E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamza ose jashtëligjësia e informalitetit

Bashkia Kamëz mund të konsiderohet si një bashki e re për vetë faktin se ajo sot ka 87 mijë banorë ose 15 herë më shumë se viti 1990. Kamza është një zonë shumë e kërkuar për pozicionin e saj gjeografik shumë të përshtatshëm, duke qenë se është në mes të trekëndëshit më të rëndësishëm të Shqipërisë, kryeqytetit të Shqipërisë, portit më të madh, Durrësit dhe aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Bashkia Kamëz është njësia vendore e 6-të në Shqipëri për nga numri i popullsisë. Në periudhën 2007-2008 dhe në vazhdim kjo zonë ka bërë një ndryshim pothuajse rrënjësore. Tashmë ajo ka filluar të krijojë konturet e një qyteti bashkëkohor. Nuk është më bashkia debitore ndaj institucioneve financiare. Në vitin 2007 të ardhurat e realizuara nga Bashkia Kamëz ishin 50% më shumë se viti 2006. Kuptohet bashkia nëpërmjet të ardhurave të saj do të ketë një mundësi më shumë për investime e shërbime ndaj komunitetit.

Financat

Kryetari i bashkisë, Xhelal Mziu, thotë: “Kemi trashëguar nga viti 2006 apo fillimviti 2007 një borxh jo të vogël, prej më shumë se 72.3 milionë lekë të reja, që do të thotë gati 85-90% e të ardhurave të vitit 2006 që do të thotë se ka qenë një kosto e madhe financiare për Bashkinë Kamëz. Sipas Mziut, në sajë të angazhimit të bashkisë u bë i mundur likuidimi i debive dhe shndërrimi i bashkisë në një partner serioz me të tretët, duke hapur mundësitë për një sërë investimesh dhe shërbimesh për komunitetin. Po të shohim të ardhurat e planifikuara për vitin 2008, ato janë 50 % më shumë se ato të vitit 2007 dhe dyfish krahasuar me vitin 2006. Kjo shifër është bazuar në shfrytëzimin e resurseve të bashkisë, kapaciteteve të saj, zhdukjes së informalitetit dhe krijimit të konkurrencës së lirë. Vetëm për vitin 2007 u regjistruan për herë të parë 250 subjekte të reja biznes i vogël, u arrit që të kishte një rritje të biznesit të madh rreth 30-40 % më shumë se një vit më parë. Të ardhurat e planifikuara për vitin 2008 ishin në një vlerë prej 177 milionë lekë të reja, ose 2 herë më shumë sesa viti 2006, ose 50% më shumë se viti 2007 që do të thotë se gjithashtu vetëm për 7-mujorin e parë të ardhurat e krijuara nga Bashkia Kamëz janë më shumë sesa viti 2006, ose të barabarta me të ardhurat e realizuara në vitin 2007 dhe janë realizuar më shumë se 130 % e atyre që ishin parashikuar për vitin 2008. Kjo do të krijojë mundësinë që në vjeshtën e këtij viti të fillojë hartimi i një buxheti shtesë për bashkinë.

Investimet nga buxheti i shtetit

Pra, mund të themi se tashmë Bashkia Kamëz është kthyer në një institucion rentabël, që po ndërhyn në çdo m2 apo në çdo lagje të qytetit të Kamzës. Kjo ka ardhur jo vetëm në sajë të angazhimit total të Bashkisë Kamëz, por dhe në sajë të bashkëpunimit të bashkisë dhe qeverisjes qendrore. Hyrjet publike vetëm për vitin 2007 janë sa ato të 8 viteve të qeverisjes socialiste të marra së bashku, gjatë vitit 2007 ato kapën shifrën 914 milionë, ndërsa për 8 vitet 1997-2004 ishin vetëm 916 milionë lekë, kjo ka bërë që investimet për vitin 2007 për Bashkinë Kamëz janë më shumë se ato të 8 viteve socialiste të marra së bashku.

