E Diel, 1 Nëntor 2026

Klasë politike apo politikë klasash

02/02/2005  Në çdo kohë, politika ka qenë dhe mbetet një veprimtari me rëndësi të veçantë për jetën e shoqërisë. Por, në periudha të tilla parazgjedhore, meraku shoqëror, për cilësinë e saj bëhet akoma më i madh.

Politika shqiptare, për hir të vërtetës, deri tani, nuk i ka kushtuar ndonjë rëndësi të veçantë procesit seleksionues të klasës së vet. Kjo veprimtari ka qenë përgjithësisht e mbyllur ndaj opinionit publik dhe prandaj jemi përballë faktit të njohur; kemi një klasë politike përgjithësisht të kontestuar, pikërisht për ca vlera personale të figurave që kanë inflitruar në të, përmes mekanizmave të mbyllur e konservator të politikës shqiptare.

ǒdo të bëjmë? Do të ecim kështu, pas vitit 2005, apo do të ndryshojmë?

Është e sigurtë, politika shqiptare këtë herë nuk është e lirë, të bejë si të dojë e të zgjedhë kë të dojë, pa vlerësuar vlerat, kualitetet e politikanëve dhe forcën kontestuese të opinionit publik qytetar.

Politika shqiptare sot, nuk nuk ka pse të vuajë mediokritetin e disa lojtarëve të saj. Aq më pak qytetarët shqiptarë. Klasa politike nuk mund të jetë, nën nivelin e zhvillimit kulturor dhe qytetar të shoqërisë sonë. Prapambetja relative e klasës politike shqiptare ndaj nivelit të elitës shoqërore e intelektuale është handikapi që nuk mund të ekzistojë më tej, është korrigjimi që i duhet bërë politikës, me çdo kusht.

Sensibiliteti aktual i shqiptarëve, për cilësinë e klasës politike është shprehje evidente e faktit që ata nuk janë qytetarë pa kulturë politike, siç mendon ndokush. Ata tani janë në gjendje të vlerësojnë, vlerat e pretendimeve politike dhe të reagojë ndaj politikave përzgjedhore të partive politike. Ata janë tepër sensibël për cilësinë e klasës politike.

Prandaj ka filluar që këto ditë dhe do të bëhet më e ashpër, lufta dhe betejat partiake. Eshtë krejt absurde që e gjithë politika shqiptare po përqëndrohet dhe është e rrethuar nga pretendentët nominalë që janë të shqetësuar jo për nevojat dhe parametrat e zhvillimit të vendit, por për fatin e tyre politik. Me fjalë të tjera, horizonti politik shqiptar që tani ka marrë pamjen e shëmtuar të betejës për poste personash dhe jo për politika të qëndrueshme zhvillimi.

Nuk ka vend në botë, që të ketë kaq shumë etje dhe dëshirë për t’u involvuar në politikë dhe në pushtet. Politika shqiptare është bërë e deformuar, paradoksale, sepse që në fillimet e saj e deri më sot, përgjithësisht kriteri me të cilin janë vlerësuar dhe përzgjedhur njerëzit aktivë të saj, kanë qenë vetëm kritere gjeografiko-militant. Militantizmi, është vërtet një komponent i meritokracisë politike dhe me një farë mënyre kushti i parë për të patur të drejtën e garës në politikë. Por, veçse ajo nuk mjafton. Mbivlerësimi deri në absurd i këtij komponenti, mbivlerësimi imagjinar i sakrificës militanto-populiste, është një nga shkaqet e deformacioneve që shfaq ende politika në Shqipëri. E ka vështirë politika shqiptare të thyejë atune militane, por jo meritokratike dhe të devijojnë kursin e përzgjedhjeve të klasës politike me kritere të tjera të domosdoshme për lidershipin dhe elitën politike, intelektualo-meritokratike. Ne jemi dëshmitarë, të paradoksit të sundimit të konceptit të purifikuar militant si faktor i determinimit të përbërjes së klasës politike. Ka mjaftuar vetëm një fjalë e lëshuar nga ndonjë lider i partive politike kryesore, me qëllim frenimin e valës së pretenciozitetit të pamerituar militant, për t’u përballur me një uragan qejfëmbetjesh të njerëzve që kanë vlerë si anëtarë partie dhe si militantë, porqë nuk kanë kapacitete për të qënë dhe luajtur role në lidership.

