Durrës, 5 mijë aplikime për 48 apartamente sociale
48 hyrje janë ndërtuar në zonën e Shkozetit në Durrës dhe janë gati që të shpërndahen në 48 familje nga 5 mijë aplikantë që ka Bashkia e Durrësit. Duke u interesuar pranë zyrave të bashkisë mësuam se “pallatet e përfunduara në Shkozet prej dy vitesh janë kthyer në objekt debatesh të pakuptimta, dhe se gjithsesi ato mund të zbusin situatën e strehimit në qytetin e Durrësit”. Është fjala për problemin e mprehtë social të strehimit, i cili vazhdon të mbetet i tillë prej shumë vitesh në qytet-portin më të madh të vendit.
Statistika
Gjatë periudhës 2005-2008 janë ndërtuar në Durrës vetëm dy pallate me rreth 48 hyrje, të cilat nuk janë ndarë akoma, edhe pse pallatet kanë përfunduar se ndërtuari që në vitin 2006. Ndërkohë në bashki numri i kërkesave për strehim është 5 mijë, kurse burokracitë e zyrtareve lokalë mund të djegin edhe fondet e caktuara nga qeveria për strehimin në vitet që vijnë. Në një shesh publik në zonën e Shkozetit, që është pronë e Bashkisë së Durrësit, Enti Kombëtar i Banesave, ka nisur ndërtimin e dy pallateve të cilët kanë përfunduar që në vitin 2006. Secili prej tyre ka nga 24 apartamente, dhe në total janë 48 hyrje për të pastrehët e qytetit të Durrësit, kur dihet se numri i tyre është rreth 5 mijë. Por ka dy, vjet që Këshilli Bashkiak i qytetit nuk ka qenë në gjendje që të realizojë ndarjen e këtyre apartamenteve, edhe pse janë bërë disa mbledhje për këtë qëllim. Realisht shkaku për mosndarjen e tyre ka qenë numri i pakët i tyre në raport me numrin e madh të kërkesave. Për të mundësuar ndarjen e apartamenteve janë përcaktuar disa kritere, ku më i rëndësishmi është ai që përcakton sasinë e të ardhurave financiare për familjet e pastreha. Familjet, të cilat do të mund të marrin hyrje nga të EKB-ja, duhet të kenë të siguruara minimalisht 30 mijë lekë të ardhura në muaj, në mënyrë që të jenë në gjendje që të paguajnë bankën për hyrjet e përfituara.
Gati fondet
Në Bashkinë e Durrësit përveç konstatimit të numrit të familjeve të pastreha nuk kanë ndonjë strategji për zbutjen e problemit të strehimit. Përballë numrit 5 mijë të familjeve të pastreha bashkia është e pafuqishme të ketë në dispozicion fonde prej miliona dollarësh për ndërtimin e pallateve publike. Ndërkohë qeveria ka afro 2 vjet që kërkon projekte dhe vende të miratuara nga KRRT për të çelur fondet e saj për strehimin. Në këto kushte, pra në mungesën totale të organizimit të strukturave të saj, sytë e bashkisë janë drejtuar si gjithmonë nga buxheti i shtetit. Qeveria ka gatishmërinë e saj për zgjidhjen e këtij problemi, ndërkohë që nga bashkia nuk po gjen përgjigjen e duhur. Një projekt i gatshëm mbetet gjithsesi, është fjala për projektin e Ministrisë së Turizmit dhe të Punëve Publike, e cila vendosi që të ndërtojë një numër të madh pallatesh në Shkozet hap pas hapi, duke investuar fillimisht 50 milionë lekë dhe më pas me fondet e fituara nga pagesat e pallateve të para të ndërtoheshin të tjerë, duke kaluar edhe në zonën e plazhit në trojet që mund të përfitoheshin në ish-kabinat e plazhit. Ky projekt kërkon angazhimin konkret nga ana e bashkisë, e cila edhe pse po mbyllet viti 2008, nuk ka ende gjasa të ngrejë urat e bashkëpunimit me organet e qeverisë qendrore për zbutjen e problemit të strehimit në Durrës.