Investimet për vitin 2007 kapin shifrën 231 milionë lekë, ndërsa për 8 vitet 1997-2004 ishin vetëm 219 milionë lekë. Bashkia Kamëz, duke qenë në rezonancë edhe me qeverisjen qendrore, ka tentuar për të pasur një qeverisje me shpenzime sa më të vogla, nëse mund ta quajmë një qeverisje në dietë për të pasur sa më pak shpenzime për funksionimin e kësaj administrate. Vetëm për vitin 2007 krahasuar me vitin 2006 shpenzimet operative janë 26 % më pak ose nga 32 milionë lekë të shpenzimeve operative për vitin 2006, në vitin 2007 kemi vetëm 24 milionë lekë të reja ose 26% më pak se ato të një viti më parë. Një fakt tjetër domethënës është se brenda këtyre shpenzimeve operative pavarësisht se ka një zbritje prej 26 %, shpenzimet operative për arsimin janë rritur 1.5 herë më shumë.

Gjatë vitit 2007 janë asfaltuar 7 nga 11 rrugët e shkollave që ka Bashkia Kamëz, po ashtu disa ujësjellës, disa rrugë, duke krijuar edhe atë gjeografinë e shpërndarjes së këtyre investimeve. Për vitin 2008 investimet janë shumë më të mëdha sesa ato të vitit 2007. Nëse për vitin 2006 pjesa që zinin investimet ishin në masën prej 14%, në vitin 2007 ishin në masën 27%, në vitin 2008 pjesa që shkon për investimet zë një përqindje të konsiderueshme prej 49%. Gjatë vitit të kaluar janë bërë një sërë investimesh, duke filluar me ristrukturimin e bashkisë, ndërtimin e një salle të këshillit, bashkëkohore me një kapacitet 50-70 njerëzish, e së fundi ndërtimi i një “One Stop Shop”, me një kapacitet prej më shumë se 30 sportele për shërbimet e bashkisë e ato të pushtetit qendror.

Në këtë periudhë janë disa objekte, të cilat janë në prag përurimi siç është rruga lagjja “Bathore”, e cila ka një gjatësi prej 922 ml, gjerësi prej 10 ml, e me të gjithë infrastrukturën e saj bashkëkohore me një vlerë prej më shumë se 67 milionë lekësh të reja. Është një rrugë e cila lidh qendrën e Bathores me qendrën e Kamzës, është një financim nga buxheti i shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, kemi rrugën te lagjja “Korçare” me një gjatësi prej rreth 1 kilometër e gjerësi 10 metër, me një vlerë prej 76 milionë lekësh të reja, një financim ky nga Ministria e Brendshme dhe fondet e brendshme të Bashkisë Kamëz, kemi dhe një ujësjellës-kanalizim të lagjes numër 5, 6, 7, që kishte një kosto prej 80 milionë lekë të reja ishte faza e parë e implementimit të këtij projekti, por së shpejti pritet financimi i fazës së dytë të këtij projekti, çka do të thotë fund problemeve të furnizimit me ujë dhe rrjetit të kanalizimit për tërë zonën e Bathores.

Ndërmarrjet dhe risitë

Në Bashkinë e Kamzës ka 2 ndërmarrje, të cilat janë ndërmarrja e Ujësjellës–Kanalizimeve, e cila pothuajse mbulon mbi 50 % të gjithë territorit. Kjo ndërmarrje ka një kosto më shumë se 45 milionë lekë të reja. Pavarësisht të ardhurave që realizon kjo bashki, janë më pak sesa 17 apo 18 milionë lekë të reja, çka do të thotë se nga të ardhurat e bashkisë arrin që të subvencionohet rreth 70% e këtij shpenzimi ose kemi rreth 30 milionë lekë që subvencionohen nga bashkia. Ndërmarrja e dytë është ajo e pastrim-gjelbërimit, e cila ka një kosto pothuajse prej 45 apo 50 milionë lekësh, e gjitha subvencionohet nga të ardhurat e bashkisë.

