Reali i Madridit, gati "fshesa" në verë
Reali i Madridit po përgatitet për "spastrimin" në masë të skuadrës gjatë muajve të verës. Sipas lajmeve që qarkullojnë në Gadishullin Iberik, 17 lojtarë pritet të largohen nga radhët e "merengues", pasi drejtuesit e klubit synojnë të rigjenerojnë kontingjentin. Gazeta "Sport" citonte se operacioni "fshesa" shihet si një zgjidhje e domosdoshme dhe ajo do të realizohet pavarësisht emrit të presidentit të ri të klubit. Plani për ndryshimet drastike, menjëherë pas eliminimit nga Liga e Kampioneve është përgatitur dhe do të pritet vetëm hapja e merkatos që të vihet në zbatim. Deri tani, pesë lojtarë e kanë të sigurt lamtumirën nga "Santiago Bernabeu": Zhulien Fobert, i cili u afrua në formë huazimi, Jerci Dudek, Mishel Salgado, Fabio Kanavaro dhe Havier Saviola. Për Salgadon kjo do të jetë mbyllja e një epoke në radhët e klubit, ndërsa Kanavaro mund të realizojë dëshirën e tij, që ta mbyllë karrierën në Serinë A. E pasigurt është e ardhmja për shumë lojtarë të tjerë, duke filluar nga Roiston Drente, Daniel Parejo, Kristof Metzelder, Havi Garsia, Rafael van der Vart dhe Ruben de la Red. Drente do të transferohet në formë huazimi, ndërsa gjermanit Metzelder do t‘i këshillohet të kërkojë një tjetër skuadër për të vazhduar karrierën. Van der Vart, i cili u afrua me shumë bujë nga Hamburgu, mund të shitet ose të jepet në formë huazimi. Ndërsa tre lojtarët e rinj (Parejo, Havi Garsia e De la Red) nuk kanë arritur të bindin trajnerin Huande Ramos për potencialin e tyre. Eksodit mund t‘i shtohen edhe Fernando Gago, Rud van Nistelroi, Guti dhe Gabriel Hainze, që gjithsesi kanë ende shanse të rifitojnë besimin e klubit. Gago nuk ka shkëlqyer në ndeshjet decizive, Van Nistelroi duhet të konfirmohet pas dëmtimit afatgjatë, Hainze ka probleme me sjelljen, ndërsa Guti duhet të tregojë se është i aftë të luajë në nivelet më të larta. Presidenti i ardhshëm, që sipas të gjitha gjasave do të emërohet Florentino Perez, mund t‘i hapë derën një tjetër "eksodi", pas atij të vitit 2003, kur u larguan 16 lojtarë. Ndërkohë, objektivat kryesorë të së ardhmes janë dy mesfushorët e Liverpulit, Stiven Xherard dhe Ksabi Alonso. Realizimi i këtyre transferimeve cilësohet i vështirë, pasi ata janë dy lojtarë thelbësorë në "Anfilld Roud".