Kuvendi ul moshën e pensionit me 5 vjet për minatorët
Kuvendi shqyrtoi dje projektligjin për uljen e moshës së pensionit për minatorët. Sipas kësaj nisme të re, rreth 3 mijë punonjës të nëntokës do të dalin në pension 5 vjet më herë ose në moshën 60 vjeç. Deputetët e mazhorancës e vlerësuan këtë nismë, duke e cilësuar si një premtim të mbajtur nga fushata e fundit elektorale. Kryetari i Komisioni të Ekonomisë, Edmond Spaho, duke iu përgjigjur opozitës dhe deputetit Ilir Beqja, i cili e konsideroi tallje këtë nismë ligjore për minatorët, tha se opozita bën mirë të vijë në Kuvend. “Ku ishte ky zotëria kur iu rrit mosha minatorëve për daljen në pension, pasi iu është rritur në kohën e qeverisjes socialiste? Ai ishte drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe nuk e ngriti zërin atëherë”, - tha Spaho. Edhe kryetarja e Kuvendit e cilësoi një nismë me rëndësi. “Është një iniciativë për t'u përshëndetur dhe që meriton mbështetjen e të gjithë deputetëve ndaj kësaj shtrese, e cila ka një nga kontributet kryesore në ekonominë shqiptare. Projektligjin ua kishim borxh dhe ua kishim premtuar", - tha Topalli.