Qeveria, skemë e re për familjet e varfra
Kryeministri Sali Berisha premtoi dje se qeveria do të nxjerrë çdo familje nga mjerimi. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, Sali Berisha vuri në dukje se qeveria parashikon një skemë të re në ndihmë të të varfërve, pasi po abuzohet masivisht me ndihmën ekonomike. “Do të nxjerrim çdo familje nga varfëria. Do të përgatisim një skemë të re për të varfrit”, - u shpreh Berisha para deputetëve demokratë. Gjithashtu, Berisha premtoi se do të financojë çdo projekt të vendorëve dhe se do të rrisë grantet për ta. Por, siç paralajmëroi kreu i qeverisë, asnjë fond nuk do të shkojë për fryrje të administratës. Në këtë drejtim, kreu i qeverisë veçoi investimet në infrastrukturë në mënyrë që të gjitha komunat dhe fshatrat e vendit të lidhen në një kohë të shkurtër me rrugët kombëtare. "Ne do të ndërtojmë edhe qindra e qindra ujësjellës të tjerë, do të rikonstruktojmë dhe do të ndërtojmë të gjitha shkollat e mbetura, do të shumëfishojmë grantet dhe kredinë e butë. Pra, ne e marrim si një sfidë jashtëzakonisht serioze mbështetjen për Shqipërinë rurale", - tha Kryeministri Berisha.