Klaus fton çekët: Investoni në Tiranën e temperaturës 24 gradë
Çekia është e interesuar për rritjen e bashkëpunimit me Shqipërinë, sidomos në fushën ekonomike dhe për këtë Presidenti Vaclav Klaus u bëri dje të ditur investitorëve çekë që të shohin Tiranën e 24 gradëve. Presidenti çek shoqërohet gjatë vizitës në vendin tonë nga një grup biznesmenësh, gjë që u vlerësua nga Presidenti Topi si shumë domethënëse. "Shpresoj që sot në televizionet çeke të transmetohen pamja nga Tirana, ku është tetor dhe termometri shënon 24 gradë celsius dhe kjo është ftesa më e mirë që mund t’ju bëj turistëve të ardhshëm çek që të vijnë në këtë vend", - deklaroi z. Klaus. Lidhur me marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, krerët e të dy shteteve konfirmuan gatishmërinë për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të tyre, ndërsa i pyetur për ratifikimin nga Çekia të Traktatit të Lisbonës, ai u përgjigj se nënshkrimi i këtij dokumenti nuk do të thotë zgjerim i Bashkimit Evropian. "Nuk kam ardhur këtu për të diskutuar ratifikimin e Traktatit të Lisbonës brenda në Republikën e Çekisë. Për sa i përket momentit, është e pamundur që të ratifikohet ky traktat se kjo do të diskutohet dhe do të debatohet si në Gjykatën Kushtetuese të Republikës Çeke, ashtu dhe në institucionet përkatëse të saj. Nënshkrimi i Traktatit të Lisbonës nuk është e thënë që do të zgjerojë Bashkimin Evropian", - u përgjigj Presidenti Klaus. Në programin e qëndrimit zyrtar të Presidentit çek është edhe promovimi i librit të tij "Planeti blu nën vargoj të gjelbër", si dhe një takim me Forumin e Biznesit Shqiptaro-Çek