:
"Sheshi qendror i shqiptarëve, sheshi i heroit të tyre është në një gjendje katastrofale. Nuk ka kryeqytet në botë, me një shesh si ky i yni. Kërkojmë me urgjencë planin e asfaltimit të sheshit. Nuk munden që lobe të caktuara, interesa hotelesh të bllokojnë sheshin e qytetit. Qeveria do të marrë të gjitha përgjegjësitë"
"Që sot do të vendosësh kontakte me qeverinë vendore të Tiranës dhe do të merret vendimi për të shndërruar sheshin, pastaj le të bëjnë përzgjedhjen ata", ka urdhëruar ai ministrin e Punëve Publike, Sokol Olldashi.
Bushi:
"Qeveria të bëjë shpronësimet, në një segment në këtë shesh, që ka 2 vjet që nuk po shpronësohet. Nëse Kryeministri do të kontribuojë për Tiranën, le të zbatojë ligjin që e detyron qeverinë të bëjë shpronësimet dhe le të çlirojë fondin e premtuar prej tij para dy vitesh, për të hapur segmentin rrugor në verilindje të sheshit"
"Mundësia për qarkullimin e makinave, pasi të fillojnë punimet, është sfida, për të cilën qeveria është e mirëpritur të kontribuojë me fondin e nevojshëm, për hapjen e aksit të mbetur të "Unazës së Vogël", ku gjendet sot godina e "Insigut"