E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon KRRT e Durrësit, Dako kërcënon ta shkrijë

Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, akuzon të djathtët

Edhe dje ka dështuar sërish për herën e dytë mbledhja e KRRT e Bashkisë Durrës. E ndërsa kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, akuzon të djathtët se po bllokojnë punën e bashkisë dhe shërbimin ndaj qytetarëve, me pretendimin se nëse nuk futet në mbledhjen e KRRT-së miratimi i projektit për portin e peshkimit, arkitekti dhe njëherësh anëtari i KRRT (përfaqësues i PD-së) Ardian Muka deklaroi: Ne jemi për portin e ri të peshkimit atje ku e ka miratuar Ministria e Mjedisit, ndaj nuk lëshojmë në këtë pikë, Durrësi e meriton me urgjencë atë dhuratë të qeverisë dhe nuk do të lejojmë ta djegë fondin kokëfortësia e Dakos. Kryetari i bashkisë është kundër ndërtimit të portit të peshkimit, projekt i Ministrisë së Mjedisit, aty ku është parashikuar të ndërtohet, jashtë murit rrethues të portit në krahun që sheh nga shëtitorja Taulantia. Sipas tij: Projekti bie ndesh me planin rregullues të qytetit. Dako tha: Ne kemi thënë dhe kemi diskutuar dhe para një viti, që porti i peshkimit bie ndesh me planin rregullues të qytetit të cilët ne jemi duke e aprovuar. Jemi në fazën përfundimtare të tij dhe specialistët e përzgjedhur nga qeveria shqiptare të financuar nga banka botërore, studio ndërkombëtare ka thënë mendimin e tij që ky port të mos ndërtohet në atë vendndodhje. Kryetari i bashkisë së qytetit bregdetar, duke akuzuar grupimin e djathtë, sipas tij, për bllokim të punës tha: Do të marr masa, deri në atë më ekstreme të shkrirjes së KRRT-së. Ai deklaroi: Ne do t'u drejtohemi gjykatave për vazhdimin e mëtejshëm të KRRT-së, ndoshta do kërkojmë dhe shkrirjen e tij. Porti i peshkimit prej kohësh është objekt debati dhe që bllokon punimet e KRRT-së në qytetin e Durrësit. Këshilltarët e emëruar nga prefektura kërkojnë që të miratohet leja për ndërtimin e lëshuar nga KRRT e vitit 2004. Sipas kësaj leje porti i peshkimit është parashikuar jashtë murit rrethues të portit në krahun që sheh nga shëtitorja Taulantia. Bashkia nga ana e saj kundërshton projektin pasi është me impakt në ambjent dhe rëndon trafikun e zonës, ndërsa përkrahësit e projektit kanë nxitim për të mos humbur kredinë 15 milionë dollarëshe nga Banka Islamike për ndërtimin e saj, e cila është miratuar edhe nga parlamenti në vitin 2007. Bashkia po studion në zonë projektin e një porti turistik jahtesh dhe kërkon që porti i peshkimit të jetë në anën lindore apo në ndonjë vend tjetër.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›