E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama shpërblen oficerin që i ruajti votat më 28 qershor



Edi Rama ka shpërblyer dje një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Zyhdi Dajti do të jetë kreu i ri i Policisë Bashkiake dhe Rama zgjodhi ta prezantonte vetë pas largimit të drejtorit shumëvjeçar të kësaj policie, Ndrec Deda. Ndoshta shumëkujt emri i Zyhdi Dajtit nuk i thotë asgjë, por në selinë e Partisë Socialiste e njohin mirë dhe e dinë se është një njeri i besuar i Ramës. Dajti, oficer në lirim, ka qenë një ndër drejtuesit e ekipit që u krijua nga Rama për të ruajtur votat në 28 qershor. Grupi që përbëhej kryesisht nga ish-oficerë që aderonin si simpatizantë pranë PS-së, kishte marrë përsipër të krijonte një strategji dhe një strukturë që do të mundësonte ruajtjen e qendrave të votimit dhe të numërimit të votave për të parandaluar ndonjë parregullsi në kurriz të partisë. Por, megjithëse Rama deklaron se i janë vjedhur votat në 28 qershor dhe deri më tani nuk e ka pranuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve, ka vendosur të shpërblejë një prej njerëzve që bëri punën e policit për PS-në. Ai ka marrë dje një nga postet më të rëndësishme në varësi të bashkisë së kryeqytetit që drejtohet nga Rama, atë të kreut të Policisë Bashkiake. Dajti ishte pjesë e kontingjentit të ish-policëve që PS i afroi pranë vetes që në vitin 2007 në zgjedhjet lokale. Ata punuan për të ruajtur votat e PS-së, megjithëse e gjithë puna e tyre është në prapaskenë dhe nuk bëhet publike nga partia. Gjatë prezantimit që Rama i bëri dje, vuri theksin tek roli i policisë. Ai tha: “me plot të drejtë qytetarët dhe qytetaret e Tiranës kërkojnë edhe më shumë nga ju, kërkojnë që Policia Bashkiake të jetë edhe më e përgjegjshme, të jetë edhe më e gatshme, të jetë edhe më e mirësjellshme, të jetë edhe më e aftë dhe e përgatitur për t’iu gjendur pranë. Edhe sikur të jetë një qytetar i vetëm që paraqet një problem që ka lidhje me cilësinë e jetës në komunitet”. Ndërkohë, paraardhësi i Dajtit, Ndrec Deda, ka qenë në krye të Policisë Bashkiake që prej krijimit të kësaj strukture policore, ndërsa pak ditë më parë dha dorëheqjen nga ky post.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›