Nuk besoj se do të konsiderojmë militantizmin si të vetmin komponent për të vlerësuar politikanët e karrierës. Politikani profesionist është produkt i hollë dhe i kultivuar, të cilin e bashkon me militantët ideja, frymëzimi, orientimi dhe synimi i përbashkët politik. Ky është fondamenti, që i bën të gjithë njerëzit të barabartë dhe përgjithësisht të niveluar në kontributin politik. Por, duhen të tjerë tregues, të kulturës, personalitetit, të origjinës, të backgraundit profesional, për të merituar dhe kërkuar vendin e politikanit profesionist. Vetëm te ne po ndodh që një pjesë e klasës politike nuk e vret shumë mendjen për atë që kërkon dhe pretendon.

Madje, nuk do të ishte e tepërt po të themi se një vend në politikën profesioniste ka filluar të sigurohet më lehtë (pa konkurs, pa sforcime mendore e arritje profesionale) sesa një vend i thjeshtë në administratën publike, për të cilën ka të paktën ca kritere të vlerësimit meritokratik dhe kompeticionit intelektual.

Në qoftë se do të vazhdojmë, që për hatër të fitores, apo të presioneve që vijnë nga burime brendapartiake të zgjedhim vetëm me këto kritere, do të thotë që niveli i klasës së re politike që do të dalë nga zgjedhjet e reja do të jetë i të njëjtit nivel. Me fjalë të tjera do të jetë një elitë e vogël sunduese dhe dominante e politikës dhe e karrierës së determinuar, e rrethuar nga një masë tjetër njerëzisht, që po për faj të tyre do të diktojnë mediokritetin politik.

Politika profesioniste, është veprimtari elitare intelektuale, është fushë e dijes së pastër teorike e politike, por dhe e veprimtarisë së integruar me impakt social-ekonomik.

Është gabim i pafalshëm, është devijim nga standardi evropian po qe se, edhe tani, do të bëjmë lëshime absurde të diktuara nga presioni tradicionalist i politikës së vjetër.

Politika nuk është aktivitet pasiv dhe statik, që mjafton të të caktojmë, të zgjidhësh e pastaj të ulesh në karrige dhe të mos bësh gjë.

Përkundrazi, politika është aktiviteti më i vështirë, më dinamik, që kërkon kulturë, dituri, vullnet, karakter të fortë, ritëm punë e studim permanent. Aulat e politikës të ndryshimit, të progresit nuk bëhen me njerëz që kanë ritme e koncepte të ngadalësuara, amortizim mendor dhe kulturor. Këto mungesa në kohën tonë, nuk mund t’i kompensojë asnjë lloj militanzimi i çdo grade garancie qoftë ai. Politika kërkon liderët dhe profesionistët e saj, që janë në gjendje të ndjekin ritmin e ri të kohës së re, të shekullit që sapo kemi hyrë. Askush nuk i ka borxh politikës shqiptare, që për ca mekanizma, modalitete, gjykime sempliste e paragjykime të përzgjedh në krye të saj njerëz që kanë ecjen e kërmillit. Nuk mund të ketë të drejtë askush që të konceptojë kompozimin e strukturave të politikës me parimin e vjetër mesjetar, të vendosjes së gomarit, para kalit.

Cilësia e klasës politike shqiptare, nuk duhet të jetë nën nivelin kulturor e intelektual të shoqërisë me stadin e tanishëm. Një nga aspektet, pse politika dhe politikanët shikohen me deficencë në opinionin publik, është përveç të tjerave dhe niveli i një pjese të tyre shumë poshtë kualiteteve kulturore, intelektuale, morale e qytetare.

Opinioni publik, është bërë veçanërisht vigjilent kohët e fundit me stratagjemat e politikës. Forca anonime e opinionit publik është e gatëshme të sfidojë gabimet e politikës përzgjedhëse të partive politike. Kjo do të kërkonte që procesi i seleksionimit të bëhet me kritere e standarde të reja, ndryshe nga ato të mëparshmet, në mënyrë që në politikë të kemi një produkt më cilësor, interpretet më ekzistues dhe elokuentë të saj.

Në qoftë se, për ca arsye të vjetra e banale, do të veprojë mekanizmi përzgjedhes i dhunës mekanike të shumicës së manipuluar, i frikës nga kompeticioni, i ambicieve, kapriçove primitive, të vjetra e të reja, atëherë, me siguri që dëmi do të jetë shumë i madh. Politika ka ca përgjegjësi të tjera në kohën që jetojmë, për detyrat që duhet të zgjidhnim. Ritmet integruese dhe startet ku duhet të mbërrijmë, nuk realizohen me politikanë të standardeve të ulëta, që e mendojnë politikanin me konceptin e militantit provincial, të mjaftueshmërisë së "besnikërisë" partiako-militante. Çdo kohë ka njerëzit e vet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›