Tifozët e Interit nuk e duan më Hoze Murinjon
Pas eliminimit të dhimbshëm nga Champions League, mbështetësit zikaltër, të zhgënjyer, kanë protestuar gjatë stërvitjes së djeshme të skuadrës në Pietina. Tifozët e Interit kanë kontestuar ashpër trajnerin Hoze Murinjo, pas përfundimit të aventurës së tyre në Evropë në 1/16 e turneut, duke bërë një ecuri më të keqe se ajo e paraardhësit të tij, Roberto Mançini. Interi regjistroi dy fitore, dy barazime dhe po kaq humbje në këtë sezon: rekordi më i keq evropian i tyre në pesë vitet e fundit. Tifozët shpresonin se "Special One", më në fund do t‘u rikthente atyre lavdinë kontinentale pas më shumë se 40 vitesh vuajtjeje. Kjo ka sjellë që një grup tifozësh të shfaqen dje në Pietina gjatë stërvitjes së skuadrës, ku kanë kontestuar trajnerin. "Blof luzitan, largohu nga Milano", shkruante një pankartë. Gjatë kohës së qëndrimit tek Interi, Murinjo ka krijuar shumë përplasje me median italiane, por edhe me homologët e tij trajnerë të skuadrave rivale. Situata e tij aktuale nuk është favorshme për të qëndruar deri në fund të kontratës që e lidh me klubin zikaltër, ndërkaq që nuk mungojnë zërat për një largim të mundshëm në fund të sezonit në drejtim të Premier League. Një tjetër pistë e përfolur ditët e fundit është edhe ajo e kalimit të tij në drejtimin e skuadrës së Realit të Madridit. Por dje ka pasur lajme se ylli Muronjo ka filluar të zbehet në sytë e Florentino Perez dhe mundësitë që ai të drejtojë madrilenët janë gjithnjë e më të pakta. "Reali do të hidhet në kërkim të një trajneri të ri gjatë verës, nëse Florentino Perez do të fitojë zgjedhjet presidenciale, por ai nuk e ka më Muronjon në listën e të preferuarve", shkruante gazeta "Sport". Rizgjedhja shumë e mundshme e Perez do të sjellë që në skuadër të ofrohen lojtarë yje, por edhe një trajner i klasit botëror. Ekzistonin informacione se Murinjo ishte në krye të kësaj liste, pas sukseseve të tij me Çelsin, por koha e tij në Itali, problemet e shumta jashtë fushës, kanë bërë që të bjerë interesi për të. Tashmë gjërat duket se kanë ndryshuar. Florentino Perez mendon se mungesa e stabilitetit që Murinjo ka demonstruar në Itali, mund të vështirësojë punët e skuadrës madrilene. Stili i tij i lojës dhe dështimi në Evropë kanë bërë që si favorit të shihet Karlo Ançeloti, vendin e të cilit te Milani pritet ta zërë Frenk Rajkard. Një tjetër kundërshti e Perezit është fakti se Murinjo e ka të vështirë të përsërisë suksesin, edhe pse ka punuar me skuadra të mëdha. Tashmë, në radhët e Interit flitet për një plan rindërtimi. Eliminimi nga Mançester Junajtid imponon zgjidhje drastike dhe Murinjo po projekton tashmë një revolucion. Për repartin e mesfushës, mendohet afrimi i Diegos dhe Thiago Motas, ndërsa për sulmin do të vijë njëri mes Drogbasë dhe Militos.