Klaus, Topit: Ne ju ndihmojnë për vizat dhe në BE
Çekia bën thirrje për përmirësim të regjimit të vizave për Shqipërinë dhe lehtësim për qytetarët shqiptarë, duke u angazhuar në këtë proces dhe atë të integrimit për në BE. Deklarata është e presidentit çek, Vaclav Klaus, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun Bamir Topi, në kuadër të një vizite që po zhvillon në Tiranë. Presidenti çek, Vaclav Klaus, shprehu dje në Tiranë mbështetjen e vendit të tij për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pas bisedimeve me Presidentin Bamir Topi, z. Klaus vuri në dukje se në bisedimet dypalëshe u fol edhe për regjimin e vizave dhe për një linjë direkte ajrore mes dy vendeve. "Në bisedën tonë folëm dhe për çështjen e regjimit të vizave, i cili duhet të përmirësohet dhe të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve shqiptarë, si dhe diskutuam edhe për një çështje tjetër, që është e rëndësishme, për një linjë direkte avionësh mes Tiranës dhe Pragës", - tha Presidenti çek. Ai shtoi: “Jam këtu për të demonstruar interesin e Republikës Çeke për zhvillimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat: në ekonomi, politikë, kulturë dhe turizëm. Qysh nga prilli ne jemi partnerë në NATO dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën dhe të mbështesim të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, - deklaroi z. Klaus. Ndërsa, Presidenti Topi konfirmoi: “Së bashku me Presidentin Klaus i diskutuam çështjet e ditës, situatën politike në vendet respektive, marrëdhëniet bilaterale, mbështetjen reciproke në kuadrin e organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Kemi folur relativisht gjatë edhe për çështjet e zhvillimeve rajonale, pra të rajonit ballkanik, duke u fokusuar kryesisht në çështjen e Kosovës dhe të ardhmes së saj. E informova zotin President për stabilitetin e institucioneve të Shqipërisë, për aspiratën integruese të Shqipërisë. E falënderova për ndihmën që Çekia i ka dhënë Shqipërisë në këtë drejtim. Nuk është e rastit që ne aplikuam për në BE në kohën e Presidencës çeke”. Pa diskutim, sipas tij, që ka mjaft elemente bashkëpunimi që fillojnë me ekonominë, vazhdojnë me turizmin, me kulturën.
Klaus, Berisha: Biznesi cek, projekte në porte dhe hekurudha
Shqipëria ka pësuar ndryshime të thella vitet e fundit, ndaj biznesi çek është i interesuar për të investuar në vendin tonë, kryesisht në porte dhe hekurudha. Kryeministri Sali Berisha takoi dje Presidentin e Republikës së Çekisë, zotin Vaclav Klaus. Presidenti Klaus falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe u shpreh se Shqipëria ka pësuar shndërrime të thella gjatë këtyre viteve të fundit si rezultat i reformave dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare dhe të lidershipit të saj dhe se këto rezultate janë tashmë para syve të të gjithëve.
Kryeministri Berisha e njohu Presidentin çek me zhvillimet në Shqipëri, me luftën e pandërprerë kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe me ecurinë e reformave në fusha të ndryshme, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në potencialet e mëdha që ka vendi ynë në turizëm, energji, miniera. Kryeministri Berisha u shpreh më tej se investimet e huaja janë një prioritet për qeverinë shqiptare, e cila do të mbështesë edhe investitorët çekë, të cilët janë të mirëpritur në Shqipëri, duke u shprehu i bindur se investimet e tyre do të jenë një histori suksesi. Lidhur me këtë, Presidenti Klaus theksoi se ka një interes të madh të kompanive çeke për projektet në infrastrukturë në Shqipëri. Kryeministri Berisha u shpreh se në Shqipëri po ndërtohet një rrjet infrastrukturor i ri që synon të lidhë me rrugët më të shkurtra, të gjitha qytetet dhe fshatrat e vendit me rrugët nacionale. Por gjithashtu, investitorët çekë, u shpreh Kryeministri, janë të mirëpritur edhe në projektet e qeverisë për rinovimin e rrjetit hekurudhor dhe në portet e mëdha në vend. Gjithashtu, dy liderët biseduan edhe mbi rëndësinë e projekteve të mëdha evropiane që kalojnë nëpër Ballkan, duke i konsideruar ato si shumë të rëndësishme dhe jetike për zhvillimin dhe progresin e vendeve të Ballkanit. Po dje presidenti Klaus u prit edhe nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.