E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klaudio Ranieri: Trezege, një fëmijë i llastuar

Eliminimi nga Championsi ka sjellë edhe problemet e para në radhët e Juventusit. David Trezege deklaroi se ishte i zhgënjyer pas zëvendësit në sfidën me Çelsin, komente të cilat nuk janë pritur mirë nga trajneri Klaudio Ranieri. Vetëm pak orë përpara sfidës me Bolonjën, trajneri bardhezi nuk i kurseu tonet e ashpra ndaj "bomberit" francez, duke konfirmuar "krisjen". "Fjalët e Trezegesë më mërzitën shumë. Dukej si një fëmijë i llastuar që ankohej. Ndihem i tradhtuar nga Davidi si njeri, jo si lojtar", tha Ranieri. "Nuk kam biseduar me Trezegenë rreth kësaj çështjeje. Por, meqenëse ai preferon ta diskutojë problemin në media, unë po i përgjigjem në të njëjtën mënyrë. I kam dhënë këtij lojtari besim të plotë, trajneri nuk mund të bëjë më shumë se kaq. Te Juventusi jemi mësuar t‘i zgjidhim të gjitha problemet pa shumë zhurmë, megjithatë shoh që situata ka ndryshuar dhe këtu ka diçka që nuk shkon. Për momentin, mund të them se Davidi ka gabuar dhe nuk e di se çfarë mund të ndodhë më tej". Në fund edhe dy fjalë për sfidën e sotme me Bolonjën: "Ata po luajnë mirë dhe kanë në kontingjent një sulmues si Di Vaio, i cili po shënon rregullisht. Nuk do ta kemi aspak të lehtë për të fituar".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›