Një risi për Bashkinë e Kamzës mund të konsiderohet dhe futja e taksave familjare, për vitin 2007 për herë të parë aplikohet taksa familjare, e cila ishte në vlerë simbolike prej 500 lekësh për tarifën e pastrimit dhe 1.000 lekë për taksën e pasurisë. Për vitin 2008 këto tarifa kanë ndryshuar, 1.000 lekë taksa e pasurisë, 1.000 lekë taksa e pastrimit dhe 100 lekë për taksën e gjelbërimit. Tarifa prej 2.100 lekësh është një tarifë e përballueshme për familjet e kësaj zone. Vetëm për vitin 2007 mbi 70% e familjeve arritën që të paguanin këtë taksë. Kjo taksë është dhe një tregues e faktor i rëndësishëm edhe për partnerët ndërkombëtarë, apo kryesisht institucionet financiare, të cilat bëjnë investimet e tyre atëherë kur e tërë struktura apo gama e tatim-taksave aplikohet.

Bashkia tashmë ka një drejtori urbanistike, e cila është me të vërtetë profesionale dhe ka hartuar disa projekte. Për vitin 2007 dhe kryesisht për vitin 2008 ka hartuar projekte konkurruese në pothuajse të gjitha specialitetet e nevojshme dhe është e aftë për të bërë dhe ka të gatshme projekte në të gjithë infrastrukturën e bashkisë, për sa u përket rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, qendrave shëndetësore, shkolla etj., pra bashkia tashmë nuk shpenzon për hartimin e projekteve nëpërmjet studiove private.

Aspekti social

Një angazhim jo të vogël ka dhënë qeverisja qendrore: p.sh., masa e ndihmës ekonomike që jepet për familjet, nëse për vitin 2003 ishte në masën 7.729 lekë për familje, për vitin 2008 kjo masë është 1.4 herë më e madhe se në vitin 2003. Po ashtu edhe për personat me aftësi të kufizuar masa e kontributit që jepet nga qeveria është 3.4 herë më shumë se në vitin 2003.

Në vitin 2008 është bërë e mundur që nga Bashkia Kamëz të sigurohen ambientet për ndërtimin e 5-7 objekteve shkollore. Në këto momente sapo ka filluar ndërtimi i një shkolle 9-vjeçare në zonën e Laknasit, fillimi i punimeve të një kopshti në lagjen “Kamza e re” dhe janë në pritje të financimit dhe të fillimit të punimeve të 4 objekteve të tjera shkollore, siç është shkolla 9-vjeçare te “Kamza e vjetër”, fillimi i shkollës 9-vjeçare në Zall-Herr, fillimi i dy shkollave 9-vjeçare në lagjen numër 5, 6 Bathore. Bashkia ka krijuar infrastrukturën e tyre me territoret e nevojshme me rrjetin e ujësjellës–kanalizimeve, rrugëve etj. Financimi i tyre do të jetë nëpërmjet fondit të Bankës Botërore, e cila ka një vlerë prej me shumë se 1 milion euro për shkollë që do të thotë se do të ndërtohen shkolla bashkëkohore dhe do t’i jepet fund arsimit me më shumë sesa një turn, do të kemi klasa jo më me 50 apo 55 nxënës po me 30 apo 32 nxënës në klasë.

Bashkia edhe në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Arsimit ka bërë të mundur hartimin e projektit të një shkollë profesionale, e cila do të ketë disa profesione të caktuara, pse jo 15-20 specialitete, që do të thotë se në këtë zonë do të studiojnë një pjesë e konsiderueshme e atyre që do të përfundojnë arsimin 9-vjeçar. Kjo shkollë do të ketë jo vetëm dimensionet e njësisë vendore, por do të jetë një shkollë rajonale, sepse edhe në bashkëpunim me qeverinë gjermane do të bëhet i mundur implementimi i sistemit arsimor profesional gjerman, por edhe marrja e laboratorëve të këtyre profesioneve. Nxënësit që do të mbarojnë këtë shkollë do të kenë një diplomë, e cila do të njihet nga vendet e tjera të BE-së.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›