E Diel, 1 Nëntor 2026

I kthen fjalën, burri qëllon bashkëshorten me thikë



Vetëm fati duket se e ka ndihmuar një grua shqiptare të qëndrojë ende në jetë, teksa goditjet e shumta me thikë nga bashkëshorti i saj nuk kanë pasur të sosur.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në qytetin e Leçes, Itali, kur një grindje mes një çifti emigrantësh shqiptarë ka përfunduar me plagosjen e rëndë të gruas, ndërsa autori nuk u ka shpëtuar prangave të policisë. Gjithçka ka ndodhur, pasi kryefamiljari nuk e ka duruar dot faktin që bashkëshortja e tij i ka kthyer fjalën gjatë diskutimit dhe për këtë i ka rënë shkurt, e ka qëlluar me thikë. Ngjarja është pasqyruar dje në agjencinë lajmeve italiane “Alicenews”, sipas së cilës, protagonisti i ngjarjes ka qenë Astrit Boraj, një emigrant shqiptar me dokumente të rregullta në Itali që prej 2004-s, i cili ka qëlluar me thikë bashkëshorten e tij.

Referuar dëshmisë së fqinjëve të apartamentit që ndante çifti shqiptar, që në orët e para të mëngjesit janë dëgjuar të bërtitura të forta të gruas dhe më pas kjo e fundit që dilte me të shpejtë nga shkallët e pallatit.

Më pas, nga prapa burri i saj, Astriti, që e ndiqte nëpër shkallë me një thikë kuzhine në dorë. Dëshmitarët kanë treguar se burri e kishte arritur gruan, pasi kjo e fundit kishte dalë në sheshin para pallatit dhe fillimisht e ka qëlluar me thikë në shpatull, më pas i ka dhënë disa goditje të tjera në trup kur ajo ndodhej përtokë.

Ndërkohë, punonjësit e repartit operativ të Karabinierisë së Leçes, fatmirësisht, kanë mbërritur në vendngjarje ende pa mbaruar gjithçka, pas njoftimit të banorëve dhe të disa kalimtarëve që janë tronditur në atë çka shihnin. Sipas agjencisë së lajmeve, policia ka gjetur të shtrirë përtokë gruan e përgjakur, afër saj thikën e krimit, ndërsa dhjetëra hapa më tutje kanë mundur të arrestojnë burrin që po largohej me hapa të shpejtë nga vendngjarja.

Gruaja është transportuar me urgjencë nga policia në spitalin “Vito Fazzi” në Leçe. Këtu, mjekët thanë se do të operojnë një plagë të armës së ftohtë në bark, por që fatmirësisht nuk janë dëmtuar organet e brendshme. Sipas mjekëve, gruas shqiptare i duhet një regjim shtrati deri në 25 ditë, që të rimarrë veten dhe që ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, ndaj autorit Astrit Boraj është marrë menjëherë masa e arrestit dhe aktualisht ndodhet në qelitë e paraburgimit në Leçe, ku së shpejti pritet të dalë para autoriteteve gjyqësore me akuzën e tentativës së vrasjes së bashkëshortes së tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›