E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi ndryshon traditë, seancë plenare vetëm ditën e enjte



Deputetëve do t’u duhet të shkojnë në seancë plenare vetëm 1 ditë në javë dhe jo 2, siç ka qenë zakonisht. Vendimi është marrë nga Konferenca e Kryetarëve në Kuvend, sipas të cilës, deputetët duhet të kalojnë më shumë kohë pune në shqyrtimin e projektligjeve në komisione plenare. Ndryshmet në rregullore i komunikoi dje kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që, duke filluar nga java e ardhshme, përqendrimi dhe fokusi kryesor i punës do të jetë në komisionet parlamentare, ku kërkohet gjithëpërfshirja, konsultime, ftesë të grupeve të interesit, të organizatave të ndryshme joqeveritare etj. Kjo punë do të bëhet në komisione, në ditët e hënë, të martë dhe të mërkurë, për të lënë që ditën e enjte të bëhet seanca plenare”, - deklaroi Topalli. Sipas kryetares së Kuvendit, arsyeja e ndryshimit të strukturës së funksionimit të Kuvendit është bërë, pasi deputetët po shpenzojnë më shumë kohë në seanca plenare sesa në komisione. Sipas saj, aktualisht vendi nuk ndodhet në fazën e disa viteve më parë, kur kishte një nevojë të madhe për ligje të reja. “Konferenca ka vendosur që, duke filluar nga java e ardhshme, për shkak se jemi në një legjislaturë të re, nuk mund të pranojmë më që numri i orëve të seancave plenare të jetë më i madh sesa numri i orëve të punës së komisioneve parlamentare. Kjo është nonsens. Ne nuk kemi më nevojë që të bëjmë shumë ligje, siç kemi bërë në 4-vjeçarin e kaluar, por kemi nevojë që më shumë sesa një numër të madh ligjesh, të bëjmë ligje të cilësisë dhe të standardeve evropiane, siç e kërkon ky stad i zhvillimit”, - tha znj. Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›